Bollano Kushti yne per Edi Ramen Himara e ndare nga Laberia

Bollano: Kushti yne per Edi Ramen, Himara e ndare nga Laberia

Ish-kryetari i Bashkise se Himares, Vasil Bollano zbardh kerkesen drejtuar Rames: Himara te bashkohet me Lukoven, ndersa Livadhja dhe Aliko te jene komuna me vete. “Bashkimi me Vranishtin nuk eshte funksional”

 

Zoti Bollano, çështja e Himarës është rikthyer në vëmendjen e publikut për shkak të ndarjes së re territoriale. Ju keni kërkuar variantin e 5-të, ku Himara qëndron bashkë me Lukovën si njësi më vete, por ministri Çuçi deklaroi se kësaj bashkie do t’i bashkohet edhe Vranishti. Si e vlerësoni këtë vendim të qeverisë dhe cilat do të jenë hapat e mëtejshëm të përfaqësuesve të minoritetit grek në Shqipëri?

Unë mendoj se gjithë kjo zhurmë rreth Himarës për ndarjen e re territoriale ka si qëllim shpërqendrimin e qytetarit nga problemet e rëndësishme të jetës së përditshme, për të cilat qeveria s’po jep dot zgjidhje. Njëkohësisht, përbri qëllimit të realizimit me sukses të procesit, situata e krijuar të lë dhe një përshtypje të rregullimit të hartës elektorale në favor të PS. Siç dihet, për një vit kemi zgjedhjet vendore. Ky mendoj është një shqetësim dhe i opozitës, e cila ka bojkotuar pjesëmarrjen në komisionin parlamentar. Është e drejtë e garantuar me ligj dhe e drejta jonë të shprehemi se cilin variant mbështesim. Ne mbështesim variantin e pestë të përmirësuar,  sepse pranojmë bashkimin e Bashkisë së Himarës me komunën e Lukovës. Përsa i përket bashkimit të komunave Livadhja, Finiq, Mesopotam, Aliko dhe Dhivër, propozimi ynë është ndarja në dy njësi, ku të kemi një njësi me bashkimin e komunave Livadhja, Dhivër dhe Xarë me qendër Livadhja dhe një njësi me bashkimin e komunave Aliko, Mesopotam dhe Finiq, me qendër Aliko. Nuk dua të komentoj mendime të ndryshme dhe në rastin konkret dhe mendimin e z.Çuçi. Ne do të këmbëngulim pa ekuivoke për zbatimin e ligjit të ndarjes territoriale, në vlerësim të konventës kuadër dhe të Paktit të Stabilitetit, për mbrojtjen e pakicave etnike, fetare e linguistike, kudo që ata banojnë.

Cilat janë arsyet që ju shtyjnë të besoni se një bashkëngjitje e Vranishtit me Himarën nuk është një vendim i mirë dhe funksional?

Mendimi ynë, në mbështetje dhe të ligjit por dhe në mbështetje të variantit të pestë për arsye se garanton vazhdimësi gjeografike, ka potenciale të njëjta zhvillimi. Për kujtesë, kjo njësi vendore edhe përpara vitit 1922 ka funksionuar përsëri e bashkuar dhe në kuadër të ndarjes së atëhershme u ndanë në dy njësi, pra përderisa kemi një rindarje me zvogëlimin e njësive vendore, atëherë në mënyrë kategorike ne pranojmë bashkimin me Lukovën. Ndërsa asnjë bashkim tjetër nuk është funksional për arsyet që sapo përmenda.

Ka një shqetësim të bërë publik nga kreu i SHISH, Visho Ajazi, se ndarja e re territoriale do të krijonte terren për lëvizje separatiste në Himarë. A ka ndonjë skenar të tillë, apo ndonjë të vërtetë në këtë drojë të autoriteteve shqiptare?

Fillimisht dua t’ju kujtoj se ky skenar nuk është bërë publik nga z. Ajazi, por nga mediat dhe prej mediave u servir si rrjedhje informacioni nga takimi me dyer të mbyllura ndërmjet komisionit parlamentar me z.Ajazi. Unë mendoj se ne po shkojmë drejt një shoqërie të hapur europiane pa kufi. Mediat kultivojnë skenarë të këtij soji për t’i shërbyer qëllimeve të caktuara. Nga ana tjetër, rregullimi i hartave elektorale u shërben dhe interesave ekonomike të zaptuesve të pronave, pra i shesim patriotizëm popullit dhe individë të caktuar majmen me vlera monetare marramendëse.        Ju keni paralajmëruar në media se zoti Dule do të paraqesë variantin e tij për konfigurimin e minoritetit grek në Shqipëri me ndarjen e re. A mund të na zbuloni diçka më shumë në këtë drejtim?

Po, është e vërtetë që si subjekt politik aktiv në shumë fusha të zhvillimit, edhe në këtë proces jemi përfshirë që në fillimin e tij. Kemi kryer disa takime dhe me grupet e interesit, pjesërisht iu referova në përgjigjen e parë, për disa propozime në materialin drejtuar Kryeministrit. Kemi bërë një rezyme më të gjerë në lidhje me procesin, për të cilin në parim jemi shprehur pozitivisht, por theksojmë se ky proces, që të jetë i qëndrueshëm, duhet të kënaqë të gjitha palët dhe kjo është detyrë e mazhorancës, sepse në qoftë se qëndrimi i opozitës do të jetë i njëjtë sikurse deri tani, atëherë do të kemi një proces të njëanshëm, pra të paqëndrueshëm. Sigurisht, z. Dule si deputet i PBDNJ-së dhe i organizatës “Omonia” patjetër ndjek zhvillimet në parlament, por njëkohësisht përcjell shqetësimet dhe mendimet tona.

Gjatë muajve të fundit ka pasur një sërë vizitash mes zyrtarëve më të lartë shqiptarë në Greqi dhe anasjelltas. Si e konsideroni sjelljen e qeverisë së re në marrëdhëniet greko-shqiptare?

Mendoj se takimet e shpeshta janë shprehje e marrëdhënieve, të cilat përmirësohen në mënyrë të vazhdueshme, por njëkohësisht Greqia ka dhe presidencën e radhës së BE. Vendi ynë pret miratimin pozitiv për anëtarësimin dhe qeveria greke mbështet Shqipërinë në këtë proces, kështu që është e nevojshme që takimet të jenë të shpeshta për arritjen e këtij objektivi të qeverisë shqiptare.

PBDNJ dhe OMONIA kanë shprehur pakënaqësi për faktin se qeveria “Rama” nuk ka asnjë përfaqësues të minoritetit grek. E megjithatë, aleanca me Partinë Socialiste vazhdon. Në vlerësimin tuaj, çfarë mund ta prishte apo cenonte këtë aleancë në vazhdim? 

Është i drejtë vlerësimi juaj, për herë të parë kemi një qeveri, e cila në formimin e saj s’ka një ministër nga minoriteti grek, dhe pozicionimi ynë në këtë pikë të bashkëpunimit ka qenë i qartë, kritik, por për PBDNJ dhe OMONIA, bashkëpunimi dhe aleanca nuk nënkupton vetëm disa poste qeveritare, por nënkupton diçka më të gjerë, si psh përmirësim në fushën e arsimit për minoritetet, përmirësimin e sigurisë, më tepër investime në fshatrat e komunitetit grek etj. Sikurse ju kemi vënë në dijeni, brenda 2014-ës do të kemi kongresin e radhës, ku do të bëhen analizat dhe bilanci i këtij bashkëpunimi, për të cilin mund të shprehem qartë dhe pa rezerva se vlen shumë për të dëshiruar dhe nuk e justifikon aspak qëndrimin më shumë se korrekt të PBDNJ-së ndaj tyre.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama