Budva ne zemer te Ballkanit

Budva ne zemer te Ballkanit
Të shtyrë nga kureshtja e gojëdhënave se Mali i Zi ka një shtrirje gjeografike mjaft të bukur e mbresëlënëse, vendosëm të bënim një udhëtim të shkurtër mbi atë që konsiderohej si perla e ish- Republikës Jugosllave. Për të shkuar në “zemrën” e Malit të zi, e pikërisht në Budva, të nevojitet gati 6 orë rrugë, ose e thënë ndryshe, duhet të përshkosh rreth 250 kilometra.

E pozicionuar në krahun e djathtë të kryeqytetit, buzë majës më të lartë të malit malazez, Budva qëndron e shtrirë madhërishëm. Në të bien në sy parqet e shumta, në të cilat qytetarët, por edhe pushuesit kalojnë një pjesë të madhe të kohës. Përballë qytetit shtrihet deti, i cili duket sikur bashkohet me qiellin.

Në bregun e tij qëndrojnë me dhjetëra jahte të madhësive të ndryshme, anije te vogla lundrimi, peshkarexha dhe motorr uji, pronarët e të cilave, mesa duket i përdorin më së shumti gjatë periudhës së verës. Po kështu të bie në sy numri i madh i bareve, kryesisht të punuara me dru dhe tek-tuk të mbuluar me rrjeta peshkimi, për të lënë të kuptosh se me të vërtetë ndodhesh në një qytet, ku peshkimi është pjesë e pa ndarë e jetës së tyre. Në këto lokale, pushuesit shpenzojnë një pjesë të konsiderueshme nga ditët e pushimit të tyre.

Gjithashtu, në breg të detit nuk mungon as një rrugicë e shtruar me kalldrëm si dhe stolat e vendosur buzë saj, për t”iu dhënë mundësinë kalimtarëve të ulen e të sodisin këtë mrekulli të natyrës. Ndërkaq, nuk mungojnë as dyqanet e vogla, të cilat në përbërje të tyre, veç produkteve ambulatore, të ofronin edhe mjaft produkte reklamuese të qytetit të tyre. Guaska me mbishkrime, pllakata me hartën e Malit të Zi etj, ishin të gjitha këto ajo çka mund të merrnin me vete pushuesit në vendin e tyre, përveç përshtypjeve dhe shijeve që merrnin nga ky qytet.

Infrastruktura rrugore drejt kryeqytetit malazez, Podgoricë, linte paksa për të dëshiruar, pasi rruga ishte një kalimëshe dhe jo e mirëmbajtur, por, ajo që të bënte përshtypje sapo kaloje kufirin tonë, ishte gjelbërimi me të cilin meritonte të krenohej ky shtet i ri e i vogël. Gjatë udhëtimit tonë na shoqëronte një banor i zonës, i cili në rastin konkret bënte rrolin e ciceronit. Ai nisi të na tregonte mbi bukuritë e rralla të Malit të Zi si dhe për kulturën e tij.

Ciceroni na foli edhe për verën dhe ullirin, dy prodhimet karakteristike të Malit të Zi, për të cilën banorët e saj ndiheshin krenarë. Ndonëse koha nuk ishte mjaft e favorshme për ne, me shi, qytetet dhe fshatrat dukeshin mrekullisht bukur. Shtëpitë ishin karakteristike dhe ajo që të binte më shumë në sy, ishte fakti sesi ishte ruajtur e pa prekur sipërfaqja shtetërore, duke ruajtur të gjitha parametrat urbanistike. Gjithashtu nuk mungonin as godinat e vjetra, të cilat padyshim mbanin mbi vete historitë e tyre, të një shteti që sado i ri në Ballkan, kishte se çfarë t”i tregonte vizitorëve të tij. Po kështu të binte në sy mungesa e mbetjeve urbane, të cilat thuajse nuk ekzistonin në këtë qytet turistik.

Klima

Mali i Zi karakterizohet nga male e rrafshnalta të larta, lugina të thella lumore dhe nga gropa tektoniko-kartike e Liqenit të Shkodrës. Pjesa lindore dhe qendrore është më e larta, kurse bregdeti është i ngushtë dhe i ulët, dhe shtrihet prej grykës së Bokës së Kotorit e deri te lumi Buna në kufi me Shqipërinë.

Malet më të njohura të Malit të Zi janë Sinjajevina, Bjellasica, Durmitori, Komovi, Magnik, Llovqen e Rumia, kurse fushat e njohura janë: Fusha e Podgoricës dhe e Ulqinit, zgjerimet e luginave të lumenjve të Beranës, Bjellopole, Plevles, Nikshiqit.

Klima e Malit të Zi ndryshon varësisht nga relievi dhe afërsia e detit, prej asaj malore, kontinentale, e ndryshuar mesdhetare në fushën e Podgoricës dhe mesdhetare në bregdet.

Në Podgoricë temperatura mesatare e janarit është 5.0° C, e korrikut 25.9° C ndërsa ajo vjetore 15.3° C . Reshjet vjetore arrijnë 153 mm.

Në Ulqin temperatura mesatare e janarit është 6.4° C , e korrikut 24.2° C ndërsa ajo vjetore 15.6° C . Reshjet vjetore arrijnë 1081 mm.

Hidrografia

Në përbërje të tij, Mali i Zi i ka lumenj të shumtë ku mund të veçonim, lumin Limi, Tara, Piva, Zeta, Rijeka etj. Këta lumenj kanë rëndësi të madhe ekonomike për Malin e Zi. Ndërkaq, pjesë e Malit të Zi është edhe Liqeni i Shkodrës pasi ai i takon Malit të Zi dhe Shqipërisë. Ai është liqeni më i madh në Gadishullin Ballkanik dhe ka prejardhje tektoniko-karstike, kurse Liqeni i Plavës ka prejardhje glaciale-morenike..

Gjuha…

Eshtë një gjuhë Indo-Evropiane, e cila është e përafërt me serbishten dhe kroatishten e që kryesisht ka qenë në zhdukje e sipër. Me ardhjen e Malazeze / Cërnagorëve në trojet e Kosovës gjatë kohës së kolonizimit të Kosovës, ata flisnin një gjuhë të ndryshme nga kolonët serbë në pjesën lindore të Kosovës. Mirëpo me kalimin e kohës dhe urbanizimin dhe hapjen e shkollave në gjuha serbokroate gjatë regjimit komunist në Jugosllavi si dhe me zyrtarizmin e gjuhës serbokroatishte kjo gjuhë ishte po thuaj se e vdekur pasi që malazezët vijonin shkollat e hapura në gjuhën zyrtare dhe në objektet fetare predikohej në gjuhën serbe.

Historia e një vendi që nuk ekzistonte:

Për të parën herë, nga burimet historike, emri “Mali i Zi” u përmend në shekullin 13. Hapësira që quhej Mal i Zi, paraqiste vetëm një krahinë gjeografike. Ai territor përfshinte hapësirën mes liqenit të Shkodrës dhe Llovqenit, që ishte pjesë e territorit të Duklës dhe Zetës. Në gjysmën e dytë të shek. 15, në këtë hapësirë, zyrtarisht, u formua shteti i quajtur Mali i Zi. Mbas Luftës së 2-të Botërore u formua RFD e Jugosllavisë, në të cilën Mali i Zi ishte njëra nga gjashtë Republikat Federative. Në referendumin e 21 majit 2006, Mali i Zi u shpall shtet i pavarur dhe fitoi praninë ndërkombëtare. Sot, sipas kushtetutës në fuqi, është shtet parlamentar i qytetarëve. Në të jetojnë kombësi të ndryshme, por pjesën më të madhe e zënë malazezët dhe Shqiptarët. Nga këto, Ulqini është qyteti që ka popullsinë më të madhe të bonorëve, me gati 25 mijë shqiptarë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama