Basket Plasa Karrieren e mbyll vetem me titull kampion

Basket, Plasa: Karrierën e mbyll vetëm me titull kampion

Sot në Vlorë do të luhet akti i tretë i finales së basketbollit për femra, Flamurtari-Goga Basket, ku gjithçka është në ekuilibër 1-1.

Untitled-8Në prag të ndeshjes së orës 18:00, kapitenia e kampioneve në fuqi, Migena Plasa, shprehet se sot nuk diskutohet fitorja. "Vërtet që kanë qenë ndeshje me dy tablo, mund të them të kundërta për nga niveli. Kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë në Vlorë, ku edhe rezultati e tregon një gjë të tillë, ndërkohë një ndeshje nën nivelin mesatar në Durrës.

Shpresoj që skuadra të rikthehet te loja e vet, si në ndeshjen e parë. Sa i përket finales së dytë, janë gjëra që priten në "play off". Duke qenë të ngarkuara emocionalisht, duke pasur si pikësynim vetëm fitoren e nivelin që treguam në ndeshjen e parë, menduam që ta mbyllnim 3-0 këtë seri finalesh.

Edhe kjo bëri që të mos kishim vlerësimin e duhur për kundërshtarin. Ndoshta edhe euforia për të festuar titullin kampion në Vlorë", shprehet fillimisht titullarja e vlonjateve me jo pak trofe në karrierë. Mes të tjerash, Plasa ka vlerësuar rivalen marrë shkas edhe nga dy përforcimet e saj në fazën e dytë me dy lojtare malazeze, njohje të hershme të kampionatit shqiptar. Goga Basket ishte skuadra e vetme që mposhti Flamurtarin në sezonin e rregullt.

"Edhe pse na ka shkaktuar një humbje, për ne nuk është se na prishte punë. Ishte veçse për statistikë. Ishte thjesht më tepër për të studiuar lojën e tyre. Tri pjesë loje ne kemi studiuar lojën e tyre, kemi qenë në avantazh, ndërsa në periodën e katërt janë aktivizuar vajzat e reja. Nuk mund të merret si tregues.

Ndërsa takimi i luajtur në Durrës ishte vërtet një përballje rivalësh, por që ne nuk dolëm dot në lojën tonë". Pyetjes se përse trajneri i ka besuar në dy finalet pesëshes së vetme titullare, Plasa u shpreh: "Ky është minusi që ne kemi si ekip. Vërtet që në stolin tonë ka vajza të reja dhe me perspektivë, por që nuk janë ndoshta akoma gati për të përballuar sfida të tilla. Është e vështirë për t'i besuar finale 'play off'-i.

Ato e kanë perspektivë dhe ndoshta për 2-3 do të jenë titullare. Por që ndoshta është akoma herët. Sot? Pa diskutim synojmë fitoren. Nuk na lejohet më të hedhim hap tjetër fals". Në fund të prononcimit, veterania e basketbollit shqiptar la të hapur lamtumirën këtë sezon nga sporti. "Sezoni i fundit? Ndoshta".

Por, nëse Goga Basket do t'i shtyjë festën, Plasa mund ta rishikojë vendimin e tërheqjes edhe për një vit tjetër? "Do ta mendoj. Kam dëshirë që ta mbyll karrierën me titull", e mbylli deklaratën e saj basketbollistja e përvojës kuqezi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama