Balerina Tanja Visirova Une e dashura e mbretit Zog

Balerina Tanja Visirova: Une e dashura e mbretit Zog
Rrëfimi i kërcimtares së kabaresë së Parisit. Ardhja në Shqipëri në vitin 1929 si "robinjë" e mbretit të Shqipërisë. Takimi me Zogun, netët e dashurisë, përjetimet e "trupit femëror më të këndshëm të Parisit", për pushimet në vilën mbretërore në Durrës dhe për Ahmet Zogun.

"Asgjë në fëmijërinë e Tanja Visirovës nuk ngjau, që të mund të thuhet se përgatiti karcimtaren e ardhshme nudo, të përkëdhelurën e Parisit, zonjushën e një mbreti. Vogëlushja e rrjedhur nga një familje tipike kozmopolitane: I ati polak, gjyshja kineze, nëna rumune, jetoi një fëmijëri idilike midis botës ruse dhe asaj rumune"-Kështu shkruhet në mbulesën e botimit në frëngjisht të librit të gazetares Maria Krepo sjellë në shqip nga Vladimir Bako.

Në vitin 1927, të gjitha udhët, edhe ato të mërgimit, kalonin nga Parisi. Tepër e varfër Tanja pozon për piktorët, pastaj hyn në "Foli-Berzher", thjesht si një "manekin". Dhe shumë shpejt e njohur si "trupi femëror më i këndshëm i Parisit", ajo u tëhoq nga një mbret, mbreti Ahmet Zog i Shqipërisë, i cili e mbajti në oborrin e vet. Kjo periudhë e paharrueshme për Tanjën dhe mbretin e shqiptarëve përshkruhet në librin "Nga Kaukazi në Foli-Berzher" të gazetares Maria Krepo. Tanja aty rrëfen përjetimet e saj për atë kohë kur ishte vetëm 20 vjeçe dhe zbuloi Shqipërinë, Oborrin mbretëror dhe mbretin Zog. E dehur nga kaltërsia e detit, nga plazhi me rërë të imet si dhe nga mbrëmjet e qeta, kercimtarja pariziane u lëshua e tëra pas mbretit. Tanja u mbulua me aq bizhuteri, gjerdanë,unaza dhe fustane e pallto sa nuk i kish ëndërruar gjithë jetën. Zogu atëherë 33 -vjeçar, i shpallur mbret vetëm para një viti ishte i marrosur pas 20 -vjeçares. Një dashuri që do të zgjaste vetëm tre vjet por që do të bëhej legjenda metropolitane e Parisit dhe më tej.

Në fillim të vitit 1929 nisa të dubloj artistë të ndryshëm nëpër skena erotike filmash, ku duhej të luaja çaste nudo. Filmi i parë i kësaj serie ishte "Gruaja dhe Pantini", në të cilin i huaja trupin Konçita Montenegras. Unë jam edhe cigania që kërcen tek "Monte-Kristoja". Në tërë këta filma luaja skena kalimtare, por më në fund u bëra violina e parë me një rol të vërtetë: më kërkuan për të luajtur tek "Kartakala, mbretëresha e ciganëve". Më sugjestionoi shumë ky rol dhe kërkova të takohem me autorin e skenarit, por ky gjendej në Shën-Mari-dë-la-Mer, ku po zgjidhte vendet e xhirimit. Sakaq, e shoqëruar nga im më, u nisa per Bruksel, isha ftuar që të kërceja në një mbrëmje zyrtare.

Edhe shqiptarët ishin të ftuar në atë mbrëmje. Po bëhej rreth një muaj që nga dita kur Ministri Fuqiplotë i Shqipërisë dhe deputeti më kishin bërë kërkesën që të shkoja për të kërcyer në Shqipëri, në teatrin mbretëror të këtij vendi; duhej të kërceja për mbretin Zog (të cilit ia dëgjoja për të parën herë emrin), që së afërmi, në tetor, festonte përvjetorin e parë të hipjes në fron.

Në Bruksel, të dy burrat këmbëngulën edhe një herë në kërkesën e tyre. Duhej që të përgjigjesha menjëherë, puna ishte urgjente, në Shqipëri më prisnin.

Do te merresha me rolin e Kartakalës, apo do të zgjidhja vallëzimin në Shqipëri?! As vetë nuk mund ta di se përse parapëlqeva të bëja një turne në këtë vend të largët. (Kështu fati kaloi tek Vivianë Romansa, që përmes rolit të Kartakalës, pati sukses në karrierën e saj kinematografike. Do të gënjeja, po të mos pranoja se pata sidoqoftë njëfarë keqardhje për veten, që më ngacmoi më pas, kur u riktheva në Francë).

U sqarova shqiptarëve se ishte e vështirë të nisesha në muajin gusht, tani kisha nisur një grup numrash personalë në shfaqjet e Foli-Berzherit, ndaj edhe më lipsej një kohë e caktuar për të gjetur një zëvendëse.

Shumë më vonë pyeta veten ishte në dijeni im më për arsyen e vërtetë të ftesës për këtë udhëtim. ? Këtë nuk mund ta mësoj kurrë, asnjëherë nuk ia bëra këtë pyetje sa qe gjallë dhe ndoshta asnjëherë nuk do t'ia bëj më edhe vetes. Di vetëm se ajo u nis me një gëzim të madh për të më shoqëruar në ato troje kaq të largëta dhe që më pas ëndërronte vetëm një gjë: të braktiste Shqipërinë.

Në fakt në gusht, mundëm që të niseshim për Romë, ashtu të katërt së bashku: im më, unë, ministri dhe deputeti. Roma ishte lënë si vendi ku do të firmosej kontrata. Unë nuk e kuptoja përse: Mamaja do të kishte shkuar edhe më këmbë në Romë. Përpara se sa të niseshim, miqtë tanë në Francë u përpoqën të na ndalonin: "E ç'do të bëni në këtë vend të egër, ku as hekurudhë nuk ka?". Po im më ua priste: "E, ne kemi udhëtuar edhe në vende, ku mund të ecësh vetëm mbi shpinën e gamileve. Kjo nuk na tremb".

Kontrata u nënshkrua në Konsullatën e Shqipërisë dhe me kërkesën time edhe atë të Rumanisë. Firmosa për një angazhim tremujor. Të ardhurat nga kontrata i depozituam në një bankë të Parisit dhe nisëm nga vizitat në qytet; im më në një jetë gjysmë ireale mërmëriste: "E di, e di...". Ndërsa unë nuk i kushtoja vëmendje të veçantë gjendjes së saj të çuditshme shpirtërore. Por gjëja që më la vërtet përshtypje të çuditshme lidhej me faktin se shqiptarët nisën të blenin veshje. Pasi kishin konstatuat me çudi që përdorja një valixhe të vogël e jo të re të tipit Samaritan, në të cilën kisha vendosur kukullën, këmishën e natës që më kishte blerë mamaja dhe një fustan mbrëmjeje për kabaretë, një fustan nga ata që artistët ua rishesin shoshoqit, shqiptarë thanë: "Ju duhet një garderobë".

-E përse?
-Është e nevojshme.

Qëndruam tri ditë në Romë vetëm për veshjen time. Im më dhe unë po binim të sëmura duke parë çmimet fantastike të veshjeve që na sillnin, këto i kalonin shumat e kontratës, ndaj unë u detyrova t'iu them burrave të Zogut:

Unë nuk mund t'i blej të gjitha këto!

-Nuk ka asnjë rëndësi, është e nevojshme, do t'ju duhet të shëtisni shumë, mos u shqetësoni...

Valixhja nga Samaritania u zëvendësua me një valixhe me lëkurë derri, që hapej sa herë në të duhej të ngjesheshin veshje të reja. Mu krijua një luks i bollshëm- e çfarë nuk kisha tani? Gjithnjë e më shumë po kthehesha në Hirushen e kohës së Zanave. Unë vajza që nuk kisha patur veçse një kostum të vogël dhe një pallto të zakonshme, tashmë mbulohesha me fustane të shumta të paradites, të pasdites, të mbrëmjes. Mamaja gjithashtu u vesh me rroba serioze kokë e këmbë. Dhe kur pyeste: "Ç'janë gjithë këto?", I përgjigjeshin thjesht: "Zonjë ju po shoqëroni bijën tuaj!". Sim mëje që e urrente ngjyrën e zezë, i bënë një fustan të zi, ngaqë e zeza ishte "tamam ngjyra që duhej".

Na doli koha të bënim edhe një pelegrinazh në relikat e Shën Nikollës, gjithnjë të shoqëruara nga dy myslymanët tanë, pastaj hipëm në vaporin e Barit që do na shpinte drejt Shqipërisë. Nuk pata mundësi të shihja fotografinë e mbretit, të dy burrat thonin se nuk kishin me vete asnjë.
Më 10 gusht mbërritëm në Durrës. Na priste një Roll, ushtarakët na përshëndetën dhe më pas, të shoqëruara nga deputeti, arritëm në një sallon në brigjet e Adriatikut.

-Ky salon-na thanë- është ndërtuar për ju, për stinën e verës.
-Mirë, po ku është teatri?
-Teatri është në Tiranë. Oborri e kalon verën këtu. Jeni në krah të Sallonit Mbreteror".

Salloni ynë përbëhej nga një ambient pushimi, nga një dhomë ngrënieje, dy dhoma të tjera dhe një banjë. Energji elektrike nuk kishte. Ndriçoheshim prej llampash vajguri. E megjithatë unë isha e magjepsur: një rrugëz me shkallare që niste nga godina jonë zbriste pa u ndërprerë deri në bregun e Adriatikut.


Pastaj erdhi personeli të merrte kontakt me ne: një kuzhinier francez, me grua dhome shqiptare që mezi çaparashiste diçka në italisht, por që nuk thoshte dot asgjë në frëngjisht dhe shërbyesi; ky i fundit shqiptar dhe që fliste në mënyrë të admirueshme frëngjisht. Emri i tij ishte Dedë Suli, kishte qenë ordinancë e Franshe d'Espereit, gjate kohës kur ai komandonte trupat aleate në Maqedoni. Dedë Suli nuk na u nda asnjë hap.

Në mbrëmje, deputeti që na kishte shoqëruar, erdhi me një Roll e na kërkoi të na paraqiste te mbreti. Familja mbretërore kishte ambiente të shumta banimi, na drejtuan në njërin nga ata dhe na lanë lë prisnim në holl.

Pas pak pashë të hynte një burrë i gjatë, i hollë, bjond dhe me sy blu, që e mora për një officer austriak. Por befas deputeti u nxitua të më prezantonte para mbretit.

-Ju qenkeni?-thashë e çuditur.

-U zhgënjyet. Më imagjinonit ndryshe?

-Kam jetuar një pjesë të madhe të jetës midis njerëzish orientalë, ndaj më shumë ju përfytyroja si njëfarë pashai. Por ngjani me një oficer austriak ose jugosllav, nuk keni asgjë orientale". (Ai i shkëbente më shumë disa rumunëve që kisha mundur të njoh gjatë jetës dhe që ishin më austriakë se sa austriakët).

-Është e vërtetë, kam lindur myslyman, por ndjehem europian. Veç kësaj kam shkuar një pjesë të jetës në një shkollë austriake".

Teksa pinim vazhdimisht shampanjë, pyeta mbretin se kur ishte menduar që të paraqitesha në teatër.

"Për këtë do të flasim më vonë. Këto kohë unë jam me pushime, përfitoni edhe ju të pushoni".

Kishte një buzëqeshje zbavitëse, që më çuditi pak dhe më nervozoi shumë.

-Keni orkestër? Pianist?

-Po, po. Kam një pianist të shkëlqyer, një francez.

Më pyeti nëse pëlqeja të lexoja. Bibliotekën nuk e kishte me vete, po mund të porosisja ç'të doja. "Çdo gjë që do t'ju japë kënaqësi juve dhe nënës suaj!".

Të nesërmen erdhën dhe më kërkuan: duhej të isha e vetme.

Deputeti i tha sim mëje: -Këtë herë, zonjë, ju nuk mund ta shoqëroni bijën tuaj.
Mamaja e kuptoi se nuk kishte më vend për të bërë diskutime dhe se duhej ta gëlltiste shqetësimin në heshtje.


Ishte mbarimi i pasdites, Zogu më priti si i magjepsur. Më pyeti nëse më pëlqente të notoja.

I thashë se noti më zbaviste pa masë, se kishte shumë kohë qe nuk më ishte dhënë rasti për të shijuar një kënaqësi si kjo dhe se distanca më e madhe që kisha përshkuar gjithë-gjithë me not ishte Dniestri. I rrëfeva këtë histori mbretit, madje edhe disa të tjera: ai më dëgjonte dhe pak kohë më pas nxorri një dosje. Dosja lidhej me mua.

"Ju duhet ta dini, Tanja,-tha ai,-ju njoh mirë, fare mirë".

-Si më njihni? Që kur?

-Në fillim ju kam parë, ju kam parë kur kërcenit në "Foli-Berzher".

-Po atëherë, përse nuk erdhët të më takonit?

-Nuk kishte shumë rëndësi. Erdha që tju shihja në mënyrë të fshehtë, veç kësaj qëndrimi im në Paris ishtë shumë i shkurtër.
Më tregoi fotografitë e mia dhe një anketë të tërë policore.

"Dedektivët ju kanë ndiekur. Na duhej të njihnim opinionet tuaja politike, të mësonim mënyrën tuaj të jetesës".
-E përse i keni bërë të gjitha këto?

-Fare e thjeshtë. Unë kam rënë në dashuri me ju. Tani ja ku jemi, ju jeni e burgosura ime. Nëse doni do të njihemi".

Isha hutuar krejt nga ajo që sapo kisha degjuar. Që kur kishim mbërritur në Romë jetoja si në një përrallë- dhe isha e re.
Ai me tha:

Në takimin tjetër më tregoni kontratën.

Unë ia solla. Ai nguli sytë në të:

"Këta janë hajdutë. Kam thënë të bëjnë një kontratë për 25 mijë franga, ata e kanë bërë për 15 000. Dhe ju lutem më thoni, përse duhej bërë një garderobë e tërë për ju në Romë?".

-Por ngaqë unë nuk kisha asgjë!

Zogu qe mashtruar, këtë e kuptova, kohë më pas. Duke më parë të zhveshur në skenë, më kishte përfytyruar si "gruan fatale". Mbreti nuk e kishte ditur që "gruaja e tij fatale" ishte një vazjë e varfër, e cila që nga mosha njëmbëdhjetë vjeçare nuk kishte më asgjë.

Zogu ishte shumë i egërsuar ndaj ministrave vet, të cilët, siç thoshte ai, "e vidhnin", çmimet e të gjitha sendeve që më kishin blerë ishin katërfishuar ose pesëfishuar.

-E si mundet që ju të mos keni asgjë, për ju flitet aq shumë?

-Por flitet për mua të zhveshur, zotëri, askush nuk flet për fustanet e mia.- Fustanet! Nuk kisha nevojë për to. Rrija e zhveshur në Foli-Berzher, e zhveshur përpara piktorëve dhe skulptorëve, e zhveshur në kabare. Fare pak tyl, pakëz grimca rrezulluese që imitonin arin, një dajre; ja gjithçka.

«Po Parisi....

-Ka Paris e Paris. Sigurisht që ka në Paris shtëpi me oxhaqe të lartë dyer të mëdha, por këto nuk u përkasin artistëve të thjeshtë".
Këtë Zogu nuk e kuptoi dot kurrë.

Pastaj i thashë:

"Ju duhet të mësoni se fama e "Çupkës së Foli-Berzherit" është diçka që nuk i duhet zënë besë".

-Dhe ju-tha Zogu-nuk paskeni patur në jetë burra të tjerë?!

-Jo. Ka patur që janë dashuruar pas meje, por s'më ka dalë koha që të mërrem me të dashurit e mi, duhet të punoja. Në planet e jetës sime nuk hynin të dashurit"

Mbreti Zog ka qenë shumë njerëzor me mua, shumë i sjellshëm, i butë. Në fund ai arriti atë çka dëshironte, por vetëm pas një muaji të tërë. Nuk më nxiti, priti sa të isha e gatshme. Dhe besoj e kam çuditur, madje jo në pak gjëra.

Sa për teatrin mund të them se ai nuk ekzistonte. Unë kam kërcyer vetëm një herë përpara mbretit, të cilit loja ime iu duk e admirueshme, e pakrahasueshme, por Zogu ishte i dashuruar vetëm pas valsit vjenez.

Vallëzoja shpesh, por me të, shoqëruar nga muzika e disqeve. (Në Shqipëri kishte vetëm një orkestër, kjo ishte orkestër ushtrie). Ne, unë dhe Zogu mund të jetonim edhe vetëm me maratonën e vallëzimit. Për gjithçka që ishte tango, foks-trot, vals, ishim të pamposhtshëm. Vallëzonim vetëm, ose rallë nëpër festa edhe përpara të ftuarve të paktë: ministra dhe personalitete të tjerë të Pallatit.

Gjatë pushimeve tona në Durrës gjithçka më dehte: deti, plazhet e bukur e me rërë të imët, ekskursionet që bënim me tim më (gjithnjë nën shoqërinë e Ded Sulit, sigurisht). Cila grua nuk do të kishte qenë e magjepsur në një jetë, ku edhe më e vogla dëshirë e saj ishte urdhër?!

Nëse doja një parfum, do të më sillnin nga ky një sasi sa për gjithë jetën. Mbulohesha me bizhu, me "lecka" shumë të kushtueshme. Zogu ishte si gjithnje i butë, tepër i sjellshëm, magjepsës. Ai qe tridhjetetre unë njëzet. Kisha jetuar gjithnjë nën presion, duke punuar në mënyrë të vazhdueshme, tani kisha ditët e mia të shplodhjes; lexoja, shëtisja, më dilte koha të admiroja zambakët e rërës, aq të hollë, aq të bukur.

Pas disa kohesh, mamaja ra përsëri e sëmurë nga paludizmi. Zogu i propozoi një pushim në Karlsbad, por mamaja, që nuk e njihte Gjermaninë preferoi të shkonte e të pushonte në Vishi. Duke shkuar në Vishi, kaloi nga Parisi, ku shleu detyrimet për apartamentin tonë të vogël në hotelin "Minerva". Me kërkesën e Zogut, i dërgova një letër Foli-Berzherit, me anë të së cilës kërkoja të tërhiqesha nga detyrimet. Tani isha një robinë, nën mbikqyrjen e Dedë Sulit, nje burri krejt të shquar.

Gjatë gjithë kohës që pushova në Durrës, skenari mbeti i pandryshuar. Ditës dilja e shoqëruar nga im me, flas për kohën kur ajo qe në Shqipëri. Rreth kohës kur binte dita, vinin më kërkonin, shpesh.

Vetë Ahmet Zogu vinte të më takonte. Hanim bashkë, kaloja pasditen me të. Të dy bënim plazh me kostume të rregullt banje, nuk flitej kurrë të plazhonim nudo. Dhe notonim të dy bashkë deri pranë vaporëve ushtarakë, të ankoruar thellë në det, larg rezidencës së tij.

Protokolli parashikonte madje edhe orët tona të dashurisë. Dashuria bëhej gjithnjë në të njëjtën orë; ndoshta mund ta quaje të gjithë këtë, "nëpunësi", ndonëse unë nuk kisha shpirt prej funksionareje. E megjithatë ajo bëhej, pavarësisht nga unë! Por e gjitha kjo nuk më dukej se mund të ishte jeta e vërtetë e dy të dashuruarve. Zogu, mendoj, nuk ishte një qenie e ndezur në pasione, më dashuronte, kishte dobësi të madhe për mua, por protokolli, kotësitë e funksionit të tij mbretëror merrnin frenat dhe vinin nën kontroll gjithë gjërat e tjera.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama