Bari do Sukajn ja prapaskena me sulmuesin

Bari do Sukajn, ja prapaskena me sulmuesin

Skuadra italiane e Serisë B, Bari, interesohet për Xhevahir Sukajn. Ky lajm është bërë publik dje nga gazetari dhe njëkohësisht agjent i merkatos, Xhanluka Di Marcio, në sajtin e tij. Sipas lajmit në fjalë, ecuria e mirë e Sukajt me Partizanin ka tërhequr vë- mendjen e Barit.sukajKlubi puljez ka kërkuar informacione në lidhje me 28-vjeçarin, i cili në verë mund të transferohet me parametër zero nëse palët bien dakord. Por, sipas Di Marcios, mundësitë që Sukaj të bëhet pjesë e Barit në sezonin e ardhshëm janë dy:

Xhevahir Sukaj të pajiset me pasaportë komunitari, ashtu si bashkëshortja e tij, ose Bari të ngjitet në Serinë A, sepse asnjë klub i Serisë B nuk mund të federojë lojtarë ekstrakomunitarë. Kjo është situata e paraqitur nga Di Marcio.

Prapaskena - Burime të sigurta të "Panorama Sport" pranë klubit dhe lojtarit treguan dje se bisedimet mes drejtuesve të Barit dhe atyre të Partizanit kanë nisur që në muajin janar. Klubi italian, me ndërmjetësinë e Xhanluka Di Marcio, mësohet se ka folur fillimisht me drejtorin Dritan Dervishi.

Ky i fundit u ka sqaruar drejtuesve të Barit situatën e Sukajt, ndërsa më pas italianët kanë kontaktuar direkt edhe me lojtarin. Sukaj ka lënë gjithçka të hapur, duke u thënë italianëve se për bisedime konkrete do të flasë vetëm pas përfundimit të kampionatit me Partizanin.

Njëkohësisht, gjatë kësaj periudhe për Sukajn mësohet se ka pasur një interesim konkret edhe nga klubi i Sepahanit. Iranianët synojnë ta rikthejnë, por gjithçka është në dorë të Sukajt.

Në këtë situatë gjasat më të mëdha janë që ai të kthehet në Iran, pasi Sepahan ofron më shumë se Bari, si dhe nuk ka barriera. Gjithsesi, shkodrani është i përqendruar te Partizani dhe ka si synim fitimin e titullit, si dhe që të shënojë së paku 20 gola.

Reagimi i Sukajt - I kontaktuar dje nga gazeta, sulmuesi nuk preferoi të jepte detaje për të ardhmen e tij dhe për lajmin e përhapur dje, që kishte lidhje me një transferim të mundshëm në Itali te Bari. "Siç e dini, jam nën kontratë me Partizanin.

Më besoni, në këtë moment nuk kam asnjë arsye pse të shpërqendrohem. Dua të mbyll një herë në mënyrën më të mirë këtë sezon, duke fituar titullin. Shpresoj të vazhdoj të shënoj, pse jo që në ndeshjen e radhës. Bari? Nuk është etike të flas në këtë moment, më mirëkuptoni. Jam i Partizanit", ka deklaruar shkurtimisht Sukaj.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama