Buxheti i rishikuar me shume para dhe njerez ne sherbim te Kryeministrit

Buxheti i rishikuar: më shumë para dhe njerëz në shërbim të Kryeministrit

Akti normativ i qeverisë për rishikimin e buxhetit të vitit 2016 parashikon shkurtimin e fondeve dhe punonjësve te administratës publike.

Në total do të largohen nga sektori publik 177 punonjës nga 81 147 që janë aktualisht. Ky shkurtim në total është, në fakt, rezultat i një disa shkurtimeve dhe shtesave në disa institucione-- numri i punonjësve të Këshillit të Ministrave do të rritet me 12 për qind, ndërsa do të ulen ndjeshëm numri punonjësve të Ministrisë së Brendshme dhe Minsitrisë së Mbrojtjes, pavarësisht rritjes së kriminalitetit në të gjithë vendin dhe misioneve të sapo miratuara ushtarake jashtë vendit.

Fryrja e Këshillit të Ministrave dëshmon vështirësinë në rritje të Kryeministrit për të vënë në funksionim makinën administrative të shtetit, vështirësi që ai po e zgjidh (apo beson se po e zgjidh) duke marrë gjithmonë e më shumë kompetenca të reja në zyrën e tij, e cila, në fakt, është bërë vërtet pengesa kryesore e gjithë administratës së vendit.

Në një zhvillim që mund të konsiderohet interesant, Qendra për Hapje dhe Dialog (COD)--e cila shërben si galeri private e Kryeministrit Rama për propagandën e tij politiko-artistiko--do të shtohet me pesë punonjës, duke shkuar 15 punonjës në total, për t'i shërbyer më mirë dëshirave të Kryeministrit.

Ndërsa shkurtohen të gjitha fondet, përfshi edhe atë të pensioneve, ka një përjashtim--paratë në dispozicion të Kryeministrit do të rriten: Fondi Rezervë dhe Kontigjencë i Këshillit të Ministrave është rritur me 800 milionë lekë (rreth 5,8 milionë euro). Nga ky fond merren, ndër të tjera, paratë për marketing apo lobim ndërkombëtar të qeverisë, si dhe pagesat për asistencën ligjore në çështjet e arbitrazhit ndërkombëtar, si pasojë e shkeljes së angazhimeve të marra me subjektet e huaja.

Për rritjen e këtij fondi nuk jepet asnjë shpjegim i kënaqshëm (si për shembull, ndonjë fatkeqësi natyrore që të mund të ketë shkaktuar shpenzime të paparashikuara), por frika e shumë njerëzve është se fondet nevojiten vetëm për të paguar "shpenzime të përfaqësimit të oborrit" të paparashikuara dhe, akoma më keq, të padeklaruara.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama