Bojaxhi Qendrimi i Rames shantazh i hapur autokratik

Bojaxhi: Qendrimi i Rames, shantazh i hapur autokratik

Opozita është revoltuar nga ato që i quan kërcënime të kryeministrit Edi Rama se nëse nuk votojnë kandidatët e mazhorancës, nuk do ketë bashkëpunim mes tyre.

Por ç’mendon kandidati i pavarur, Gjergj Bojaxhi?

Sipas tij, ky është një shantazh i hapur autokratik.

“Kryeministri Rama vazhdon të përsërisë deklaratën se, nëse fitojnë kandidatët e opozitës, nuk do të ketë bashkëpunim mes tyre dhe qeverisë.

Nënkuptimi është i qartë: nëse qytetarët nuk votojnë kandidatët e caktuar nga Zoti Rama dhe Zoti Meta atëherë Kryeministri Rama do t’i dënojë ata duke mos u dhënë komuniteteve të tyre fonde publike nga buxheti i qeverisë i cili financohet nga taksat e vetë qytetarëve.

Qëndrimi i Kryeministrit Rama është shantazh i hapur autokratik që shkel parimet e të drejtat themelore mbi të cilat ngrihen e funksionojnë shoqëritë e lira e demokratike. Me këtë qëndrim, ai synon të kufizojë dhe kushtëzojë të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur, me qëllim përqëndrimin në duart e tij edhe të pushtetit lokal.

Ne i kërkojmë Zotit Rama të heqë dorë nga këto shantazhe antidemokratike dhe të respektojë të drejtat dhe liritë e qytetarëve. Si të gjitha pushtetet, pushteti lokal duhet të burojë nga vullneti i popullit dhe jo nga vullneti i Kryeministrit,” shkruan Bojaxhi në FB.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama