Bernd Fischer nga Mbreti Zog tek Enver Hoxha

Bernd Fischer, nga Mbreti Zog tek Enver Hoxha
Si studiues i historisë së Ballkanit dhe në veçanti asaj të Shqipërisë, historiani Bernd J. Fischer thotë se pavarësia e Kosovës do të ndryshojë historinë e rajonit. Ai thotë se është momenti që historianët ta trajtojnë historinë si një lëmë për të zbuluar ca të vërteta mbi të kaluarën dhe jo për ta përdorur atë për qëllime politike. Fischer ishte dje në Tiranë për të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare mbi zhvillimin e rajonit të Ballkanit. Është autor i librave “Mbreti Zog dhe lufta për stabilitet në Shqipëri” dhe “Shqipëria në Luftën 1939-1945”. Së shpejti do të vijë në shqip dhe “Burrat e fortë të Ballkanit”.
 

Në konferencën e sotme mbi zhvillimet në rajonin e Ballkanit, u diskutua dhe çështja e Kosovës, nga këndvështrimi juaj si historian, është shpallja e pavarësisë një kthesë në historinë e Ballkanit?

Them se po. Pavarësia e Kosovës ishte një pikë kritike për Ballkanin, por edhe në përgjithësi, pasi situata në Kosovë e ka mbajtur peng gjithë rajonin për 10 vjet. Them se ky moment është i rëndësishëm për sigurinë dhe atmosferën e rajonit. Një situatë e paqartë në Kosovë krijoi një situatë të paqartë edhe për Ballkanin. Me pavarësinë e Kosovës, i gjithë rajoni do të futet në korsi më të qarta zhvillimi, por edhe në bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e ndërsjelltë. Shpresoj që shumë prej problemeve që kemi parë në 10 vitet e fundit, të fillojnë tani të shlyhen përmes një situate të stabilizuar politike dhe thithjen e investimeve.

Ç’ju ka shtyrë të ktheni sytë nga historia e Ballkanit dhe më konkretisht nga ajo e Shqipërisë?

Gjatë studimit tim në universitetin e Kalifornisë kam pasur një profesor të vjetër serb. Nën influencën e tij ktheva vëmendjen time në vitet 1930. Kjo është një periudhë interesante si në Evropë, ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikë, por unë zbulova se edhe Shqipëria ka pasur një rol të madh në të. Kështu që nën ndikimin e profesorit tim, përmes studimeve dhe mbledhjes së materialeve nisa edhe librat mbi Mbretin Zog dhe vitet 1939 -1945.

Çfarë keni gjetur interesante në periudhën e Mbretit Zog?

Shumë gjëra. Janë marrëdhëniet që Shqipëria kishte me vendet e tjera të Evropës, por mbi të gjitha influenca e Italisë dhe përshpejtimi që Shqipëria i bëri disa proceseve që ndodhën në Evropë në vitet ’30. Për të vazhduar me Luftën e Dytë Botërore e cila nisi në Shqipëri me pushtimin e Italisë. Është shumë interesante të studiosh liderët e Ballkanit gjatë kësaj periudhe. Sapo kam përfunduar një libër, mbi lidhjet mes lidërve të Ballkanit në vitet ‘30 dhe Mbreti Zog paraqet një figurë interesante mbi gjithë të tjerët.

Për disa periudha historike, kemi studime vetëm nga ana e historianëve të huaj (rasti i peridhës së Mbretit Zog),mendoni se është momenti që historinë ta shkruajnë shqiptarët?

Them se tanimë situata politike dhe ekonomike në Shqipëri është stabilizuar dhe vëmendja e historianëve do të drejtohet drejt historisë kombëtare. Në vitet që vijnë pres pa dyshim ndryshime në këtë drejtim. Vëmendja do të kthehet pas për të gjetur më shumë detaje rreth së kaluarës. Shpresoj që historianët e rinj të mbështeten në librin tim e të shkruajnë diçka më të thellë edhe rreth periudhës së Zogut.

Momentalisht në Shqipëri diskutohet rishikimi i historisë, çfarë duhet të kenë parasysh historianët në këtë proces?

Që të bësh histori së pari duhet të fokusohesh tek koncepti i objektivitetit. Ta bësh historinë të rëndësishme në vetvete dhe jo për ta përdorur për qëllime politike. Fatkeqësisht faktet historike janë shoqëruar me interpretime të ndryshme dhe janë përdorur për qëllime të tjera dhe jo thjesht për të zbuluar se çfarë ka ndodhur në të vërtetë në të kaluarën. Ky nuk është një problem vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Ballkanin e më gjerë. Them se është e domosdoshme që historiani të jetë objektiv. E di që nuk mund të jetë 100% e mundshme, pasi natyra njerëzore është e tillë, por të përpiqet të jetë sa më pak subjektiv e t’i afrohet temës përmes një këndvështrimi që synon të zbulojë se cili është impakti i kësaj teme mbi zhvillimin e vendit dhe se çfarë kjo periudhë historike mund të ofrojë nga këndvështrimi politik.

Ç’po shkruani ndërkohë?

Sapo kam mbaruar librin mbi liderët e Ballkanit prej 1930 deri tek Milloshevici, “Burrat e fortë të Ballkanit” dhe në 6 muajt e ardhshëm mendoj ta përkthej atë edhe në shqip. Kam gjithashtu projekte të tjera për një libër për Ballkanin dhe një tentativë për të realizuar një biografi për Enver Hoxhën, por do të jetë gati pas një periudhe të gjatë.

Ekspeditë në kalanë e Tetovës

Një ekspeditë prej 50 arkeologësh dhe historianësh nga Maqedonia, Kosova dhe nga Shqipëria nisën dje punimet arkeologjike në kalanë e Tetovës. Drejtori i Mbrojtjes së Trashëgimnisë Kulturore të Maqedonisë, Pasko Kuzman, tha gazetën “Shekulli” se punimet drejtohen nga Luljeta Abazi nga muzeu i Tetovës dhe Qemal Luci nga Prishtina, ndërsa priten edhe specialistë nga Shqipëria. Sipas drejtorit Kuzman në kalanë e Tetovës sipas një programi të detajuar do të punohet në tre seksione dhe në muajt maj- qershor do të kalohet në restaurime. Punimet do të zgjatin dy deri në tre vjet, me perspektivë deri në dhjetë vjet. Për këto punime në kalanë e Tetovës qeveria e Maqedonisë nga buxheti i shtetit ka akorduar 40 milionë dinarë. Kalaja e Tetovës shtrihet mbi qytetin e Tetovës tek vendi i quajtur Baltepes. Kjo kala është e ndërtuar në vitin 1820 nga Abdurraman Pasha. Për vlerat unikale që ka është krejt e veçantë por më interesante janë 5 sarajet që ndodhen atje, kuzhina e madhe orientale, banjat, pusi si dhe tre tunele brenda kalasë. Është e para herë që në gërmimet arkeologjike thirren arkeologë nga Shqipëria dhe Kosova, pasi në kalanë e Shkupit dhe në atë të Ohrit megjithë protestat e Lëvizjes qytetare “Zgjohu”, kjo nuk u realizua. Kërkimet në kalanë e Shkupit dhe në të Ohrit u kryen vetëm nga specialistë maqedonas, duke ngjallur pakënaqësi tek arkeologët shqiptarë, jo vetëm për mospjesëmarrjen e tyre, por edhe për mënyrën e të punuarit. Gjatë gërmimeve u përdorën buldozerë, që mendohet të kenë shkatërruar vlera unikale që gjenden atje.
 
Alma Mile : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama