Bezistani i Shkodres 2000

Bezistani i Shkodrës 2000

Burri flet në celular dhe nga përgjigjet e shkurtra dhe nga nguti i matur, tregon se nuk ka kohë. Natyrisht, të tjerët, në kryeqendrën e varfër të veriut, kanë kohë: katunarët, biçikletaxhinjtë dhe njerëzit. Njerëzit i stërhallen kotësisë.

Në Bezistanin e ri
“Aj, futuni në makinë”, na bën me shenjë burri me një shikim sërish të paqartë. Eshtë i veshur errët, karakteristikë dalluese e veriorëve. Vetëm pak minuta më vonë, pas prezantimit, ai është i qartë për të gjitha. “Ju ndihmoj vetë, -na thotë. Njoh bash njinin që do iu diftoj t’tana për Bezistanin”. Kur të premton një shkodran dhe një vlonjat duhet që të fusësh një koeficient për të hyrë në realitet. Por, Jaku, nuk është nga ai soj...Ka mbaruar një shkollë të lartë dhe vitet e fundit ka jetuar gjatë me familjen në Itali. Ka punuar në një uzinë. Asht i ramë, sipas vetes. Tepër i edukuar. Na udhëheq brenda dhe ndërsa ne bëjmë foto, në atë që do të quhet Bezistan dhe që shpejt do të hapë dyqanet për të gjithë, rrethohemi nga djem të rinj, që duhet të jenë njerëzit e Bezistanit. Të tjerë, myshterinj. Bezistani i ri, një ndërtim që ka imituar disi Bezistanin e dikurshëm, ka një hapësirë rreth 9000 metra katror dhe është bash në hyrje të Shkodrës, vendi ku ishte Pazari i vjetër i Shkodrës. Të paktën këtë më shpjegojnë burrat. “Po ti?-pyesim Jakun.
“Une...kam ble një dyqan”. I varfër! Dyqan?! Hajd ta zgjidhësh. Më mirë e lemë kështu, flasin mendimet tona kur përplasen me të tijat. Në shikim të parë, veç makinës një të madhe sysh, nuk më ka lënë kureshtje. Shtuar me heshtjen e tij, e rrallë për një shkodran, kemi besuar se duhet të jetë ndonjë nga ndërtuesit. Jemi bindur për këtë, kur na ka bërë rrugë në katin e dytë dhe duke na treguar të gjithë strukturën e Bezistanit. Aty do jetë një restorant i madh, tip McDonald; këtu do jetë një televizor i madh, këtu një bar, këtu do të jenë dyqane...Në mes, pronari ka menduar për një teleferik, na sqaron. Kjo do ta lidhë Bezistanin e ri me Kalanë e Rozafatit. Por, duhet një firmë, që si zakonisht mbetet. “Kush e ka në dorë?”-pyesim. Ngre supet. Shikon nga Rozafati, në një shpjegim ‘Made in Kafka’. Në fakt, këto hapësira të vogla, që shpejt do të kthehen në një nga vendet e atraksionit të Shkodrës, kanë marrë jetë. Ndryshe nga pisllëku që e rrethon, këtu ka shumë pastërti dhe për pak dyqanet kthehen në jetë. Por, matanë kësaj hapësire, është katran. Lagja e romëve dhe modifikimet ekzistencialiste, që kanë bërë të gjorët për mbijetesën, nuk lenë shteg për asnjë shpresë për ata që vizitojnë qytetin.
Teneqe, gurë, plehra, karroca, kashtë, ngushticë përbëjnë butaforinë natyrale të njërës nga vendet e vjetra më të banuara të Shkodrës...Njëkohësisht dhe një nga sikletet më të mëdha të qytetit, që tash ka filluar të marrë frymë. Por, magjypt janë të kënaqur. Sikur t’i lëviznin vërtetë do t’u prishnin punë. Kurse, njerëzit e Bezistanit flasin për punë. Në Shkodër prej dy vjetësh, pas ardhjes në fuqi të PD-së, flitet më shumë për punë. Ndërsa, varfëria është njësoj. Fuqia blerëse e rënë, e megjithatë janë optimistë!!! Të përhershëm. E ndiejnë veten më të qetë dhe gjithçka që ka lidhje me PD-në quhet e mirë, ndërsa e anasjellta e keqe. Asgjë që ka lidhje me PS-në nuk quhet e mirë, aq më keq trashëgimia e dikurshme, çfarëdo qoftë ajo. Por, këtu Jaku hesht. Nuk flet më shumë. Nuk i duhet më shumë. Ndjen se ka të tjerë që mund të flasin më shumë.

Pronari
Vërtet, ka ardhur ai. Ardhja e pronarit shoqërohet me interesin e të gjithëve. Të gjithë lëvizin, derisa ai vendos diku makinën. E shikojnë të gjithë në sy. Ai, vetë, e ka situatën në dorë. Pasi ndahet, sipas premtimit që i ka bërë Jakut, duhet të vijë të na flasë. Astrit Meshnuli, alias pronari i kësaj mega-gjëje vjen dhe të shikon ngultas. Eshtë nga ai soji i biznesmenëve që nuk beson shumë. Nuk ka asnjë interes me median. Në vend të kësaj, ka punuar. Ka një pallat afër qendrës, një tjetër që po mbaron..dhe, etj. Dhe do të bëjë shumë për Shkodrën. Nuk dua publicitet, më shpjegon. Ka kaluar një kalvar të madh me KKRT-ënë e madhe, por, pak para zgjedhjeve të vitit 2005, e ka marrë lejen. Sipas parashikimit ka mundur që të shesë pjesën më të madhe të dyqaneve dhe ka ëndërr të kthejë lavdinë e dikurshme të Bezistanit të Shkodrës. “A e beson vërtet e pyesim, apo thjesht na thua tash që po të kërkojmë diçka për Bezistanin”. “Po ndaj e kam ruajtur dhe fasadën. Kam këmbëngulur, që t’i ngjaj sa më shumë atij të vjetrit”- sqaron. Këtu ishte zemra e qytetit, por edhe shkëlqimi i vërtetë i shkodranëve. 38 vjeçari, Astrit Meshnuli, e di mirë këtë. “Kam shit me robt e mi tanë gjanat që kishim dhe fillova biznesin. Kam ec mirë- më sqaron- por, ëndërr kam pasur të ndërtoj Bezistanin, që të bëj diçka të vërtetë për Shkodrën dhe jo fjalë”. Bezistani i tij ka formën e një anijate të jashtëshkruar, me hapësirën në mes, ku është llogaritur vendi i teleferikut dhe me dyqanet e brendashkruara, që janë në lartësinë e dy kateve, që duhet t’i kapin katër-pesë bojë njeriu...

Kronikë e vjetër qytetëse
Pazari dhe Bezistani i tij ishte vendi ku pulsonte Shkodra e vërtetë. Shkodra, me gjithë vështirësitë ekonomike, mori përsipër më 1880 të mbante me shpenzimet e saj rreth 10.000 luftëtarë të ndodhur në mbrojtje të Hotit, Grudës. Ajo vuri në mbrojtje të Lidhjes së Prizrenit rreth 600.000 grosh si edhe disa dhjetëra kafshë, që u dërgonin çdo ditë 800 racione bukë misri...
...Nga viti 1860 sikurse edhe në disa qendra të tjera të vendit edhe në Shkodër u ngritën filialet e para të mëndafshit-rreth 20 copë-që nuk patën jetë të gjatë nga shkaku i konkurrencës së fuqishme të industrisë evropiane. Më 1862 (referencë e Hecquard) Shkodra prodhonte mbi 25.000 kg mëndafsh (?), kurse sasia e krimbit të mëndafshit të eksportuar arrinte deri në 44.000 kilogram..Ishte aq cilësor sa quhej “seta scutarina”...Më 1879 Shkodra eksportonte në Austri 22.680 fiorinta gajtanë mëndafshi ( sipas A.Strausz), ndërsa në tregjet e perandorisë 59,535 franga më 1885.

Si ishte Bezistani i vjetër
Bezistani, ose Kapalli Çarshia, ishte në Shkodër godina më e madhe e Pazarit, shkruante konsulli austriak Th.Ippen. “Më 1907 ishte Bezistani, tregu i mbyllur e i mbuluar i cili kishte përreth vetes zyrat dhe dyqanet e tregëtarëve të mëdhenj të pazarit”. Bezistani i famshëm, i Shkodrës u ndërtua gjatë viteve 1807-1808 nga veziri shqiptar Ibrahim pashë Bushatliu. Ky kishte rreth 64 dyqane dykatëshe të rreshtuar nga të dy anët e një rruge të gjerë, të mbyllura prej dy portave të mëdha ballore të pikturuara nga brenda me afreske të ndryshme si edhe prej dy të tjerave anësore, më të vogla. Bezistani qe ndërtuar në kryeqendrën e pazarit, përpara sheshit të nderuar më vonë me emrin e udhëheqësit të kryengritjes (1835) më të madhe qytetare shqiptare shekullit të XIX Hamzë agë Kazazit...Çdo qytet ishte i pajisur me një, ose disa sheshe të tilla të hapura që emërtoheshin sipas prodhimeve që ishin ndër to: tregu i drithërave, i leshit, i gjasë së gjallë, i orizëve, i plaçkave të vjetra, referuar Profesor Zija SHkodrës ...Kishte atë cilësi ky treg saqë më ekspozitën ndërkombëtare të duhaneve, të organizuar më 1863 në Stamboll, duhani i famshëm i Shkodrës ( mbase varieteti i Sheldisë) konkurronte me sukses në njërën prej 17 pavioneve të shteteve pjesëmarrëse. Po kështu deri vonë në Shkodër mbeten proverbiale shprehjet: “njala Struget, qefull dajlani”, ndërsa në tregjet e Triestes,Venedikut dhe të Ankonës “lana e seta scutarina” (leshi dhe mëndafshi i Shkodrës) si edhe “tabacco d’Albania” ishin mjaft të kërkuar..., shkruan i ndjeri Prof. Shkodra, njohësi më i mirë i zhvillimeve historike të tregut shqiptar.

Kthim
Ndërsa kemi humbur në përsiatje historike, Astriti na shkëputet sërish. Eshtë 38 vjeç dhe bajagi me shumë punë. Duket galant, por vazhdimisht e ndjek kujdesi si për ndonjë pabesi. Shikon me kujdes pas çdo pyetjeje. Kur e kupton që janë direkt, përgjigjet thjesht. Hapur. Por, e ka të ngjitur aparatin e celularit në vesh. Nuk e lënë. Kërkon sjellshëm leje. Kthehet. Është i kujdesshëm kur flet për Bezistanin. Mbase nuk di shumë për historikun e saj, por e ndjen fort vlerën e saj. Duhet të jetë puna e jetës së tij. Me këtë rast do ta përdorë dhe si pasaportë se çfarë mund të krijojë dhe çfarë mund të bëhet në qytetin e tij. “Do të jetë një Qendër Tregtarë moderne, por edhe një pikë tërheqëse për Shkodrën, për të treguar nivelin e lartë të qytetërimit të këtij vendi”, më shprehet. “I kam ruajtur emnin. Matanë te Ura e Vezëve jam duke menduar për një parkim të madh”. Në fakt, Ura e Vezëve, që e shikoj tutje xhamave më duket thjesht një konvencion. Tash ka mbetur vetëm pjesë e lartë e harkut dhe asgjë më shumë. Sipas legjendës në festën e madhe, katolikët thyenin vezët me njëri-tjetrin, bash te kjo urë. Por, sjelljet e Drinit e mbytën fushën dhe bashkë me aluvionet të gjithë zonën. Vetëm ura, falë harkadës së madhe, i mbijetoi shikimit. Kemi mbetur të vetëm me Jakun, ndërsa ai më shpjegon se ku ka qenë Shkodra e vjetër. Nuk i ndryshon aspak ajo pamje e zymtë. Por është i edukuar. Qytetar. “Katunar”, më qesh për herë të parë Jaku. Eshtë modest. Akoma nuk e di se ç’bën këtu veçse mendoj që është një nga njerëzit e Bezistanit.

Rrëfim për të vjetrën
Sipas gojëdhënave, pazari duhet të ketë zbritur nga Qafa për në fushë, shumë kohë para rënies së Shkodrës në duar të otomanëve. Këtë gjë e vërteton edhe Marin Barleci tek “Rrethimi i Shkodrës”. Pazari, para se të zbriste në fushë, gjendej në mes të lagjeve të vjetra Qafë, Tabakë, Ajasëm. Pas rënies së Shkodrës pra nga fundi i shekullit të XV fillon edhe shpërngulja e pjesshme e këtyre lagjeve për në periferinë e ulët.Në fillim pazari pati si hyrje Qafën, ku deri vonë kanë qenë gjurmët e haneve të vjetra, skeleti i xhamisë së “Hynqarit” dhe kisha e “Shën Kryqit”. Me shtrirjen e pazarit në fushën e Bunës, si hyrje ka qenë hyrja nga Rruga e Madhe. Por ka pasur dhe gjashtë hyrje të vogla, që ishin ajo e Perashit, Ndocajt, Urën e Bunës, Urën e Bahçallëkut , rrugën “Karahasaj” dhe atë të “Shahsivar Beut”. Pazari i vjetër gjendej në jug të qytetit, afërsisht rreth 1 kilometër larg qendrës në pjesën jugore dhe lindore të fushës së Bunës në mes të kështjellës së Rozafatit dhe lumit të Bunës. Fusha e këtij lumi në një pjesë ka qenë e zenë nga pazari.

Struktura e Bezistanit
Me forcimin e Drinit në vitin 1865 disa rryma të forta pengonin rrjedhën e Bunës duke shkaktuar ngritjen e ujërave të saj dhe shkaktuan ngritjen e ujërave në drejtim të Pazarit. Kështuqë u ngushtua sipërfaqja në të cilën shtrihej pazari...Pazari vuajti tri periudha ndryshimesh në këtë zonë: murtajën e dekadës së dytë të të shekullit të XIX; krijimin e Drinasit; dhe më 1940 ndërtimin e rrugës Molo-rrugë e Bahçallëkut. Pazari, pas këtyre ndryshimeve, kishte 52 sokake dhe pak sheshe të vogla. Të gjitha lidheshin me kalldrëm me zallin e Kirit, ndërsa trotuaret ishin me pllaka guri. Në mes ka qenë një ulluk, i cili kullonte ujërat. Rruga kryesore ishte sheshi i haneve, i cili vazhdonte deri te “Teqeja e Bagëtive”. Kjo ishte rruga më e gjatë me shumë zeje dhe dyqane. Në të majtë fillonte rruga “Karahasej” dhe ishin edhe dy hyrjet për lagjen Liria. Këtu ishin dogana e Kripës, cergaxhinjtë, samarxhinjtë, arkaxhinjtë, armëtarët, xhibalët, një numër bakajsh dhe mbyllej me sheqerxhinjtë. Në krahun tjetër kishte caruqexhinj, rrypaxhinj, furrtarët, bozaxhinjtë, tregtarët, samarxhinjtë. “Teqeja e bagëtive” ishte një nga sheshet e pazarit. Mes për mes kalonte rruga e Bahcallëkut, që puqej me rrugën kryesore të Pazarit. Sipas thënieve këtu ishin teqetë e bektashinjve. Kundruall teqesë ishte rruga e “Krypnave”. Këtu ishin dy rrugë paralele: kasapët me terzinjtë. Më pas vinin tre rrugë “Magazet”, “Medreses” dhe “Kuliukhanes”. Rruga e Krypnave ndante rrugën me sokakun e “Teqelinjve” (Pemëshitasve)...Pranë kishte një magazinë shumë moderne për kohën. Më poshtë ishte sokaku i “Elbnave” dhe pastaj dilej tek “Djathnat”. Krahu i djathtë i Elbnave nisej nga qoshja e “Llazanëve” dhe takohej me Drithnat”. Pranë ishte edhe shehi i Bulmetrave. Pas “Elbtave” vinte një bllok që mbyllej me sokakun e “Miellnave”. Sokaku i drithërave formonte një kënd të drejtë dhe kishte si mbështetje qoshen e “Gjylbegëve”. Njëra brinjë shkonte nga “Elbnat” dhe tjetra takohej me “Krajanëve”.. Atje ku kjo bashkohej me “Hamzaagën” ishte porta kryesore e Bezistanit. Në qoshen e “Gjylbegëve” fillonte dhe sokaku i “Tallagaxhinjve”, rruga më e ngushtë dhe majtas ishin terzinjtë.
Blloku më i madh i Pazarit, që kishte planimetri drejtkëndëshe kufizohej: në veri me sokakun e “Drithërave” dhe të “Krajanëve”, në perëndim me skelën në jug me “Ballin e Urës” dhe në lindje me Sokakun e “Tallagaxhinjve”...Këtu ishin sokaku i argjendarëve, i këpucarëve kombëtarë, zaganjorëve (regjsave), i oriznajave, i Linit, Hani i Ali Tiranës, kapiteneria e portit, Dogana...

Ndarje
Më në fund me Astritin ndahemi paq. Ka bërë një modelim alla-venedik për dhomën e tij me një grup kolltuqesh të një prej Luigjëve të hershëm, ndërsa mobiljet janë më imperiale. Ka një piano profesionale, më thotë për vajzën. Ka kopjen e një pikture të Shkodrës në vendin ku dikur ka qenë pazari. Dhe errësirë. Më në fund, çlirohet prej nesh. Më bën një reverancë për Zonjën Topalli dhe kryeministrin Berisha, që e kanë inkurajuar. Nuk jam politik, më thotë. Nuk jam fetar, por të dy i shërbejnë biznesit tim dhe të qytetit tim, ndaj edhe i respektoj. Janë edhe të parët e vendit tim.
Më lë me Jakun. “Ka blerë katër dyqane” më thotë në fund. Ky i fundit nuk i bën përshtypje. Por mua po. E kam parë ashtu si kokulur dhe të mirësjellë, por vetëm kaq. Jaku nuk më jep shpjegime. Por, teksa dalim, më tërheq që të shikoj pjesën e tij. Ka marrë një hapësirë bajagi të madhe. Ka bashkuar poshtë dyqanet dhe bashkë dhe një bar sipër. Më duket një Jak tjetër. Do t’i lidhë me një shkallë. “ Tash jena ba miq e shkuar mikut”, më kujtohen fjalët e Astritit për Jakun, që duhet t’i shërbej si mentor mbase. Po. Këtu do bëj kuzhinën. Këtu është thithshja e tymrave. Këtu do punojnë dy djemtë, më sqaron nga anash Jaku. “Më ka dek një djal. Bash lekët e tij janë këtu. Ka pësu aksident në Itali. Mora siguracion të mirë: 300.000 Euro. Me lekët e tij po i bëj tash. Do i vë emrin e djalit”. Kemi bërë sërish paqen tonë. E kam zgjidhur rebusin e tij. Ai ka ç’kyçur interesimin tim. “Nuk kam kohë. Po të kisha do ishim ulur”, më thotë. “Nxitoj”, i përgjigjem. Ndahemi kortezialisht. E vlerësoj përkushtimin e tij pa fjalë.
...
Iki, nga porta, që është në anën tjetër të Rrugës së Madhe. Bezistani i Shkodrës nga pas heshton. Jo më në pritje të rrapallitjeve të zhurmshme të zejtarëve, por fëshfërimës moderne të një Qendre Tregtare moderne. Në vend të kuajve dhe karrocave të ngarkimit tash më tutje Mercedesa, Volvo e gjithfarëlloj mjetesh. A po merr Shkodra jetë?! Iki. Kaloj rrugën dhe përfundoj në lagjen e romëve. Iki. Ka rënë vjeshta e vitit të 7-të pas ’00.

*Materialet janë konsultuar nga “Qyteti shqiptar gjatë Rilindjes”, Esnafet shqiptare; dhe Moumentet 5-6 (1973) të autorëve Prof. Zija Shkodra dhe Rexhep Dizdari

Ben Andoni  : Revista Mapo


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama