Butrinti Qyteti antik qe thith vizitoret nga te kater anet e botes

Butrinti: Qyteti antik që thith vizitorët nga të katër anët e botës

Biletashitësi, një burrë rreth të 50-ve, me flokë disi të thinjura, por tepër krenar për punën që kryente, priste një nga një biletat dhe brenda një kohe të shkurtër, sa hap e mbyll sytë katër kundërbileta i “ngelën” në dorë si “dopio gjashta”.

Për t’i numëruar kundërbiletat biletashitësi, emrin e të cilit nuk ia mësova kurrë, nuk kishte nevojë t’i shfletonte, pasi ato ishin certifikuar me numër serie dhe vlera e saj në total llogaritet pa ndihmën e makinës llogaritëse.

Turistët kishin nderin të shikonin qytetin antik të Butrintit, një vend që ja vlen të nxjerrësh nga xhepi disa të holla, për të prekur nga afër mrekullinë, plot gjelbërim dhe pastërti.

Drejtori i Parkut Kombëtarë Arkeologjik të Butrinit, Ylli Cerova, një njohës i mirë i objekteve monumentare, gjen kohë të japin variantin e tij, për sa i përket funksionimit të këtij parku.

“Sivjet, në dispozicion të vizitorëve vendas dhe të huaj janë ngritur tetë sheshe pushimi, që të gjitha prej druri gjatë rrugëtimit të tyre brenda qytetit antik”, shprehet Cerova.

I vëmendshëm në çdo kohë dhe vazhdimisht i interesuar për vizitorët, Cerova ka menduar për çdo detaje. Përveç çlodhjes, vizitorët nga shesh pushimet mund të shijojnë bukuritë e natyrës së zonës në drejtim të Diaporitit, që ndodhet në bregun lindor të liqenit të Butrintit dhe të Konispolit, në skajin më jugor të vendit.

“Parku Kombëtarë në bashkëpunim me fondacionin ‘Butrinti’ këtë vit ndërtoi dyqanin e ri të suvenireve, ku tregtohen prodhime artistike me motive nga antikiteti i Butrintit”, thotë me plot krenari drejtori që ushtron funksionin që prej dy vjetësh, zoti Cernova.

Vizitorët vendas dhe të huaj

Duke ju referuar statistikave zyrtare nga Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrinit, në katër mujorin e parë të këtij viti mbi 6 mijë vizitorë të huaj kanë shkelur për herë të parë qytetin antik. Megjithatë, kjo shifër në muajt e ardhshëm do të shumëfishohet.

“Duke patur parasysh përmirësimin e motit, parashikojmë të kemi një numër turistësh që do t’i afrohet shifrës 60 mijë vetë, ndërsa të ardhurat do të arrijnë 17.5 milionë lekë ose 75 për qind më shumë, duke ju referuar vitit 2005”, tha Ylli Cerova, drejtori i Parkut të Butrintit.

Për të “thithur” sa më shumë vizitorë vendas, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me Parkun Kombëtarë të Butrintit ka ulur ndjeshëm çmimin e biletave, gjë që ka shtuar ndjeshëm numrin e vizitorëve, sidomos të të rinjve.

“Për çdo vizitorë vendas bileta kushton 200 lekë të reja, përkundrejt 700 lekë për vizitorët e huaj. Gjatë këtij muaj, numri i gjimnazistëve është rritur ndjeshëm, duke e krahasuar atë me një vit më parë”, u shpreh Cerova, duke nënvizuar se këto politika do të ndiqen edhe në të ardhmen, pasi ky park i përket të gjithë shtresave sociale.

Veçoritë e qytetit antik të Butrintit

Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektar dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit.

Ai është ngritur në këndin juglindorë të gadishullit të Ksamilit. Ai ka një pozitë mjaft të mbrojtur natyrore, duke u lagur nga të dyja anët nga liqeni i Butrintit, gjysmë të kripur dhe gjysmë të ëmbël, dhe në njërën anë nga kanali i Vivarit. Në përbërjen e saj gjenden lloje me gjelbërim të përhershëm si, dafina, prralli, ilqe, fishekarthi, kullastra, mimoza, si dhe lloje gjetherënës. Drurët arrijnë lartësi deri 12 metra, kanë një diametër 60-80 centimetra dhe arrijnë moshë maksimale 200-vjeçare.

Në vitin 1992 gërmimet e ndërmarra në qendrën e qytetit antik të Butrintit nxorën në dritë forumin romak të qytetit. Ndërtesa me tre dhoma ndodhet në pjesën jugore të akropolit në perëndim të ndërtesës me peristil dhe në lindje të dyqaneve romake. Mbishkrim, i cili datohet në shekullin i pas Krishtit, flet për një tempull kushtuar perëndeshës Minerva, ndërtuar nga Manius Otacilius Mystes.

“Megjithëse mbishkrimi është zbuluar si material i ripërdorur në dhomën 2, ka mundësi që të ketë qenë fillimisht në këtë dhoma, duke sugjeruar se kjo dhomë ka qenë një tempull kushtuar Minervës”, jep variantin e tij arkeologu i mirënjohur i rajonin jugorë, prof. as. dr. Dhimitër Çondi.

Shpella e Butrintit

Ndodhet pranë rrugës automobilistike Sarandë-Butrint, rreth 3 kilometra larg nga qyteza e Ksamilit. Shpella vlerësohet e veçantë për nga natyra dhe për pozicionin e saj, është e përmasave të mëdha. Ka një sipërfaqe 110 metra katrorë, ka hapësirë të gjerë me zgjerime nga hyrja e saj dhe është e ruajtur mirë, në gjendje natyrale. Sipas arkeologëve, shpella e Butrintit ka vlera të shumta shkencore.

Ujësjellësi i Butrintit

Ka një gjatësi prej 3.5 kilometra, lartësi të kanalit 6 metra dhe gjerësi 3.5 metra. Teknikisht është një ndërtim i arritur ku gjatë trasesë së tij janë ndërtuar shumë vepra arti si, ura e kanale të përforcuara me mure mbajtëse, si dhe puseta dekantimi e kontrolli. Sipas specialistëve, ujësjellësi i Butrintit ka funksionuar deri nga fundi i shekulli IV pas Krishtit.

EDI MOLLA  : Gazeta Metropol


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama