Bekim Fehmiu Nje monografi per Uliksin shqiptar

Bekim Fehmiu: Nje monografi per Uliksin shqiptar

Tekste, foto të rralla, vlerësime të hapësirës shqiptare, ballkanike dhe botërore për figurën e aktorit Bekim Fehmiu, të cilat gazetari Fahri Musliu i ka përmbledhur në monografinë studimore “Bekim Fehmiu -Odiseu i Kosovës”, promovuar pak ditë më parë në Shkodër

Disa ditë më parë, në Bibliotekën “Marin Barleti” të Shkodrës u promovua përmbledhja monografike studimore e titulluar “Bekim Fehmiu-Odiseu i Kosovës” e gazetarit të njohur, Fahri Musliu.

Ky libër sjell të botuara për lexuesin tekste, metatekste, foto të rralla, vlerësime të hapësirës shqiptare, ballkanike dhe botërore për figurën e aktorit Bekim Fehmiu. Nën këtë titull vijnë konsiderata me vlerë të kineastëve, aktorëve, regjisorëve, akademikëve, gazetarëve, kritikëve nga mbarë bota e artit dhe e kulturës. Autori Fahri Musliu me “përvujtninë” e tij prej studiuesi, na shfaqet si një prej hulumtuesve më të shquar të jetës dhe veprës së Bekim Fehmiut. Nga kjo vepër studimore mund të citojmë disa rreshta që bëjnë përshtypje nga parathënia e titulluar “Ne i kemi borxh Bekimit”. “Bekimi ka qenë një shqiptar i madh në çdo aspekt, dhe mbi të gjitha njeri dhe intelektual i madh. Dhe atdhedashurinë e tij e ka dëshmuar me rezultate konkrete duke e shkruar emrin e shqiptarit me shkronja të arta në majat e kinematografisë botërore. Bekimi si aktor nuk i ka takuar askujt, por miliona adhuruesve, ai i takon tërë botës siç u takojnë edhe të gjithë artistët e tjerë…”.

 

Kjo qasje e sinqertë ndaj figurës së Bekim Fehmiut është një nga më tërheqëset në mbarë historinë e monografive biografike shqiptare. Dëshira për të komunikuar me një lexues sa më të gjerë e bën veprën studimore të Fahri Musliut një shembull domethënës për kërkuesit shkencorë, të rinj apo me përvojë qofshin. Bekim Fehmiu do të mbahet mend gjatë për role të larmishme në filma si: “Mbledhësit e puplave”, “Aventurierët”, “Dezertori”, “Java e zezë”, “E dashura ime Libera”, “Salon Kiti”, “Leja për vrasje”, “Xhinxhis Kan”, “Protesta”, “Edukata speciale” etj., por pa harruar shkëlqimin në rolin e Uliksit tek seriali i famshëm “Odiseja”.Përmes këtij libri na rrëfehet se Bekim Fehmiu ia doli si star kinemaje të fitonte dashurinë e miliona spektatorëve, të cilët sigurisht panë te personazhi i tij diçka që kishte kuptim për të gjithë, diçka që shkon përtej caqeve të tërheqjes vetjake ose të artit vetjak. Në raste të tilla gjithmonë ndodh që të ndërmenden ngjarje të ngjashme me këtë veprimtari promovuese. Seç na u kujtua një promovim libri i pak kohëve më parë i shkrimtarit të njohur bashkëkohor triestin Claudio Magris në Universitetin e Shkodrës, i cili duke prezantuar veprën e tij “Danubi” do të shprehej: “Besoj që për të treguar sesi kanë lindur disa prej librave të mi, është thelbësore të nisesh nga përvoja që unë kam me kufirin. Tek “Danubi” kam bërë atë që kam mundur.

 

Jeta është realisht një udhëtim dhe “Danubi”, bëhet romani i një personazhi në të cilin gjej vetveten, jo vetëm duke u zhytur në botën e brendshme, por edhe duke dalë jashtë saj për të gjetur botën që na rrethon”. Do të shtoja se pyetja e madhe që shtrohet është nëse individi mund ta përshkojë jetën e tij duke u rritur pozitivisht, si dhe duke ruajtur vetveten. Në këtë mënyrë udhëtimi na shërben për t’u kthyer në shtëpi duke konfirmuar personalitetin tonë. Motivi i udhëtimit në veprat më domethënëse të letërsisë botërore do t’ju ndërmendë pa dyshim edhe Odisenë e Homerit. Natyrshëm për ne Odiseja i letërsisë është përjetësuar në celuloid nga Bekimi ynë, i cili me jetën e tij dëshmoi se është një thyes i madh i kufijve.

“Karriera e Bekim Fehmiut,- shkruan Marko Kostiq në librin që u prezantua,- ndoshta është përshkrimi i drejtë i karakterit shqiptar, i atij që kur njëherë arrin rezultatin e dëshiruar, i ofron shkëlqimin reflektues edhe serbëve, jugosllavëve, romakëve dhe amerikanëve”.

Bekim Fehmiu është i vetmi aktor që në Perëndim ka xhiruar mbi 20 vjet duke thyer “perden e hekurt” thuhet në këtë libër. Ai e ngriti interpretimin dhe artin e tij mbi politikën, e cila si pjesë e njëmendësisë ballkanase shumë shpesh i ka bërë karshillëk artistëve të sojit të tij. Aktori ishte protagonist i kulturave të hapura, besnik i sferës së lirisë që arti predikon. Sa shumë stonon rrugëtimi i tij real dhe fantastik, me ecejaket tona brenda njëmendësisë ballkanike.

 

Aty ku ndërkombëtarizohen ligësitë dhe prapësitë e një politike të mbrapshtë, natyrisht nuk ka vend për artistin vetmitar. Vetë titujt e artikujve të mbledhur anembanë janë shumë interesantë, por jo më pak të tillë janë edhe nyjëtuesit e këtyre mendimeve, të cilët i përkasin qiejve të artit dhe shmangin me dashje dhe me përçmim fobinë ndaj të huajit. Do ta vlerësoja këtë libër pikërisht edhe për këtë lloj dialogjizmi në diskurs. Ai është në koherencë të plotë me strategjinë jetësore të personazhit-aktor, Bekim Fehmiut, i cili me udhëtimin e tij prej Uliksi në këtë botë, na rrëfeu se arti dhe kultura depërtojnë dhe nuk ka forcë fizike që t’i ndalojë.

 

Një nga artikujt e përfshirë në monografi dhe që përkëdhel vëmendjen “provinciale” shkodrane, është edhe ai i Besi Bekteshit “Kur Bekimi e vizitoi Shkodrën”. Bëhet fjalë për vitin 1972, ku na dëshmohet një shënim i Bekim Fehmiut në fletët e muzeut të atëhershëm: “Jam i lumtur që mbas 30 vjetëve gjendem në Shkodër, në qytetin ku kam kaluar vitet e para të fëmijërisë sime, rrënjët kishin qenë të thella dhe të pashpërngulta”. Studimi voluminoz dhe shterues i autori Fahri Musliu për kontributin e vyer të Bekim Fehmiut në kinematografinë botërore i ka pa dyshim refleksionet edhe për kulturën shqiptare. Vepra e tij përbën një nga shtyllat e burimeve bibliografike për këtë aktor të famshëm. Do ta përfundoja këtë shkrim me hyrjen e kësaj monografie, si dhe duke ftuar lexuesin që ta prekë me sy këtë libër.

 

“Odiseu iu kthye Itakës. Bekimi u nis nga Prizreni në vitin 1956, në ujërat e panjohura e arriti kulmin në profesion dhe u bë njëri nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave, me përmasa botërore…E luajti aktin e fundit të dramës që quhet jetë, por prapa perdes, pa publik: skenarist, regjisor dhe aktor kryesor i së cilës ishte ai vetë. Dhe sërish u kthye në Prizren, në urnën me hirin e trupit të tij që, sipas dëshirës së tij, të hidhej në lumin Bistricë, përmes tij do të derdhej në Drin e Bunë dhe do të arrijë në Detin Adriatik, në Jon e Egje për të vazhduar më tej nëpër Mesdhe, Oqeanin Atlantik e ujërat e tjerë të botës. Nuk ishte i askujt ekskluzivisht, ka qenë i vetvetes dhe i secilit…Odiseu iu kthye Itakës: Ujit, Dheut dhe Qiellit të Prizrenit të cilin e ka dashur aq shumë… Ishte kjo estetika e jetës dhe e vdekjes së aktorit të madh…Mbeti heshtja me të cilën Bekimi ka jetuar gjatë 20 vjetëve të fundit. Dhe kujtimi i amshueshëm”. Kjo monografi e konceptuar dhe e shkruar me kaq finesë i jep një garanci më shumë ndriçimit dhe përjetësimit të këtij ylli të kinemasë, ndaj për Fahri Musliun duhet një falënderim i madh për këtë dhuratë që na solli.

*Dr. Gëzim Puka, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama