Bashkia do shese aksionet Idrizi Gati ti blejme

Bashkia do shesë aksionet, Idrizi: Gati ti blejmë

Financuesit e klubit të Flamurtarit janë futur në muajin e fundit të kontratës që firmosën me Bashkinë e Vlorës në korrik të vitit 2014.Sinan Idrizi Në këto kushte, mbyllja e sezonit 2015- 2015 shënon automatikisht edhe fundin e kontratës si financues të klubit vlonjat nga kompanitë turke "Atlas Jet" dhe "TRK", të cilat kanë vendosur si administrator të Flamurtarit Sinan Idrizin. Megjithatë, ky i fundit, gjatë një bisede për "Panorama Sport", zbulon një klauzolë në këtë kontratë.

"Kompanitë tona do të jenë sponsor të Flamurtarit derisa të marrë fund privatizimi i klubit. Ka një klauzolë që bashkia nuk na e ndërpret dot kontratën. Kjo do të thotë se më parë duhet që të hapet procesi i privatizimit të klubit", ka sqaruar Idrizi. Mirëpo, po dje Bashkia e Vlorës ka bërë hapin e parë, duke nisur procedurat me Ministrinë e Ekonomisë për privatizimin e klubit. Përmes një njoftimi për shtyp, bashkia bënte me dije se tashmë pret sugjerime për shitjen e aksioneve. Kujtojmë që Bashkia Vlorë zotëron 100% të aksioneve të Flamurtarit dhe të gjitha asetet për përmbushjen e shoqërisë.

Konfirmimi

"Bazuar në vendimin nr.39, datë 31.07.2014, 'Për disa ndryshime në administrimin e shoqërisë Flamurtari sh.a', Bashkia Vlorë ka nisur procedurat për privatizimin e shoqërisë, e cila ka si aktivitet pjesëmarrjen dhe organizimin e aktiviteteve futbollistike e sportive. Për këtë qëllim, në kuadër të organizimit të konsultimeve publike, të gjithë të interesuarit janë të lutur të bëjnë sugjerime apo të japin mendime në lidhje me këtë nismë dhe veçanërisht me kuotat që Bashkia duhet të shesë në këtë shoqëri. Për sa më sipër, jeni të lutur të shkruani në adresën [email protected] Çdo sugjerim apo mendim juaji do të jetë i vlefshëm dhe objekt i diskutimit të përbashkët për këtë qëllim", njoftonte dje Bashkia e Vlorës për të ardhmen e klubit.

Interesimi

Administratori aktual i klubit, Sinan Idrizi, konfirmon se kompanitë turke do të hyjnë në konkurs, teksa thekson se shpreson të ketë edhe të interesuar të tjerë.

"Me sa kam informacion, bashkia ka nisur procedurat e saj me Ministrinë e Ekonomisë për privatizimin e klubit. Ne presim hapjen e procedurave dhe do të hyjmë në konkurs. Por, nga ana tjetër, do të ishte pozitive që të ketë edhe konkurrentë të tjerë. Jemi të gatshëm që të garojmë brenda të gjitha rregullave dhe ligjeve të këtij vendi. Duam të blejmë aksionet", konfirmoi Idrizi.

Kontrata

Sipas kontratës së nënshkruar dy vite më parë, kompanitë turke kanë disa detyrime, të cilat duhen zbatuar. "Financuesi zotëron potencialin financiar, ekonomik, tregtar, njerëzor për realizimin e financimit dhe administrimit të klubit. Kompanitë turke marrin përsipër të financojnë nevojat ekonomike të klubit, me të drejta të plota dhe të pakushtëzuara. Nga ana tjetër, Bashkia angazhohet të miratojë, me votën pro në asamble, të gjitha ndryshimet, që do t'i kërkohen nga Financuesi, në lidhje me organet e shoqërisë, përfshirë Këshill Mbikëqyrës, administrator, ekspertë kontabël", thuhet në kontratë.

Gjithashtu, në marrëveshjen e bërë më 31 korrik të vitit 2014, citohet se kontrata mund të zgjidhet në çdo kohë nga bashkia në rast se financuesit aktualë kanë kryer shkelje thelbësore të detyrimeve. E njëjta gjë vlen dhe për financuesin. Pra, nëse kompanitë turke shikojnë që bashkia ka bërë shkelje të ndonjë prej detyrimeve që rrjedhin, atëherë mund ta zgjidhë në çdo kohë marrëveshjen.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama