Bujar Kapexhiu Do t’i bej film politikanet tane

Bujar Kapexhiu: Do t’i bej film politikanet tane
U shfaqën në Arkivin e Filmit dy filmat e censuruar të regjisorit, “Kur shefi merr flakë” (1980) dhe “Autogol” (1981), realizuar me skenar të Bashkim Shehut. Bujar Kapexhiu i rikthehet pasionit të filmit me karikaturat e politikanëve shqiptarë.

Bujar Kapexhiu nuk i kursen batutat, teksa thotë dy fjalë për punën në Kinostudio. Në kinemanë e Arkivit të Filmit, u shfaqën dje katër filma të tij të animuar. Mes tyre edhe “Kur shefi merr flakë” (1980) dhe “Autogol” (1981) të censuruar. Arsyeja duket se përveçse artistike ka qenë edhe politike, skenari i tyre i përkiste Bashkim Shehut. Filmat e Kapexhiut, një prej themeluesve të këtij zhanri, hapën muajin e filmit të animuar në AQSHF. Kapexhiu ka ndarë kujtimet me ata pak kolegë që ishin ulur në karriget e kinemasë.

Dy filmat e tij të ndaluar kanë qenë një surprizë për të pranishmit, e deri diku edhe për vetë regjisorin që nuk i kujtonte qartë disa detaje. Të dy filma të animuar kushtuar jo vetëm fëmijëve. “Autogol”, përgjatë minutave nuk ka vetëm personazhe të animuara, por edhe pamje filmike nga një ndeshje futbolli. Një realizim me një mesazh të fortë edukues, por thënë në mënyrë shumë të bukur artistike, duke i shpëtuar kurthit të moralizimeve të mërzitshme. Djali i një zdrukthëtari ndodhet përpara një pirgu me dërrasa.

Në mendje i shkon të bëjë një dollap, pastaj një raft me pak sirtarë... Fillon të grijë dërrasat një e nga një. Pirgu i dërrasave zvogëlohet, ndërsa poshtë këmbëve të tij ngrihet një pirg tallashi. Në fund, djaloshi nga të gjitha dërrasat nxjerr vetëm një kornizë për fotografinë e tij. I lemerisur, i ati e vendos fotografinë e tij në këndin e atyre “që shpërdorojnë materialet”. Në të njëjtin nivel realizimi qëndronte edhe filmi tjetër “Kur shefi merr flakë”. Ulërimat e shefit dëgjohen deri në korridor, ndërsa vartësi i tij përvëlohet nga fjalët e nxehta. Ai del nga dera me kokën ulur. Por shefi pranon t’i bëjë autokritikë vetes sapo në zyrën e tij shkon një njeri me parullën “kritikë”. Duket se në të njëjtin mesazh Kapexhiu do të vijë në ditët e sotme me një projekt të ri. Në fokusin e tij janë as më pak e as më shumë politikanët.

Zoti Kapexhi, shfaqja e këtyre filmave duket se ka qenë një takim nostalgjik me të shkuarën?

Këto takime të organizuara nga Arkivi i Filmit, duket se janë të vetmet organizime që na mbledhin edhe njëherë për të diskutuar e për të kujtuar kohën e shkuar. Për mua ato janë vite të rinisë.

Është një kohë mjaft e bukur, sepse ishte fillimi i filmit vizatimor. Ka qenë nëntori i vitit 1975, kur dy krijuesit, piktori Vlash Droboniku dhe operatori Tomi Vaso me shumë pasion e filluan këtë punë dhe bënë të mundur që brezat më pas të tradhtojnë punën e tyre dhe të arrijnë sot ku jemi me këtë rezultat. Kanë ndryshuar paksa kohët, por pasionet janë po ato. Kur kthehem në kujtime, ka pasur shumë raste të bukura. Sot çuditem që kemi punuar me aq pasion dhe dëshirë. Punonim me orë tepër të zgjatura. Autobusi i fundit ikte në orën një pa dhjetë të natës nga Kinostudio në qendër dhe shoferët e mësuan që ishte një grup prej tre-katër vetash që duhet ta kapnin atë. Gjithë ai përkushtim bëri që të realizojmë ato filma që sot janë pjesë e Arkivit të Filmit dhe të jenë eksperiencë për ata që do të vijnë më vonë.

“Autogol” dhe “Kur merr flakë shefi” ishin dy filma që u shfaqën për herë të parë. U censuruan për tendenca moderniste apo për arsye politike?

Është e kuptueshme pse këta filma nuk u shfaqën. I pa vetëm kolektivi, siç ishte e zakonshme dhe pastaj u ndaluan. Një nga skenaristët e filmave ishte Bashkim Shehu, djali i ish-kryeministrit, i cili më 18 dhjetor të vitit 1981 u largua nga jeta. Këta filma përfunduan pikërisht në atë periudhë dhe për arsye politike të asaj kohe u ndaluan. Unë nuk i shihja prej 30 vitesh dhe ishte shumë kënaqësi. Më pëlqyen dhe herë pas here disa detaje ishin surprizë. Duke qenë se kanë kaluar shumë vite disa gjëra i kisha harruar dhe kur po i shihja mendova: sa mirë i paskam bërë ca gjëra.

Në fakt janë dy filma të animuar që dallojnë për konceptin, por edhe për realizimin. Ishte momenti kur janë krijuar që i bën të tillë?

Zakonisht në ato vite është prodhuar filmi vizatimor ose filmi i animuar siç thuhet sot, vetëm për të vegjël. Në vitin 1981 u diskutua që mund të bëheshin filma vizatimorë edhe për të rritur. Kështu, së bashku me skenaristin Bashkim Shehu, morëm këtë iniciativë dhe realizuam filmat “Autogol” dhe “Kur merr flakë shefi”. Për herë të parë te filmi “Autogol” u futën edhe pjesë që i takonin filmit artistik.

Ju jeni një nga themeluesit e zhanrit të animacionit dhe angazhimi juaj erdhi pas “dënimit” të Festivalit të 11 të Këngës në RTSH. Si e kujtoni filmin e parë?

Pas Festivalit të 11 punova në prodhim. Pastaj menduan se ky djalë u edukua dhe më kthyen në Kinostudio, ku në vitin 1975 u hap studio e filmit të animuar, në të cilën punova për 10 vjet, pastaj kalova në filmin artistik. Filmi im i parë vizatimor është “Pika e ujit”, 1976. Për realizimin e tij u bashkuam për herë të parë unë si regjisor, Tomi Vaso si operator dhe piktori Vlash Dobroniku. Pas tij realizova filmin “Zhgarravina” që unë e pëlqej shumë, sepse është filmi i parë i bërë me vizatime, në teknikën klasike të “Walt Disney”.

Për një farë kohe u shkëputët paksa nga filmi i animuar. Keni ndonjë projekt në dorë?

Ishte një periudhë si të thuash shkëputjeje, por gjithsesi jam marrë me animacionin përmes reklamave të ndryshme. Para dy vjetësh bëra një film të animuar dhe kam dy projekte të tjera gati. Ndoshta nga shtatori mund të nisë zhvillimin. I pari është një film për fëmijë, ndërsa tjetri është film me tematikë politike.

Do të thotë se do të shohim politikanët si personazhe të animuara?

Karikaturat e mia do t’i zhvilloj më tutje dhe politikanët do të shohin karikaturën e tyre të lëvizshme në filmin e animuar. Karikaturat e mia ngacmojnë nga pak, nuk janë shumë djegëse. Do të jetë një film për periudhën që po kalon politika shqiptare.

Sot as “Kinostudio” dhe as filmi i animuar nuk e ka më shkëlqimin e dikurshëm. Është vetëm faktor tregu?

Më vjen keq që Kinostudio nuk është më ajo e mëparshmja. Dikur ne prodhonim deri në 14 filma, ndërsa tani me vështirësi realizohen 2-3. Nuk prodhohen aq shumë filma vizatimorë sa më parë. Kjo për arsye se edhe buxhetet janë paksa të kursyera për filmin vizatimor, por edhe shumë krijues nuk ndodhen sot pranë Kinostudios, por janë shpërndarë. Një pjesë e mirë kanë ikur jashtë shtetit duke menduar se me aktivitete të tjera mund të jetojnë më mirë se sa me filmin vizatimor. Një lëvizje do të ketë, do të ketë edhe të rinj që do të aktivizohen në këtë zhanër kaq të këndshëm dhe të bukur, të dashur jo vetëm për fëmijët, por edhe për prindërit e tyre.

Biografia
Kush është?

Bujar Kapexhiu, Artist i Merituar, aktor, piktor, regjisor, skenarist, lindi në Tiranë më 22 mars 1944. Studioi për aktor në shkollën e lartë pranë Teatrit Kombëtar dhe po aty ndoqi kursin e lartë pasuniversitar për regjisor. Më 1968-n filloi punë si regjisor në Teatrin e Estradës së Tiranës ku shkroi shumë skeçe, parodi, kuplete, si dhe u mor me karikaturë për organet e shtypit. Pas një periudhe 2-vjeçare largimi nga Tirana, për shkak të “shfaqjeve liberale dhe moderniste” në Festivalin e 11 të Këngës në RTSH, ku ishte autor teksti dhe konferencier, u rikthye më 1975-n si regjisor dhe piktor në sektorin e sapongritur të filmit vizatimor pranë Kinostudios “Shqipëria e Re”. Filmi “Shkarravinat” (1977) ku Kapexhiu krijoi vizatimet, skenarin dhe regjinë u vlerësua me çmimin e parë të Festivalit III të Filmit Ballkanik të organizuar në Stamboll, Turqi, 1979; me Kupën e Festivalit III të Filmit Shqiptar, 21-28 prill 1979, si dhe me çmim në Napoli të Italisë më 1984-n.

Deri në vitin 1985, xhiroi rreth 20 filma vizatimorë, në shumicën e të cilëve është skenarist ose bashkëskenarist, regjisor dhe piktor. Mes tyre spikat edhe Pipiruku, personazhi i dashur për fëmijët, i ndërtuar prej tij. "Pipiruku pret 2 miq" u vlerësua me çmim të dytë në Festivalin VI të Filmit Dokumentar e Vizatimor. Pas vitit ‘85 iu përkushtua zhanrit të kinokomedisë, duke u shquar për individualitetin e spikatur. Në një kohë mjaft të shkurtër xhiroi katër filma artistikë: "Dy herë mat", 1986, "Tela për violinë", 1987, "Stolat në park", 1988 "Edhe ashtu, edhe kështu", 1989.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama