Berlin Merkel pret Berishen

Berlin, Merkel pret Berishën
Kryeministri Sali Berisha u takua dje me kancelaren gjermane Angela Merkel, në një vizitë dyditore të kreut të qeverisë shqiptare në Berlin. Sipas njoftimit për shtyp të Këshillit të Ministrave, “Kancelarja Merkel u shpreh se për të luftuar korrupsionin duhet një kurajë shumë e madhe, kurajë të cilën lidershipi i qeverisë shqiptare, Kryeministri Berisha, e ka pasur dhe po e tregon me vendosmëri të madhe”.

Gjithashtu Kancerlarja theksoi se i gjithë rajoni dhe Evropa i janë mirënjohës Shqipërisë për progresin që ka arritur në luftën kundër korrupsionit, pasi problemi i korrupsionit është një problem më i gjerë sesa vetë Shqipëria. Merkel u shpreh se Gjermania dhe vendet e Evropës nuk kanë më asnjë dyshim për rezultatet e rëndësishme që ka arritur qeveria shqiptare në luftën kundër korrupsionit, krimit, zhvillimit ekonomik dhe reformave të tjera të rëndësishme. “Kancelarja Merkel u interesua të dinte më tepër për problemet e korrupsionit që ende ekzistojnë në sistemin e drejtësisë dhe sistemin shëndetësor, duke shprehur në të njëjtën kohë përkrahjen e qeverisë gjermane në reformat e rëndësishme për të luftuar korrupsionin në këto dy sektorë jetikë si dhe gatishmërinë e Gjermanisë për të dhënë mbështetje në këto reforma”, thuhet më tej në njoftimin e Këshillit të Ministrave.

Nga ana tjetër, Kryeministri Berisha premtoi luftë pa kompromis kundër korrupsionit, teksa mori premtimin e homologes së tij për ratifikimin e MSA-së me BE-në brenda vitit 2008 si dhe miratimin në një kohë të shpejtë të protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. “Kancelarja Merkel e siguroi Kryeministrin për angazhimin e qeverisë gjermane për të ndihmuar Shqipërinë në shumë fusha të rëndësishme, veçanërisht fushën e ndërtimit të infrastrukturave të rëndësishme si projekte, ai në fushën e transmetimit të energjisë elektrike, në fushën e ujësjellësve, kanalizimeve etj.

Gjithashtu ajo i premtoi Kryeministrit Berisha se Gjermania do të ndihmojë Shqipërinë në fushën e arsimit profesional”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp. Hera e parafundit kur një kryeministër shqiptar vizitoi zyrtarisht Republikën Federale Gjermane, ka qenë në nëntor të vitit 2004. Kryeministri i atëhershëm socialist Fatos Nano dhe kancelari i asaj kohe Gerhard Shrëder, ishin të pranishëm në nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e aeroportit të Tiranës nga koncerni nga Eseni “Hochtief”.

Berisha: Përkrahje për liberalizimin e vizave

Pjesë e takimit mes Kryeministrit Berisha dhe kancelares gjermane ishte edhe çështja e vizave. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Këshillit të Ministrave: “Kryeministri i kërkoi përkrahjen dhe mbështetjen për liberalizimin e vizave dhe qarkullimin e lirë të shqiptarëve në vendet e Bashkimit Evropian, e cila do të jetë një ndihmë e madhe dhe një hap shumë i rëndësishëm për të afruar shqiptarët me qytetarët e BE-së”. Duke e garantuar Kancelaren se qeveria shqiptare po ndërmerr të gjitha masat dhe po ndërton të gjitha infrastrukturat e nevojshme, duke përmbushur të gjitha standardet për emigracionin, kufijve për të bërë të mundur standardet e vëna nga Bashkimin Evropian për lehtësimin e regjimit të vizave.

Të njëjtën kërkesë kreu i qeverisë Berisha i kërkoi ministrit të Jashtëm, Steinmeier, mbështetjen e Gjermanisë për liberalizmin e vizave dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në hapësirat evropiane, duke i siguruar se qeveria shqiptare po ndërmerr të gjitha masat për të plotësuar kriteret dhe standardet e kërkuara nga BEja, për sa i përket infrastrukturës së nevojshme si dhe është e gatshme të nënshkruajë çdo marrëveshje me vendet e BE-së, për të garantuar lëvizjen sa më të shpejtë të qytetarëve shqiptarë, pa viza, në hapësirat e BE-së.


Panorama

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama