Bashkohet BE do ta njohe si union shtetin e ri te Kosoves

Bashkohet BE, do ta njohë si union shtetin e ri të Kosovës

Negociatat për statusin e Kosovës kanë përfunduar dhe se nga dita e sotme, Prishtina do t’i filloj konsultimet me qeveritë perëndimore për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, thuhet në qëndrimet e prezantuara sot nga Ekipi Negociator. Përfaqësuesit kosovar, kanë konstatuar se nuk ka më hapësirë për negociata dhe kanë bërë të ditur qëllimet e tyre që në koordinim me ndërkombëtarët të finalizojnë procesin me nxjerrjen e deklaratës për pavarësinë e Kosovës. Pavarësia do të ndodhë shumë më herët se maji i vitit 2008, tha zëdhënësi i Ekipit, Skender Hyseni. “Data e sotme shënon përfundimin e çdo negociate sa i përket statusit të Kosovës. Data e sotme shënon fillimin e konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë veç e veç, rreth hapave që Kosova duhet ti bëjë në drejtim të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe njohjes ndërkombëtare të saj ”, tha Hyseni. Ai tha se shpallja e pavarësisë së Kosovës është një zhvillim që do të ndodhë shumë shpejt, por sipas tij, askush nuk mund ta dijë apo ta thotë edhe datën se kur do të ndodhë kjo.

Sipas tij, Kosova do të ketë konsideratë dhe do ta koordinojë shpalljen e pavarësisë me ndërkombëtarët, apo atë pjesë të bashkësisë ndërkombëtare që e mbështet pavarësinë e Kosovës, sipas modelit të ofruar nga presidenti Ahtisari.“ Pavarësia e Kosovës do të shpallet shumë më herët se maji i vitit 2008”, tha zëdhënësi Hyseni, duke komentuar raportin me të ri të Grupit Ndërkombëtarë të Krizave që thotë se pavarësia do të ndodh në gjysmë të vitit 2008. Zëdhënësi Hyseni tha se Ekipi Negociator dhe presidenti Fatmir Sejdiu kanë kërkuar nga Presidenca e Këshillit të Sigurimit që në takimin e 19 dhjetorit, në Nju Jork, të drejtën e vet të përfaqësimit dhe fjalës ta ketë edhe presidenti i Kosovës. “Kërkesa është bërë me qëllim që edhe Kosovës ti mundësohet prezantimi i pikëpamjeve ne mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të 19 dhjetor ku do të diskutohet raporti i treshes “, tha Hyseni. Ndryshe pas takimit të sotëm është njoftuar se përbërja aktuale e Ekipit do të funksionoj deri në konstituimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 17 nëntorit.

Me formimin e institucioneve, mandati i Ekipit Negociator do të pushoj dhe çështja e statusit do të kaloj te institucionet e reja.
26 nga 27 anëtaret e BE-së do të njohin pavarësinë e Kosovës/Ministrat e jashtëm të Bashkimi Evropian po takohen për të diskutuar për të ardhmen e Kosovës. Në këtë takim diplomati gjerman Volfgang Ishinger raportoi para 27 ministrave të vendeve anëtare. BE-ja është duke pritur që të dërgojë një mision policor dhe civil në Kosovë për të ndihmuar tranzicionin nga administrata aktuale e OKB-së, tek ajo vendore. Por më parë, anëtarët e BE-së duhet të tejkalojnë mospajtimet e brendshme për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kosova ka provuar të jetë një çështje problematike për Bashkimin Evropian dhe gjetja e konsensusit për të mbajtur një qëndrim të përbashkët ndaj shpalljes së pavarësisë, nuk ka qenë e lehtë. Vende si Gjermania dhe Britania e Madhe kanë qenë mbështetëse të fuqishme të një lloj pavarësie të mbikëqyrur ndërkombëtarisht. Por vende të tjera si Spanja, Greqia, Qipro dhe Sllovakia janë të shqetësuara për precedentin që mund të përbëjë ajo dhe për inkurajimin që mund t'u japë disa grupeve separatiste. Ministrat e Jashtëm të Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, u kanë shkruar kolegëve të tjerë dhe kanë bërë thirrje që BE-ja të përmbushë angazhimet e saj. Me fjalë të tjera, ata kërkojnë që BE-ja të përgatitet për një mision civil dhe policor për të lehtësuar tranzicionin nga qeverisja e OKB-së tek ajo vendase. Dhe në Bruksel, shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Javier Solana u ka thënë gazetarëve se besonte se po bëheshin hapa drejt arritjes së marrëveshjes. Të gjithë duan të shmangin atë lloj paralize evropiane që u pa në vitet '90-të dhe që mund të lejojë shpërthimin edhe një herë të dhunës në Ballkan.

Presidentja e Zvicrës Mishel Kalmi- Rej deklaruar se mundësia më e madhe është që bashkësia ndërkombëtare do ta njohë shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës. "Këtë zhvillim Zvicra e ka parashikuar qysh në vitin 2005", ka thënë Kalmi-Rej. Ajo ka shtuar se edhe parlamenti zviceran do të trajtojë në kohën e duhur çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, ka paralajmëruar presidentja e Zvicrës në një intervistë dhënë së përditshmes Punkt.ch. Në pyetjen nëse ajo e dëshiron një Kosovë të pavarur, Kalmi-Rej është përgjigjur: "Nuk është me rëndësi dëshira ime. Kosova ka nevojë për më tepër siguri dhe stabilitet. Ka nevojë për marrëdhënie të rregulluara me vendet e jashtme dhe institucionet financiare ndërkombëtare. Më pastaj mund të ketë edhe një zhvillim ekonomik dhe social", nënvizoi Presidentja e Zvicrës. Presidentja e Zvicrës vlerësoi se "mes Kosovës dhe Zvicrës përherë ka pasur marrëdhënie të ngushta".

Britania do ta njohë pavarësinë e Kosovës, ka deklaruar sekretari i jashtëm David Miliband. "Por në Ballkan është shumë e rëndësishme që të shmangen përgjigjet e shkurtëra dhe të pranohet se kjo është një situatë shumë e ndërlikuar, i tha Milband radios shtetërore britanike. Ndërkohë, shefi i diplomacisë së BE-së, Javier Solana tha se vendet e BE-se janë afër tejkalimit të mosmarrëveshjeve të brendshme rreth statusit të Kosovës dhe arritjes së qëndrimit të përbashkët. "Mendoj se po i afrohemi qëndrimit të përbashkët brenda unionit. Mendoj se do të jemi në gjendje të arrijmë në qëndrimin, rreth të cilit do të mund të bashkoheshin vendet e BE-së dhe të marrin përgjegjësitë e tyre", tha Solana para takimit te ministrave te jashtëm ne Bruksel. Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Suedisë Karl Bilt tha se të gjithë përveç një vendi anëtarë të Bashkimit Evropian janë të gatshëm ta pranojnë pavarësinë e Kosovës pa rezolutë të Kombeve të Bashkuara. "Për Kosovën ka një unitet virtual", tha Bilt para takimit me homologët e tij.

Ai nuk emëroi asnjë shtet anëtar, por ministri i jashtëm i Luksemburgut Jean Asselborn tha se Qiproja është e vetmja që ka "problem të madh" në mbështetjen e pavarësisë se Kosovës.

Për epilogun e bisedimeve Prishtinë-Beograd, ministrat e Jashtëm do t'i njoftojë përfaqësuesi i BE-së në Treshen ndërkombëtare, Ëolfgang Ischinger. Ai pritet ta arsyetojë raportin që Treshja ia dorëzoi sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, për të cilin Këshilli i Sigurimit do të diskutojë më 19 dhjetor.

Mungesa e unitetit të BE-së ka sjellë përzierjen e Rusisë dhe të Kinës/Mosmarrëveshjet rreth Kosoves brenda Bashkimin Evropian kane sjellë përzierjen e Rusise dhe Kines, tha Koordinatori i Paktit të Stabilitetit per Evropen Juglindore, Erhard Busek. ''Evropianet duhet te perkujtohen se po te kishim qendrim te perbashket, shume gjera kemi mundur ti shmangim, si p.sh perzierjen e Rusise. Eshte e qarte se Kosova eshte problem evropian. Pozicionet e ndryshme te vendeve te BE-se rreth statusit te saj i kane ftuar Rusine dhe Kine që te nderhyjne'' ka thene Busek. Paralajmerimet e autoriteteve serbe per embargo ekonomike ne rast se Kosova shpall pavaresine, Busek e sheh si problem, por edhe si ''nxitje te pales shqiptare qe t’i forcoje perpjekjet per te qendruar ne kembet e veta''. Deklarata ka ardhur ne te njejten dite me paralajmërimin e Rusise se njohja e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës mund të shkaktojë "reaksion vargor" të problemeve në Ballkan dhe përtej. "Dua të theksoj se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës dhe njohja e një pavarësie të tillë nuk do të mbetet pa pasoja" tha ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov, pas takimit me presidentin e Qipros Tasos Papadopulos. ''Në një rast të tillë këto vende do ta shkelnin ligjin ndërkombëtar. Ne nuk do ta mbështesnim një shkelje të tillë'' tha Lavrov.

Marre nga : Gazeta 55


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama