Bashkimi kombetar Presheva Politike te sigurohen te drejtat tona

'Bashkimi kombetar', Presheva: Politike, te sigurohen te drejtat tona

Deklaratat e kryeministrit Edi Rama, rreth bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës në mënyrën klasike, kanë ngjallur reagime në radhët e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Edhe pse konsiderohen politike dhe duke pasur parasysh qëndrimin për mos ndryshim të kufijve, shqiptarët e Luginës tërheqin vëmendjen për shqiptarët jashtë Shqipërisë dhe Kosovës.

Nënkryetari i Komunës së Preshevës, Skënder Destani, duke e cilësuar deklaratën e kryeministrit Edi Rama, si politike vlerëson se nuk ka të keqe në shprehjen e vullnetit kombëtar, por thotë se një gjë e tillë është e pamundur në rrethanat e tanishme.
 
Para bashkimit kombëtar, sipas Skënder Destanit, Kosova por edhe Shqipëria do të duhej të kujdeseshin që shqiptarëve në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë, t'u siguronin më shumë të drejta dhe një zhvillim ekonomik.

"Unë mendoj se deklarata e zotit Rama është në kufijtë e deklaratave politike që edhe përfaqësuesit politikë shqiptar i kanë bërë që para 7-8 apo edhe 10 viteve. Nuk shoh asngjë të keqe në deklaratën e zotit Rama sepse bashkimi i shqiptarëve do të bëhet vetëm në Bashkimin Europian duke pas parasysh se shqiptarët janë të shpërndarë në 5 shtete rreth shtetin tonë prandaj është e pamundur që të bëhet ndryshim i i kufijve dhe të bashkohen në një shtet por ky bashkim do të arrijë në Bashkimin Europian." u shpreh Destani
 
Ndërsa për Valon Arifin anëtar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut të Luginës së Preshevës, kjo deklaratë përjashton shqiptarët jashtë dy shteteve kombëtare, ndërkohë që vlerësohet politike dhe tendencë për barazim verbal me deklaratat e kryeministrit serb Vuçiç, në raport me Bashkimin Evropian. Sipas Arifit, bashkimi kombëtar mes dy vendeve duhet të ndodhë në Bashkimin Evropian.

"Deklarata e fundit sidomos java e fundit e kryeministrit Rama për bashkimin shqiptarëve në kuadër të Europës të bashkuar e shoh krejtësisht jo serioze, një konfederatë apo njohje midis Shqipërisë edhe Kosovës mund të jetë e realizueshme por ai nuk mund nënkupton bashkimin kombëtar meqë shqiptarët jetojnë pjesa më e madhe jetojnë jashtë Kosovës edhe Shqipërisë përderisa e gjithë kjo deklarata e fundit e kryeministrit Rama theksojnë se janë balancimi i politikës jashtme të Shqipërisë edhe Serbisë karshi shantazheve që ato pretendojnë ti bëjnë Bashkimit Europian." u shpreh Arifi

Deklaratat e kryeministrit Rama kanë sjellë reagime të shumta, ku më e fundit ishte ditën e djeshme nga eurodeputeti Eduard Kukan i cili i pyetur nga media serbe Blic tha se ishte nervozuar kur i kishte dëgjuar këto deklarata. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama