Biseda është regjistruar në ambientet e paraburgimit 313 dhe është përgjuar nga prokuroria në kuadër të hetimeve për shpërthimin e 15 marsit 2008. Dokumentet që tregojnë këtë bisedë janë dërguar në gjykatë, ndërsa prokuroria nuk deklaron të njëjtën gjë me dokumentet që i janë paraqitur grupit hetimor nga Policia e Shtetit. "Ç‘mund të them unë për Prokurorin e Përgjithshëm, i cili nuk vlerëson një material konfidencial i ardhur nga drejtori i përgjithshëm i policisë, i cili thotë se janë vendosur dy mina me sahat në Gërdec; një material i cili mund të qëndrojë dhe të mos qëndrojë, por që në fund është një material bazë, i cili duhet t‘i bëjë njerëzit të gjykojnë realisht për atë që nuk është interesi i Fatmir Mediut, por interesi i sigurisë së këtij vendi.
Pra dokumenti ekziston dhe këta njerëz i kanë të gjitha dokumentet, por nxjerrin vetëm gjysma të vërtetash, nxjerrin vetëm gjysma dokumentesh për të ndërtuar akuzën politike, prandaj them edhe një herë që qëndrimi i tyre është politik. Raporti im është personal për këtë çështje. Po flasim për moralin që kërkojnë zotërinjtë dhe morali që mund ta kërkojë kushdo në politikë, por askush nuk ka bërë veprim më të moralshëm se Fatmir Mediu. E para, kam dhënë dorëheqjen menjëherë pasi kam marrë të gjitha masat që të shmangeshin situatat qe ishin atje.
E dyta, kam lëshuar imunitetin dhe kam deklaruar që ditën e parë që nuk kam nevojë për imunitet dhe se çështja duhet t‘i shkojë drejtësisë", tha Mediu në prononcimin publik në televizionin privat disa orë pasi Kryeministri Berisha kishte nxjerrë emrat për anëtarë të qeverisë së re, midis të cilëve edhe atë vetë, duke e emëruar në postin e ministrit të Mjedisit. Prania e kreut të PR-së në qeveri është kundërshtuar nga një grup analistësh dhe gazetarësh, të mbështetur nga familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit, të cilët kërkojnë që Kryeministri të ngrijë propozimin për Mediun deri në fund të gjyqit për Gërdecin. Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, do të përballet me akuzat e ngritura nga prokuroria për tragjedinë, më 14 shtator të këtij viti, në Gjykatën e Lartë. Ai po gjykohet veçmas nga 29 të pandehurit e tjerë, pasi Gjykata e Lartë veçoi dosjen, megjithëse kishte kundërshtimin e prokurorisë.
Gazeta Shqip











