Por në atë qytezë të ngjashme me dhjetëra të tjera në vendin tonë, ndodhet gjithë jeta e tij, koha kur ende fëmijë i pëlqente të bënte vjersha, natyra disi rebele, gjithnjë e dashuruar, fytyrat e njerëzve ku te secili gjen diçka, e mbi të gjitha biblioteka, ku prej vitesh ndan orët e punës. E çfarë mund të jetë një krijues pa bibliotekë? Poezia do të ishte e vdekur nëse nuk do të ushqehej nga librat. Sado të jesh i frymëzuar apo i talentuar, librat janë ato që të bëjnë të udhëtosh në atë vijën e duhur nga ku del krijimi. Në atë qytezë me erë të thjeshtë, ajo bibliotekë ishte hapësira nëpërmjet së cilës ai vizitonte botën. Mjafton ndonjëherë vetëm një libër për të prekur hapësirat më të mëdha. Ai i ka prekur të gjitha botët, me frëngjishten gjuhë që e ka mësuar nga dashuria për të shoqen. "Përkthimi është diçka që lind bashkë me poezinë. Besoj se përkthyesit më të mirë të poezisë janë poetët", thotë ai.
Ai burrë me fizik pak të imët, i veshur me një kostum ngjyrë gri, që shtrëngon gjithnjë në dorë një çantë të zezë është një poet. Pakkush mund ta besojë teksa e sheh të qetë të ulet diku, por nëse të bie në dorë një libër i tij do ta kuptosh këtë gjë. Asnjëherë nuk ka qenë i "përkëdhelur nga shtypi", nuk ka dalë të japë intervista apo të flasë për poezinë as atëherë kur tre vjet më parë u vlerësua me çmimin "Penda e argjendtë" për vëllimin poetik "Vera fantastike". Me gëzimin e fshehur të një trofeu jo të vogël për letërsinë tonë, ai mori sërish autobusin drejt Koplikut, duke e ndarë gëzimin me familjen dhe njerëzit e qytetit. Nuk foli se kush ishte ai, se sa i lumtur ndihej që pak kaq vitesh disa kamera ishin fokusuar te portreti i tij dhe se për herë të parë ndiente se "gjithë kjo punë ia kishte vlejtur". I mësuar të jetojë në heshtje, duke besuar se poezia është aq e vërtetë dhe njerëzore sa nuk mund të krenohesh me të, ai iu rikthye jetës së si më parë.
Por mjafton të ulesh disa minuta të bisedosh me të, për të kuptuar se poezia nuk është rastësi në jetën e tij. Ai flet aq bukur për të, njeh mirë të gjitha format në të cilat ka ecur ajo në vite, di skemat që kanë përdorur poetë të njohur dhe ka të njëjtat simptoma të një poeti kur flet për vargjet e tij.
Ka nisur të shkruaj qëkur ishte ende fëmijë. Ato vjersha që i ruan diku ende, do të rritesh dalëngadalë me të. Zekaj shprehet se nuk beson se emocioni mund të përcjellë një mesazh nëse vetë krijuesi nuk është rritur për ta dhënë atë. Gjithçka i ngjan përvojës njerëzore, pa përvojë nuk je i aftë të gjykosh se sa e drejtë apo jo është diçka. Në fund të fundit, poezia si të gjitha artet, krijohet për të rrëfyer. Por nuk janë vetëm brengat ato që krijojnë artin. Rruga e tij drejt letrave nuk ka qenë aq e lehtë. Ndonjëherë të shkruash për një personazh si Sokoli, që gjithnjë me modesti e fsheh vlerën e tij, është pak e vështirë. Në fund të viteve ‘60 dhe fillim të viteve ‘70 në atë kohë kur ekzistonte një farë lirie në letërsi, ai përgatit një libër me poezi, i cili u pezullua më vonë nga Plenumi IV. Bile, disa vargje të tij një kritik i kohës do t‘i quante si model i poezive të huaja.
Zekaj kujton se për gjashtë vjet rresh ai nuk është ulur të shkruajë asnjë rresht. Kjo nuk do të thotë se nuk mendonte për të shkruar, por klima e cila mbizotëronte në ato vite e bënte të pafuqishëm për të bërë një hap të tillë.
Por si gjithnjë janë librat ato që të rikthejnë në të shkruar. Dhe ndoshta një mirënjohje këto kohë për rikthimin e tij pas asaj pauze do t‘ia japë poetit turk, Nazim Ismeti, të cilin e kishte lexuar në rusisht. Në ato vite në Shqipëri ka pasur përkthime të disa poetëve rusë, por ai nuk mund të ndikohej nga asnjëri prej tyre". Më tepër unë shihja autorët minorë, që botoheshin këtu për arsye politike, por mes atyre poezive aty kishte shenja të poezisë perëndimore". Dhe pikërisht mes atyre librave do të gjente dhe Nazim Ismetin, i cili do ta lidhte me poezinë moderne. Në vitin 1984, ai boton vëllimin poetik "Vise me diell", i cili do të pritej mirë, por ashtu siç rrëfen Zekaj nuk kishte akses nëpër media. Por Zekaj pranon se dimensioni i një libri nuk është i njëjtë me tjetrin. Në vitin 1993, ai botoi përmbledhjen poetike "E pamundura", duke vijuar më pas me romanin "Orët e dëshmive" në 1998, deri te librat "Vera fantastike" apo "Ylberet dalin kur s‘i presim".
Por çfarë është poezia për Sokol Zekajn, çfarë është kjo formë fjalësh të cilën ai i ka kushtuar jetën? "Poezia është një trajtë e qenies sime esenciale. Poezia i jep kuptim qenies sime, ekzistencës", thotë ai.
Por ne ndalemi te libri poetik "Ylberet dalin kur s‘i presim", një libër befasues i shkruar me një nerv dhe pasion të çuditshëm, aq sa padashur paragjykojmë faktin se ky libër "është shkruar në hapësirën 20 km 2 në Koplik". "Ky libër është shkruar menjëherë pas çmimit "Penda e argjendtë". Dëshira ime ishte të bëja një poezi ndryshe, nga ajo çfarë kisha bërë deri atëherë. Kjo, pasi unë nuk dua asnjëherë të përsëris veten. Mendoj se në këtë libër jam më i çliruar...". Për Zekajn të shkruash poezi është si të udhëtosh në një vend në një tjetër. Në këtë libër ka më shumë vend ironia dhe grotesku, në krahasim me libra të tjerë.
Ndoshta nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në faktin se një qytezë sado e vogël mund t‘i flasë nëpërmjet fjalës mijërave të tillë në botë. I ulur në karrigen e tij në bibliotekën e Koplikut, nëpërmjet dorës që rri gjithnjë e varur në një fletë, ai mund të përcjellë emocione që diku mijëra kilometra larg që andej i ndien një burrë tjetër, i ulur ndoshta në një bar...
Zekaj është tipik i atyre artistëve që vijojnë të besojnë se një ditë "çdo gjë do shpërblehet". Ai nuk ka kërkuar asnjëherë shpërblim dhe nuk e bën asnjëherë këtë, vetëm në rastet kur merita vjen, i bindur se kjo është forma e jetës së tij, skema në të cilën është ndërtuar poezia e tij jetë, një skemë e cila nuk mund të thyhet tashmë.
Janë të shumta dimensionet që gjen te ky burrë i thjeshtë, që vendos të flasë për letërsinë dhe librat pikërisht tashmë që i ka kaluar të 50-at. Gjithë këto vite, ai ka parë nga larg gjithçka, me shpresën se një ditë do të ishte pjesë e kësaj "bote letrare", edhe pse besonte se letërsia ndodh kudo dhe jo vetëm aty ku jeta zien zhurmshëm...
Dashuria
A, burrin që ju thoni, e kam njohur së voni
Është vërtet zotëri dhe ka një grua perri
Zonjë hiresh t‘pashpjegueshme, kolonë kristali
Si thotë diku Bodleri, ai poeti magjistari
Modeli i saj gjendet në imazhe folklori
Plot sharm, jo anemike si figurë regjisori
Vërtet një herë n‘kafe s‘di pse m‘është ankuar
Se gruaja i dukej fshehtësisht e mikluar
A je fatlum a fatkeq me grua të bukur?
Dyshon dhe për erën se kopilisht e ka puthur
Vetë jaka ka drojë prej qafës së fildishtë
To, çfarë do dëshiroje asohere të ishe?
Qe mbrëmje vjeshte e freskët, qetësi në bar
Vera vegonte si plagë. Ç‘t‘i thoja atij qyqar
Për ngushëllim? Zile, ja mesazh më dërgonin
Në jetë do gjëra janë gjëra që ndodhin
Unë diçka dija, dikush, (ai s‘ishte i gabuar)
Pafajësisht në gjinë e majtë ia ka kafshuar
Marre nga : Gazeta Shqip











