Blihen “Oscar”-et

Blihen “Oscar”-ët
Fituesi më i madh, i shpërblyer me katër “Oscar”, filmi i dy vëllezërve Joel Cohen dhe Ethan Cohen, që u vlerësuan me çmimin “Oscar” për regjinë më të mirë me filmin, “No country for old men”, që mori lëvdata edhe si filmi më i mirë për vitin 2007, është blerë nga kinema “Millennium 2”.

Ndërsa në ditën e verës, më 14 mars, prodhimi më i suksesshëm britanik që ka siguruar 100 milionë dollarë në mbarë botën do të shfaqet premierë për publikun shqiptar.

Ai është filmi “Atonement”, që fitoi vetëm një statujë “Oscar” për muzikën të mirë, shpallur edhe si filmi më i mirë në “Bafta”, vlerësuar edhe me “Golden Globe” si filmi më i mirë.

“Atonement”, përveç arkëtimeve mjaft të mira, filmi ka siguruar edhe vlerësime mjaft të mira të kritikës, si dhe çmime e nominime në konkurrimet më dinjitoze të kinematografisë botërore. Kështu, ndonëse fitoi vetëm një statujë “Oscar”, atë për muzikën më të mirë origjinale të shkruar nga italiani Dario Marianelli, gjashtë nominimet e tjera për drejtimin artistik, kinematografinë, kostumografinë, skenarin, fotografinë dhe aktoren më të mirë joprotagoniste, nuk janë pak për këtë film. “Atonement” është shpallur filmi më i mirë në Bafta, si dhe ka marrë nominimet për filmin më të mirë anglez, regjisorin, skenarin, muzikën, kostumografinë, aktorët protagonistë dhe aktoren joprotagoniste, zërin, editimin, kinematografinë, grimin më të mirë.

Si filmi më i mirë i vitit është vlerësuar edhe me “Golden Globe” e bashkë me këtë vlerësim ka fituar edhe për muzikën më të mirë, ndërsa ka lënë pas pesë nominime të tjera për regjisorin, aktorët protagonistë dhe joprotagonistë.

“Atonement” është një përshtatje e bestsellerit me të njëjtin titull të shkrimtari Ian McEwan i cili pasi ka parë filmin është shprehur mjaft i kënaqur nga ekranizimi i librit të tij. Filmi është vepër e regjisorit Joe Wright dhe në rolet kryesore interpretojnë aktorët Keira Knightley, James McAvoy dhe Saiorse Ronan.

“No Country for old men” ndjek “Atonement” në Tiranë

Sikur të mos mjaftonte rivaliteti në shumë konkurrime dinjitoze të kinematografisë “No country for old men” e ndjek “Atonement” edhe në Tiranë, madje fill pas përfundimit të projeksioneve të këtij të fundit. Uesterni modern i vëllezërve Coen me interpretimin e aktorëve të njohur Javier Bardem, Tommy Lee Jones dhe Josh Brolin do të ketë premierën e tij shqiptare. Rival i fortë në “Golden Globe”, Bafta dhe “Oscar” arriti të lërë pas historinë angleze të dashurisë vetëm në statujat e arta, katër nga të cilat i rrëmbeu për kategoritë më kryesore në mbrëmjen e 24 shkurtit në Kodak Theatre. Përveç tyre “No Country for old men” numëron edhe 79 çmime të tjera në konkurrime dhe festivale prestigjioze si dhe 29 nominime. Filmi ka marrë bekimin unanim të kritikës, ashtu sikundër rivali i tij “Atonement” ka marrë bekimin po aq unanim të publikut. Ky rivalitet duket se do të vazhdojë edhe në kryeqytetin tonë, pasi filmat do të shfaqen njëri pas tjetrit në kinema “Millennium 2” në Tiranë. Megjithatë “No country for old men” ka një të përbashkët me “Atonement”, edhe ai është një përshtatje nga letërsia, konkretisht libri me të njëjtin titull i shkrimtarit Comas Mccarthy. Madje kanë edhe një të përbashkët tjetër, që të dy janë ndër dhjetë filmat më të mirë të vitit që i rekomandohen publikut në mbarë botën.

ILKA KAPEDANI : Gazeta Standard

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama