Bicaj Titullin e peste e fitoj ne Korce si i kuq

Bicaj: Titullin e pestë e fitoj në Korçë si i kuq

Mbrojtësi i të kuqve, Ditmar Bicaj, pas fitores me Tërbunin u shpreh se ekipi e vlerësoi kundërshtarin dhe tani suksesin do ta kërkojnë në derbi. Ka dalë katër herë kampion me Skënderbeun, por kësaj radhe dëshiron që në të njëjtin stadium të ngrejë trofeun si pjesë e Partizanit. bicaj"Tërbuni me 99% është i rënë, por pas fitores që mori në Korçë ndaj rivalit tonë ne e vlerësuam maksimalisht takimin. Dominuam që në minutat e para të ndeshjes dhe mendoj se rezultati 4-0 i përgjigjet edhe asaj që dhamë ne në fushën e lojës", tha Bicaj në fillim të prononcimit të tij për mediat pas fitores me Tërbunin.

Tani ju presin përballjet me ish-ekipet ku ju keni luajtur. Fillimisht ju pret Tirana. Si e shikoni derbin e radhës?

T'ju them të drejtën edhe ata janë koshientë se Partizani është më lart se Tirana. Derbi i ka brenda të tre rezultatet, por Partizani do të fitojë edhe kësaj radhe dhe të vazhdojmë rrugën e nisur që në muajin gusht për të fituar titullin kampion.

Si e shpjegoni faktin që korçarët po marrin sistematikisht penallti, ndërsa Partizani është paragjykuar në fillim për 11-metërshat?

Vërtet Partizani është paragjykuar, por ne nuk është se e shikojmë shumë Skënderbeun. Do të vijë edhe momenti që do të përballemi me ata. Ndeshjet do t'i marrim me radhë, në fillim derbin, pastaj Bylisin dhe shkojmë në Korçë, ku mendoj se do të jemi ne ata që do të fitojmë.

Keni fituar 4 tituj me Skënderbeun, besoni se të pestin mund ta fitoni me Partizanin këtë vit?

Është e vërtetë që me Skënderbeun kam fituar katër tituj dhe, me shpresën e Zotit, tek ai stadium që kam ngritur katër kupa, të ngre trofeun e radhës, por me një fanellë tjetër, atë të Partizanit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama