Berisha Rama te mbaje fjalen

Berisha: Rama të mbajë fjalën
Kreu i qeverisë ka reaguar vetëm dy ditë me vonesë pas deklaratës së liderit të opozitës për të mos votuar reformën në drejtësi. Kryeministri, i cili është njëkohësisht dhe kreu i mazhorancës, ka "zbuluar" para deputetëve të tij paktin që Partia Demokratike ka bërë me partinë më të madhe të opozitës për reformën në drejtësi. Kryeministri Berisha u shpreh dje se "ftoj opozitën, që në interesin më të mirë të vendit dhe të të gjitha forcave politike pa përjashtim, t‘i përmbahet paktit të votuar në Parlament".

Vetëm pak ditë pasi kryesocialisti Edi Rama i "mbylli derën" bashkëpunimit me mazhorancën për çështjen e reformës në drejtësi, Kryeministri Berisha i kujton atij se PD e PS kanë votuar një pakt në Parlament për të ofruar konsensus.

"Reformat do të vazhdojnë në sistemin e drejtësisë. Parlamenti ka votuar një pakt për drejtësinë dhe i qëndrojmë dhe ne do vazhdojmë reformat", theksoi Berisha. Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha kërkoi nga opozita që t‘i përmbahet paktit për reformën në sistemin e drejtësisë. "E garantoj se ne jemi të vendosur t‘i kalojmë këto ligje me konsensusin më të gjerë të mundshëm", u shpreh Kryeministri. Sipas shefit të qeverisë, për qeverinë dhe për mazhorancën, përparësi më madhore mbeten reformat në të gjitha fushat, të cilat nuk duhet të njohin të ndalur, pavarësisht se Shqipëria ndodhet në vit elektoral. "Ju ftoj të vazhdojmë me reforma të thella, për të cilat vendi ka nevojë shumë të madhe.

Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne si qeveri, si Parlament dhe si mazhorancë të vazhdojmë reformat në të gjitha aspektet, në mënyrë që Shqipëria të mos njohë ngadalësim për shkak të vitit zgjedhor", u shpreh Berisha. Ai theksoi se "ky vit dhe këta muaj kërkojnë që ne të jemi më të vendosur, më aktivë dhe më të shpejtë në mënyrë që zgjedhjet e vitit 2009 të mos ngadalësojnë dhe të mos cenojnë zbatimin e dy projekteve kryesore të shqiptarëve, integrimi në NATO dhe Bashkimin Evropian". Pasi e cilësoi si një objektiv të realizuar reformën zgjedhore, shefi i qeverisë tha se tashmë mazhoranca do të fokusohet në ruajtjen e performancës dhe rritjen e mëtejshme në ekonominë e vendit. Duke u ndalur në reformat ekonomike, Kryeministri u shpreh se ato janë të një rëndësie jetike për vendin dhe qeveria procedon me një seri ligjesh dhe vendimesh që synojnë lehtësimin e të gjitha procedurave për klimën e biznesit dhe investimet.

Berisha vlerësoi si shumë të rëndësishme edhe reformën në fushën e shëndetësisë, ku theksoi se sistemi shëndetësor u gjet i falimentuar nga fushata elektorale që parapriu ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet. Më tej, ai u shpreh se reformat duhet të vazhdojnë edhe në Forcat e Armatosura, të cilat janë jetike për konsolidimin e tyre si forca të një vendi anëtar të NATO-s. Berisha nënvizoi në fjalën e tij se reformat kanë si dokument bazë detyrimet që rrjedhin nga raporti i Komisionit Evropian dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. "Raporti përcakton të gjitha arritjet, por edhe fushat ku duhet të punohet më shumë, duke përcaktuar të gjitha detyrimet. Në këtë drejtim, unë ju siguroj se qeveria nuk do të ndërpresë për asnjë moment përpjekjet për të jetësuar kërkesat e këtij raporti", u shpreh Kryeministri Berisha.

Opozita nuk e pranon propozimin e mazhorancës, do të rishikojë qëndrimin. Drejtësia, PD shtyn diskutimin për Kodin Penal


Ndryshe nga reforma zgjedhore, mazhoranca duket se do ta ketë të vështirë miratimin e reformës në drejtësi. Dështimi i parë ka ardhur në seancën e mbrëmshme, ku opozita nuk e ka dhënë konsensusin e saj, duke e shtyrë paketën e projektligjeve për ndryshimin e Kodit Penal për në seancën e ditës së enjte. Duke pasur parasysh faktin se reforma në drejtësi do të paktën 84 vota pro, PS-ja e ka kushtëzuar mazhorancën, duke kërkuar më shumë kohë në dispozicion për të unifikuar qëndrimin e saj në lidhje me votën që duhet të japë pro apo kundër ndryshimeve në Kodin Penal. Parimisht, në Konferencën e Kryetarëve është rënë dakord për shtyrjen e diskutimit të Kodit Penal, por Kryetarja Topalli ka kërkuar që një nga pikat e këtij ligji të miratohej për t‘i hapur rrugë kalimit të paketës së reformës në drejtësi. Por, kryetarja e grupit të PS-së, Valentina Leskaj, nuk ka pranuar që të miratohet asnjë nga pikat e Kodit Penal duke kërkuar që ato të shtyheshin në bllok për seancën e ardhshme.

Ky qëndrim duket se i ka vënë një pritë "grackës" së realizimit të reformës në drejtësi. Topalli u ka kujtuar deputetëve të opozitës, se projektligji që ata donin të miratonin kishte të bënte me krimet në fushën e kibernetikës, ose më thjesht për piratët e kompjuterëve, ndaj ka kërkuar votën e tyre. Qëndrimi i Topallit është mbështetur edhe nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Rusmali, i cili u ka kujtuar kolegëve të opozitës se projektligji nuk ka lidhje me dënimet e krimeve alternative dhe me figurat konkrete, ndaj ai mund të miratohet pasi ka pasur konsensus në Komisionin e Ligjeve. Por kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, nuk e ka pranuar një gjë të tillë, duke theksuar se "për ndryshimet në kod që kanë të bëjnë me teknologjitë e informatikës, ne nuk kemi pasur kundërshtime", por tha ajo. që të jemi seriozë me reformat, ne nuk mund të miratojmë apo të ndryshojmë një copë të kodit sot, apo një copë të kodit nesër. Leskaj kërkoi që të kalojnë të tria në një seancë. Propozimi i saj u pranua nga Kryetarja e Kuvendit Topalli. Në emër të mazhorancës dhe për të mos prishur frymën e konsensusit, ajo ka shtyrë për seancën e ditës së enjte miratimin e tre projektligjeve që kanë të bëjnë me ndryshimet në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama