Biblioteka e nje albanologu ne BKSH

'Biblioteka e nje albanologu' ne BKSH

Ekspozita “Biblioteka e një albanologu” i kushtohet studiuesit të shquar gjerman Gustav Weigand për 155-vjetorin e tij të lindjes dhe gjestit të tij sa shkencor, aq edhe elegant të dhurimit më vitin 1930 të 81 titujve të koleksionit personal albano-balkanologjik, të Bibliotekës kombëtare të Shqipërisë. Përmes këtij përkujtimi BKSH shpall dhe vitin e 95-vjetorit të themelimit të saj, si vit i dhurimeve për pasurimin e fondeve albano-balkanologjike. Çelja e ekspozitës u shoqërua me një referim shkencor kushtuar kontributit gjuhësor të Weigand-it nga ballkanologu, Prof. Dr. Dhimitri Bello (Universiteti i Tiranës), e veçanërisht mbi veprën “Etnografi e Maqedonisë”, falë vlerave historike, etnografike e gjuhësore që ajo përfaqëson.

Gustav Weigand (1860-1930), kontribuues i shquar në studimet ballkanologjike, hartues atlasesh gjuhësore, hulumtues i marrëdhënieve mes gjuhëve e kulturave të popujve ballkanikë, vështruar në kontekstet e tyre historike e etno-folklorike, zuri një vend të rëndësishëm edhe në debatet shkencore mbi historinë e gjuhës shqipe, veçanërisht përmes 12 argumenteve të tij, mbi prejardhjen e saj prej trakishtes. Ky studim u publikua pak vite para se ai të ndahej nga jeta, më vitin 1927 në “Balkan Archiv”, u përkthye dhe botua po atë vit në revistën “Diturija” nga Aleksandër Xhuvani. Për gjuhën shqipe G. Weigand njihet edhe për Gramatikën e Gjuhës Shqipe, 1913 dhe Fjalor Shqip-Gjermanisht e Gjermanisht-Shqip, 1914.

Ndër veprat më të njohura veçojmë: Gjuha e vllehëve të Olimpit, 1888; Gramatikë e megleno- vllahishtes, 1891; Vllaho-meglenishtja 1892; Atlas gjuhësor i trevës dako-rumune (2 vëll), 1898, 1909; Arumunët (2 vëllime), 1894- 1895; Gramatika e gjuhës bullgare, 1907; Biblioteka bullgare (9 vëllime); Etnografia e Maqedonisë, 1923 etj.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama