Berisha Do kemi dimer pa drita

Berisha: Do kemi dimër pa drita
Do importojmë energji aq sa të gjejmë, pavarësisht nga çmimi, megjithatë për vendet e Ballkanit ka një kufizim. Nuk mund të them se është rozë situata", tha Berisha. Shqiptarët, edhe për këtë vit, do të nuhasin tymin e qirinjve, por jo nga romantizmi dhe zhurmën e gjeneratorëve nga halli i kufizimeve energjetike. Duke paralajmëruar një dimër pa drita për këtë vit, Berisha ka paraqitur edhe strategjitë për të siguruar energji. Edhe për këtë vit, qeveria ndodhet në pikëpyetjen e përvitshme, nëse do të ketë apo jo drita gjatë muajve të dimrit. Kostoja e mungesës së dritave do të rëndojë mbi qeverinë, duke rritur pakënaqësinë në elektorat.

Strategjia

Kryeministri Berisha shpreh shqetësim për sa i takon furnizimit të qytetarëve me energji gjatë muajve të dimrit. Ai është i shqetësuar për situatën energjetike në vend, edhe pse për momentin kriza që kaloi vendi një vit më parë duket e largët. Kjo largësi është vetëm për momentin, pasi kreu i qeverisë nuk jep asnjë garanci për të pasur 24 orë drita. Madje, në fjalët e tij nënkuptohet fakti që përsëri edhe këtë vit do të ndihet ndjeshëm mungesa e energjisë. Edhe këtë herë, ashtu siç ndodh gjithmonë, ne do të varemi nga klima, nëse do të bjerë shi apo jo dhe nga tregu ballkanik. Sipas Kryeministrit, me gjithë predispozitën e qeverisë për të blerë energji, kjo nuk është një zgjidhje, pasi tregu rajonal nuk ofron shumë. Dy nga projektet më të afërta, me të cilat qeveria synon të përballojë furnizimin me energji, janë ndërtimi i TEC-it të Vlorës dhe linja e interkonjeksionit me Malin e Zi.

Situata energjetike

Qeveria shqiptare nuk ndihet me këmbët në tokë për sa i përket

furnizimit total me energji gjatë dimrit. Shefi i ekzekutivit i ka cilësuar ndërprerjet aktuale të dritave, si fenomen që ka ardhur për shkak të remonteve. "Furnizimi me energji elektrike, në këto 7 muaj, siç e keni konstatuar të gjithë, përveç riparimeve, të cilat sipas ekspertëve janë të domosdoshme të bëhen në verë, ka qenë i pandërprerë", tha ai. Në fjalën e tij, Berisha shtoi se "e kam deklaruar dhe e deklaroj se ne do të importojmë energji aq sa të gjejmë, pavarësisht nga çmimi. Por importet kanë disa kufizime në rajonin e Ballkanit. Aktualisht po përpiqemi të shpejtojmë punimet e TEC-it të Vlorës, si dhe të shpejtojmë ndërtimin e linjës me Malin e Zi. Po të më pyesnit se cilën do të preferoja në fillim, mund t‘u them do të preferoja linjën, pasi çmimi i naftës ka kapur shifra shumë të larta". Për sa u përket ndërprerjeve që vërehen gjatë periudhës së verës në vend, Kryeministri e justifikoi këtë me ndërhyrjet për përmirësimin e rrjetit energjetik dhe jo për mungesë të energjisë.

Situata aktuale

Kryeministri justifikon mungesën e energjisë gjatë sezonit të verës me remontet që po kryhen, duke nevojitur stakimin e linjave ku kalon rryma. OSSH-ja ka në planet e saj për të investuar rreth 10 milionë euro, kryesisht për rehabilitimin e linjave transmetuese të energjisë elektrike. Por këto ndërhyrje, duke qenë se kërkojnë stakimin e linjave ku kalon rryma, janë kthyer në problem serioz për konsumatorët shqiptarë, që prej fillimit të sezonit të verës, OSSH-ja ka aplikuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në disa zona të vendit, duke mos kursyer edhe qytetet bregdetare, të cilat në këtë sezon janë të vizituara nga shumë turistë vendas e të huaja. Kufizimi i dritave arrin deri në shtatë orë dhe për ditë të tëra, gjithnjë me justifikimin se po kryhen punime në linja të ndryshme. Drejtues të OSSH-së kanë shprehur pak ditë më parë, se kufizimet do të vazhdojnë deri në fund të verës, me qëllim që ardhja e dimrit ta gjejë të përgatitur sistemin elektrik, i cili po jep impakt negativ nga shkalla e lartë e amortizimit, ndërsa Berisha paralajmëron se situata nuk është rozë.


PanoramaPlus

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama