Basha Rama ti kerkoje doreheqjen Metes ndryshe mbron krimin

Basha: Rama t'i kerkoje doreheqjen Metes, ndryshe mbron krimin

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e cilësoi ndërhyrje në hetim qëndrimin e kryeministrit, që e quan ngjarjen një skenar aktrimi.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social “Facebook”, Basha vuri në dukje se Rama e lexoi të shkruar deklaratën e tij pas marrjes në pyetje nga Prokuroria. Kreu i opozitës thotë se kryeministri po bëhet pjesë e alibisë me ushtrimin e presionit ndaj drejtësisë.

Postimi i plotë i Lulzim Bashës

“Të gjithë shqiptarët panë vetë sot sesi Edi Rama nga dera e Prokurorisë, tentoi të diktojë variantin e tij për ngjarjen duke e quajtur skenar aktrimi. Pra pavarësisht fakteve dhe rrethanave, pavarësisht hetimit dhe punës që duhet të bëjë drejtësia, Edi Rama imponohet duke konkluduar ai i pari për këtë ngjarje.

Ky ishte synimi i tij sot, që del qartë edhe nga fakti se kryeministri e kishte përgatitur verdiktin e tij, e kishte të shkruar dhe e lexoi para kamerave, sido që të ketë shkuar marrja e tij në pyetje.

Rama nuk ngurroi të vihej në krye të skemës së krijimit të alibive dhe ushtrimit të presionit ndaj drejtësisë.

Vetëm një hetim objektiv, bazuar mbi fakte, dhe i painfluencuar nga politika do të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes dhe zbulimin e të vërtetës. Mundësia për një hetim të tillë komprometohet rëndë sa kohë që i akuzuari për porositjen e vrasjeve mban postin si numër dy i shtetit.

Edi Rama urdhëroi protestën e 21 janarit edhe pse Ilir Meta kishte dhënë dorëheqjen nga posti i zv/kryeministrit. A do ti kërkojë Edi Rama kësaj radhe Ilir Metës dorëheqjen pas akuzave publike për vrasje të deputetit të tij? Nëse Edi Rama nuk kërkon të paktën dorëheqjen e Metës për këtë akuzë shumë më të rëndë se akuza për të cilën urdhëroi 21 janarin, a nuk vërteton kjo se Rama është bashkëpunëtor në mbulimin e krimit të paralajmëruar?

Kryeministri ka në dorë të ndihmojë drejtësinë duke i kërkuar Ilir Metës, të akuzuar për porositjen e vrasjes së 2 deputetëve, që të japë dorëheqjen.

Nëse jo, Edi Rama konfirmon se është kokë e këmbë i implikuar dhe se ka zgjedhur të bëhet pjesë e mbylljes së çështjes, mbylljes së hesapeve e pazareve, dhe jo zgjidhjes që vjen vetëm nga drejtësia”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama