Berisha nuk duhet te shkoje ne Pekin

Berisha nuk duhet të shkojë në Pekin
Organizata juaj i ka kërkuar Kryeministrit Berisha që të mos marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike. Ndërkohë që një debat global për pjesëmarrjen e liderëve politikë në këtë ceremoni ka përshirë mediat botërore deri tani dhe së fundi edhe Shqipërinë. Sipas jush, pse nuk duhet të shkojë Kryeministri ynë në Kinë?

Sapo mora vesh që Kryeministri ynë do të shkonte në ceremoninë e hapjes në Lojërat Olimpike, mendova se ishte koha që t‘i komunikonim atij shqetësimin, sepse nuk është parim dhe princip, jo vetëm për Berishën, por për të gjithë udhëheqësit e shtetit që t‘i japin një farë kredibiliteti komunistëve kinezë. Ne nuk kemi asgjë kundër Lojërave Olimpike, nuk jemi kundër tyre dhe për bojkotim, por ceremonia e hapjes është një gjë që liderët komunistë do të mburren me mbështetjen që udhëheqësit e shteteve të tjera i japin, kur dihet në fakt që qëllimi i Lojërave ishte përmirësimi i të drejtave të njeriut, që nuk u arrit dhe solli më shumë shtypje dhe censurë. Gazetarët e botës që do të shkojnë atje do të jenë akoma më shumë të censuruar dhe kuptim ka që bota e qytetëruar të bëjë një kompromis me parimet e fjalës së lirë.

Pas letrës që keni dërguar në Kryeministri, që shefi i qeverisë të mos marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike dhe që si duket ka rënë në vesh të shurdhër, çfarë qëndrimi do të mbajë organizata juaj?

Në radhë të parë, ne kemi bërë këtë letër dhe më vonë do të kërkojmë një takim me zonjën Berisha, pasi ky persekutim nga ana e Kinës është i bazuar në një gënjeshtër. Ne mendojmë se çdo qeveri ka një rol edhe pas lojërave politike. Një nga mënyrat se si ky persekutim mund të ndalohet do të ishte kur zyrtarët e lartë të vendeve të ndryshme të botës të bënin presion mbi Kinën.

A nuk është vonë për këtë kërkesë, pasi Berisha dhe stafi i tij nisen sot drejt Pekinit?

Do të kisha dashur ta bëja këtë kërkesë më përpara. Zgjedhja është e tij, por ai duhet ta pyesë veten nëse ia vlen apo jo. Kur udhëheqës si ai Kanadasë, Britanisë së Madhe, Polonisë me qëllim vendosën të mos marrin pjesë në këto lojëra, duke e përdorur si mësim ndaj udhëheqësve kinezë për t‘i treguar atyre se nuk janë të shurdhër dhe nuk janë qorra për të drejtat e popullit kinez.

Në Kinë kanë vendosur të mos shkojnë shumë liderë të fuqishëm botërorë. Pse mendoni se Berisha nuk iu bashkua atyre?

Mbase po të kishte vënë në punë arsyen se pse këta liderë nuk do të marrin pjesë, ai ndoshta mund të kishte reflektuar dhe pastaj do të kishte pasur arsyet e tij, nëse do të vendoste të shkonte ose jo. Fatkeqësisht, Presidenti i SHBA-së po shkon në Kinë dhe shumë udhëheqës mund të marrin pjesë në Olimpiadë, vetëm për inerci sepse këtë e bën një nga udhëheqësit e vendeve më të fuqishme në botë. Edhe Presidenti i Francës mbajti këtë qëndrim më përpara, pastaj e ndryshoi atë dhe pati shumë kritika nga grupet e shoqërisë civile, si në Francë ashtu edhe në rangjet botërore. Në një farë mënyre, kjo është historia që do të shkruhet. E njëjta gjë ndodhi pas lojërave në vitin 1936, të Hitlerit. Do të kisha shumë dëshirë që zoti Berisha, i cili përfaqëson popullin shqiptar në Kinë, të kishte hyrë në librin e atyre udhëheqësve në parim që vendosën dinjitetin njerëzor mbi retorikën. Por mesa duket, kjo nuk do të ndodhë, mbase do të ketë hapësira të tjera që ai ta vërë në vend këtë gjë.

A mund të themi se një Kryeministër demokrat, i cili merr pjesë në një eveniment që bëhet në një vend komunist, përkrah komunizmin?

Edhe Xhorxh Bush do të jetë aty, kështu që nuk e përdorim dot për politikat e brendshme këtë. Për mua ka shumë rëndësi fakti që do vijë koha dhe do të shkruhen të gjitha në histori. Nesër të gjithë udhëheqësit do të thonë, ah sikur ta dinim.

Cilat janë lidhjet tuaja me organizatat e të drejtave të njeriut, pasi mjaft prej tyre, i kanë kërkuar liderëve të vendeve të tyre që të bojkotojnë pjesëmarrjen në Kinë, në mbrojtje të të drejtave të njeriut?

Kemi bashkëpunime në shkëmbime informacioni me organizata ndërkombëtare si "Human Rights Watch" e "Freedom House". Në korrik isha në Uashington Dc, kur i dorëzuam në mënyrë simbolike një kongresmeni që është në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, një peticion për mospjesëmarrjen e liderëve politikë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike në Kinë. Ky peticion do t‘i dorëzohej parlamenteve, qeverive, për të mos shkuar në Kinë. Pra jemi në bashkëpunim të ngushtë dhe të përhershëm me mbledhjen e Gjenevës, për të drejtat e njeriut dhe ka shumë raportues për torturën, lirinë e fjalës dhe bashkëpunimet janë të vlefshme.

Pas hapjes, Kina do të tregojë mburrje, se vendet e tjera të botës i përkrahin.

Pra, me këtë që po thoni, Shqipëria duhet të rishikojë marrëdhëniet diplomatike me Kinën, për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut?

Kjo është pika e nivelit të lartë. Jam e bindur se po të shikosh historinë botërore ka pasur standarde të dyfishta. P.sh. Kuba është zhvilluar, janë prerë marrëdhëniet për të njëjtat arsye, por çuditërisht me Kinën u përdor një standard tjetër. Dhe mendimi im personal është se kjo u bë për të mbuluar interesat ekonomike të korporatave të vendeve të tyre nga ana e liderëve botërorë. U mendua që me zhvillimin e Kinës do të kishte respektim për të drejtat e njeriut, por kjo nuk ndodhi.

Duke ditur historinë e komunizmit në Shqipëri dhe çfarë sjell ai dhe si i shkatërron jetët njerëzore, të paktën për detyrim moral politikanët duhet ta përdorin atë pak dialog që kanë me Kinën.

Si organizatë që, përveçse keni lidhje me "Freedom House" dhe "Human Rights Watch" për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ju synoni përmirësimin e shëndetit mendor dhe fizik nëpërmjet ushtrimeve që kanë origjinë kineze. A do t‘i garantonit Kryeministrit shërbimet tuaja për të qenë më fleksibël për zgjidhjen e çështjeve problematike të vendit?

Mendoj se është mënyra më e mirë për fuqizimin e mendjes, që vetëm ata që bëjnë meditim mund ta kuptojnë. Pse jo, jemi gati për t‘i ofruar Kryeministrit shërbime të tilla, edhe pasi të kthehet nga Kina, madje jo vetëm atij, por edhe stafit të Kryeministrisë kur të jenë në stresin e punës.

Historia

"Falun Gong", të persekutuar në Kinë

Në fund të viteve 1990, në Kinë, "Falun Dafa" ishte bërë jashtëzakonisht popullore, me 100 milionë njerëz që e praktikonin. Pavarësisht nga natyra e saj, Presidenti kinez e shikoi popullaritetin e "Falun Dafas" si kërcënim ndaj pushtetit të tij. Ai e shpalli atë të paligjshme në korrik të vitit 1999 dhe filloi një fushatë persekutimi kundër të gjithë atyre që e praktikonin, çka cenon rëndë të drejtat e njeriut. Që nga ajo kohë, dhjetëra mijëra vetë janë burgosur ilegalisht, torturuar dhe dërguar në kampe pune të detyruar. Mbi 1600 persona kanë vdekur në duart e policëve kinezë dhe këto krime janë të dokumentuara nga Kombet e Bashkuara dhe "Amnesty International".

Letra drejtuar Berishës

Z. Sali Berisha

Kryeministër i RPSH

Bulevardi "Dëshmorët e Kombit"

Nr. 1, 1000, Tiranë, 29 korrik 2008

Subjekti: Pjesëmarrja juaj në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike në Pekin

Z. Kryeministër: Edhe 10 ditë mbeten nga fillimi i Lojërave Olimpike dhe shumë grupe organizatash civile i bëjnë thirrje udhëheqësve të botës të mos marrin pjesë në ceremoninë e hapjes si shenjë mosaprovimi ndaj shtypjes së të drejtave të njeriut në Kinë. Duke marrë shkas nga kjo, ju bëjmë thirrje juve z. Kryeministër të mos merrni pjesë në këtë shfaqje solidariteti me komunistët kinezë. Kjo nuk duhet të merret si thirrje ndaj asnjë kombi, atleti apo sponsori të bojkotojnë garat sportive. Por udhëheqësit botërorë nuk duhet t‘u japin komunistëve kinezë prestigjin dhe njohjen ndërkombëtare që do të nënkuptohej nga prania e tyre në ceremoninë e hapjes. Do të ishte hipokrizi për Kartën Olimpike që të deklaronte se inkurajon "vendosjen e një shoqërie paqësore që shqetësohet për ruajtjen e dinjitetit njerëzor" kur lojërat do të zhvillohen në vendin e abuzuesve më të mëdhenj në botë të shkeljes së tyre. Ata që vënë dinjitetin njerëzor mbi show-un dhe nuk bëjnë kompromise me parimet e tyre do ta përdornin këtë aktivitet si mësim. Kur disa politikanë thonë se do të marrin pjesë që kinezët të mos humbin fytyrë thjesht bëjnë koncesione me parimet e tyre. Për fat të mirë ka akoma politikanë dhe liderë që principet nuk i kanë vetëm për retorikë. Kështu Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ishte i pari që u tërhoq nga ceremonia politike e Pekinit. Jo rastësi kjo nga një lider i një vendi ish-komunist. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, iu bashkua atij, si dhe shumë të tjerë ku mund të përmendim: Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, Presidentin e Parlamentit Evropian, Hans-Gert Poettering, Kryeministrin e Kanadasë, Stephen Harper, Kryeministren e Zelandës së Re, Henen Clark, dhe Kryeministrin e Britanisë së Madhe, Gordon Brown. Na përfaqëso denjësisht duke iu treguar komunistëve kinezë se shqiptarët nuk i shesin parimet.

Me respekt, Erkanda Bujari

Niset sot drejt Pekinit delegacioni qeveritar për të ndjekur nga afër Lojërat Olimpike

Berisha ndjek nga afër Lojërat Olimpike

Kryeministri Sali Berisha niset sot në mesditë drejt Pekinit për të ndjekur nga afër ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike. Delegacioni qeveritar që niset sot drejt Pekinit në orën 12:00 do të kryesohet nga Kryeministri Berisha, bashkëshortja e tij, Liri Berisha, zëdhënësja Juela Meçani, shefi i protokollit dhe ministri i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango. Këtë herë në Kinë pritet të ketë më shumë udhëheqës botërorë se sa në Lojërat e fundit Olimpike në Athinë. Delegacioni shqiptar për Lojërat Olimpike Verore në Pekin, Kinë, do të jetë më i madhi që ka dërguar ndonjëherë Shqipëria. Do të dërgohen 27 njerëz nga të cilët 11 janë sportistë, 9 trajnerë dhe 7 administratorë zyrtarë. Shqipëria do të konkurrojë në not, vrapim, peshëngritje, mundje, qitje dhe xhudo. Delegacioni shqiptar është nisur drejt Pekinit më datën 27 korrik, ndërsa në ceremoninë e hapjes do të marrë pjesë Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Sportit, Ylli Pango. Kryeministri Berisha në këtë mënyrë frenon turin e tij nëpër Shqipëri, për të ndjekur nga afër ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike. Qeveria kineze ka ndarë nga buxheti i saj 40 miliardë dollarë për realizimin e projekteve të tilla si Qendra Kombëtare e Pishinave. Disa prej fondeve do të përdoren për përmirësimin e aeroportit të Pekinit dhe të transportit në përgjithësi. Një nga sfidat më të mëdha të qeverisë së Pekinit është realizimi i objektivit për uljen e ndotjes së ajrit, pasi Pekini konsiderohet një prej qyteteve më të ndotura të botës. Në Pekin është përuruar edhe qendra kryesore e shtypit, ku do të priten 20 mijë gazetarë vendas dhe të huaj. Por reporterët do ta kenë të vështirë të punojnë lirshëm si në vendet e tjera mikpritëse të olimpiadave. Të drejtat televizive dhe "stand up" nga sheshi "Tienanmen" do të realizohen me leje të posaçme nga qeveria kineze.


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama