Batuta e Shametit Teuta duhet te na jape darken

Batuta e Shametit: Teuta duhet të na japë darkën

Pas 12 vitesh pjesë e Kategorisë Superiore me skuadra si Luftëtari, Kastrioti, Shkumbini dhe Besa, mbrojtësi gjirokastrit Ylli Shameti fitoi me Kukësin për herë të parë Kupën e Shqipërisë. ylli shametiLideri i mbrojtjes së verilindorëve deklaroi pas ndeshjes ky trofe ishte plotësisht i merituar. Në formë batute gjirokastriti u shpreh se tashmë Teuta duhet të qerasë Kukësin me një darkë, pasi mori një dhuratë të çmuar.

"Ishte një sukses super i merituar. Kemi bërë një pjesë të dytë të sezonit të shkëlqyer dhe erdhëm si favoritë në këtë finale ndaj Laçit.

E kishim përgatitur shumë mirë këtë 90- minutësh, por kishim probleme, pasi si kapiteni Malota, ashtu edhe Hasani, nuk kanë qenë në 100% të gjendjes së tyre. Ndodhin edhe gabime dhe keqardhja ishte e madhe që e pësuam në fund, pasi në këtë sezon na ka ndodhur shpesh. Megjithatë, gjetëm forca edhe me 10 lojtarë, duke shkuar me besim te penallti dhe tashmë e rëndësishme është që trofeu shkoi në Kukës.

Presidenti Gjici ka investuar shumë dhe ata tifozë e meritojnë plotë- sisht këtë Kupë. Duhet të festojmë tashmë këtë sukses, sepse është trofeu i parë.

Teuta?

Më bëhet qejfi edhe për ekipin durrsak, që falë fitores sonë, arriti në Kupat e Europës. Tani të mblidhemi të gjithë bashkë dhe Teuta të na paguajë darkën (qesh)", është shprehur Shameti për TVSH.

Në fund, mbrojtësi që nuk ishte pjesë e pesë penalltive të ekzekutuara të Kukësit, tregoi edhe një episod të veçantë me Musollin, goditja e të cilit i dha Kupën ekipit.

"Kur po goditeshin penalltitë, isha afër Musollit dhe ankthi mbetej i madh. Kur kaloi penalltia e tretë, Besari më pyeste nëse e humbet një Laçi a fitojmë ose jo? Përgjegjësia ishte e madhe dhe nuk donte që të shkonte gjithçka te penalltia e fundit. Por fati e deshi që Musolli të na japë Kupën me goditjen e tij", përfundoi titullari i Kukësit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama