Buxheti
Kryeministri në fjalën e tij e cilësoi si më historikun dhe i premtimeve të mbajtura. “Buxheti 2009 nuk matet me ato të qeverisjes socialiste, është njësoj sikur të matesh humtirën. Ky buxhet nuk zbret nga qielli, është rezultat i bumit ekonomik të Shqipërisë në këto vite, i luftës eficente kundër korrupsionit, i qeverisjes me duar të pastra, i revolucionit fiskal dhe disiplinës fiskale”, deklaroi Berisha. Sipas tij, “ky buxhet është me fytyrën më njerëzore në historinë e vendit, sepse dyfishon rrogat e ulëta. Me këtë rritje rrogat e ulëta bëhen më të mëdha se sa në Rumani, Bullgari, Serbi, Maqedoni, Rusi, Moldavi dhe bëhen pothuajse të njëjta me ato Letonisë dhe Lituanisë”. “Ky buxhet prej 413 miliardë lekë do të ndikojë për mirë në familjet shqiptare. Ky është buxheti i lehtësirave, halleve dhe problemeve të qytetarëve, që do rrisë ndjeshëm të ardhurat e buxhetit familjar, pagat dhe pensionet. Rriten me 68% rrogat e mesme, pakësohen në 11 herë diferenca ndërmjet pagave. Buxheti 2009 ndryshon për mirë jetën e 800 mijë familjeve shqiptare”, deklaroi Berisha. Sipas Kryeministrit, investimet do të drejtohen në arsim, shëndetësi dhe në infrastrukturë. Ndërsa ka bërë të ditur se 10 për qind e fondeve që krijohen nga privatizimet do të shkojnë për kompensimin financiar të ish-pronarëve.
Bregu: Buxhet i konsolidimit të ndryshimit
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu tha dje në parlament se buxheti i vitit të ardhshëm është buxheti i vazhdimësisë së ndryshimit. “Ky nuk është buxheti i daljes nga kriza, ky është buxheti i vazhdimësisë së ndryshimit, me ndryshimin më të madh dhe më të prekshëm. Ministria e Integrimit ka një buxhet i cili i mjafton për të përballuar sfidat të cilat janë sfida të ndryshueshme nga viti në vit. Në buxhetin e vitit ‘09 ka një buxhet në rritje nga viti ‘08 prej 6.2%”, tha Bregu. Sipas saj, “unë besoj që qarja, fshehja, sharja pas teorive të vjetra dhe retorikave të politikës së re nuk realizon dhe as ndihmon për axhendën e integrimit të Shqipërisë në BE. Ndryshimi është premtimi ynë dhe ndryshimi konsolidon edhe ky buxhet. Unë do t’u ftoja ta votonit por po nuk e votuat, për ne nuk përbën ndonjë ndryshim të madh”.
Braçe: Qeveria nuk ka mbajtur premtimet
Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, e konsideroi të pashpresë për shqiptarët buxhetin e 2009-ës dhe u shpreh se Qeveria e Berishës nuk i ka mbajtur premtimet për rritjen ekonomike, se në vend varfëria është rritur. Duke shprehur uljen ekonomike në vend, Braçe tha se dëmi ekonomik si pasojë e saj shkon në 529 milionë dollarë. Nënkryetari i grupit socialist u ndal edhe tek investimet në arsim dhe shëndetësi, ku sipas tij, “qeveria edhe këtu ka dështuar, dhe për këtë arsye sistemi arsimor dhe shëndetësor ndodhen në një gjendje kritike”. Përsa i përket investimeve në rrugë, Braçe u shpreh se nuk janë mbajtur premtimet e dhëna në fillim të këtij mandati për ndërtimin e 4000 km rrugë rurale. Ai tha se nuk është mbajtur premtimi as për uljen e taksave dhe korridoret rrugore si ai Lushnjë-Vlorë janë me dy vjet vonesë”, etj.
Ruli: Buxheti nuk injoron krizën ekonomike botërore
Sipas Ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, buxheti i vitit të ardhshëm nuk injoron në asnjë moment krizën ekonomike që ka kapur disa vende të botës. “Buxheti ‘09 nuk e injoron krizën, me projeksionet e tij në rritje, si për të ardhurat dhe shpenzimet publike, ai përbën një instrument parandalues dhe shmangës i impakteve të pritshme apo atyre që mund të parashikohen të krizës botërore në tërësi. Në projektimin e tij me shumë kujdes dhe siguri janë vendosur amortizatorë zbutës të goditjeve të mundshme për të ardhur nga kriza që zhvillohet rreth nesh”, tha Ruli. Sipas ministrit “së pari projeksionet e rritjes ekonomike po t’i shohim për ‘09 janë në nivelet e kujdesit maksimal të pritshmërisë. Projeksionet e rritjes së të ardhurave janë jo më të larta se ato të vitit 2008 pra me një interval të theksuara dhe të testuar mirë të sigurisë. Kontigjenca është e programuar më e lartë se në një vit normal”.
Bode: PD, 8 herë më shumë investime se PS
Sipas Ministrit të Financave, Ridvan Bode, qeveria e djathtë ka investuar tetë herë më shumë në infrastrukturë se sa koalicioni i majtë. “Po nuk mund t’ju them se këto i keni vjedhur, i keni shpërdoruar dhe i jeni borxh shqiptarëve sepse nuk i keni realizuar këto investime. Sigurisht ju i keni borxh shqiptarëve se keni bërë pak investime dhe nuk ju votuan. Ne kemi këtë vëllim investimesh, por që të paktën në infrastrukturën rrugore është tetë herë më i madh se ju. Prandaj ju ftoj ta votoni”, u shpreh Bode. Ai tha se “Në vitin 2002 investimet janë realizuar vetëm 74.6%, janë bërë 13 miliardë lekë më pak investime se sa ishin parashikuar. Në vitin 2003 janë realizuar 64% investimet publike, nga 49 u realizuan 32 miliardë. Në 2004 janë realizuar 70% investimet publike, nga 55 miliardë të programuara vetëm 38 miliardë”.
Malaj: Buxheti, qeveria gënjen me shifra bruto
Investimet që qeveria bën ndaj shqiptarëve me këtë projektbuxhet është më i ulëti ndër vite. Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, u shpreh në fjalën e tij se kryeministri ka mashtruar me shifrat e buxhetit në masën 400%. Ai tha se përgjegjësia e opozitës është të tregojë se sa e papërgjegjshme është kjo qeveri. “Me këtë buxhet po shikojmë se ju keni ngelë në vend. Nuk mund t’i gënjesh shqiptarët me shifra bruto, kur shqiptarëve nuk iu dalin ato lekë as për të blerë gjërat minimale të jetesës”, tha Malaj. Ai më pas paraqiti gjithë sondazhet e ndërkombëtarëve, ku Shqipëria kishte rënie në të gjithë treguesit, si për konkurrueshmërinë ekonomike, edhe për korrupsionin dhe krimin e organizuar. Me këtë buxhet ju keni ngecur në vend, ju nuk mund t’i gënjeni shqiptarët me shifra boshe”, tha Malaj.
Islami: Borxhi i familjeve shqiptare bëhet i frikshëm
Deputeti socialist Kastriot Islami, paralajmëroi dje se buxheti i 2009-ës rrit buxhetin e familjeve shqiptare. Situata e vështirë financiare në vend për mungesë të investimeve dhe rritjes së çmimeve rëndohet edhe nga kriza financiare globale, për përballimin e së cilës qeveria nuk parashikon asnjë projekt, duke i bërë shqiptarët më të rrezikuarit. “Kjo situatë do të rëndohet vitin e ardhshëm, sepse asgjë nuk mund të përmirësohet nga kjo qeverisje, ndërkohë që mjedisi i përgjithshëm do të përkeqësohet për shkak të krizës globale. Dhe mund të ndodhë që për shkak edhe të eksperiencës së keqe me piramidat, shqiptarët të reagojnë shumë më keq se gjetiu sapo të ndjejë efektet e para. Zoti kryeministër, ju duhet të kërkoni asistencë nga FMN-ja, sepse kjo po ndodh në vende shumë të konsoliduar sesa vendi ynë”, tha Islami.
Panorama











