Bajern Mynih-Atletiko Madrid/ Notat per skuadrat

Bajern Mynih-Atletiko Madrid/ Notat për skuadrat

BAJERN MYNIHgriezman nojerNojer 6,5 - Një portier i padiskutueshëm dhe e tregon përsëri kur ndal Torresin nga penalltia dhe mban edhe për disa minuta gjallë shpresat e Bajernit. Disa ndërhyrje të tjera që i vlejnë këtë notë.

Lahm 6 - Vrapon pa fund në korsinë e tij. Ka edhe një rast goli dhe hedh drejt zonës një duzinë me topa.

Boateng 6,5 - Rikthehet titullar dhe është fantastik. I befason të gjithë në mbylljet për Atletikon, por edhe në fazën ndërtuese. Shpesh çmarkon shokët me pasimet milimetrike. Sa i ka munguar këtij Bajerni!

Martinez 6 - Gabon pak, por mbi të gjitha shfaqet përpara dhe është gjithnjë i rrezikshëm me kokë.

Alaba 6,5 - Rikthehet në krahun e tij pas ndeshjeve në qendër dhe duket se cili është roli i vërtetë i austriakut. Gjithnjë i rrezikshëm dhe shpërdoron golin në disa raste.

Alonso 7 - Qarkullon në mënyrë të shkëlqyer topin në mesfushë. Gjen edhe golin nga goditja e dënimit. Mungon vetëm kualifikimi. Nëse do kishte ardhur, mbrëmja e spanjollit do kishte qenë perfekte.

Kosta 5,5 - Nga ai pritej shumë më tepër. Nuk ndizet kur duhet dhe ka pak shpërthime nga anët e tij.

(Nga 73´ Koman 5 - Hapësirat që i munguan Kostës i gjen francezi dhe provon dy herë të befasojë Oblakun, por tentativave të tij u mungon forca. Vonon atëherë kur duhet të krosonte dhe merr vendime të gabuara. Nuk duhet të prisnim më tepër nga një 19-vjeçar).

Myler 5,5 - Shumë altruist kur mbështet Levandovskin. I mungon ftohtësia kur ekzekuton penalltinë. Nuk ishte Myleri më i mirë që kemi parë.

Vidal 7 - Është absurde, por jo rastësi që çdo top që gjen atë në dyluftim ai e fiton. Dhe përse? Sepse e sulmon gjithnjë me zemërimin e duhur. Do duheshin 11 Vidal!

Riberi 6,5 - Luan shkëlqyeshëm, vrapon dhe lëviz pa fund, por mbi të gjitha arrin gjithnjë të dalë fitues në duele, duke vendosur në vështirësi Huanfranin, veçanërisht në pjesën e dytë.

Levandovski 7 - Është në gjendje fizike të jashtëzakonshme. Vrapon, krijon hapësira, shërben e mbi të gjitha shënon. Një sulmues i tillë do t'i bënte punë çdo trajneri.

Trajneri Guardiola 6.5 - Nuk mund t'i vendosësh dot një notë negative. Përkundrazi, nuk është më e lartë vetëm sepse ai është eliminuar në gjysmëfinalen e tretë radhazi. Por Bajerni luan shkëlqyeshëm, dominon, krijon. Nëse të tijtë nuk shënojnë, nuk është faji i tij. E papranueshme ta quash të dështuar aventurën e tij europiane, ose të paktën kjo e këtij sezoni nuk meriton të quhet e tillë.

ATLETIKO MADRID

Oblak 7 - Pëson dy gola, është e vërtetë, por sa pritje bën?! Nxjerr gështenjat nga zjarri për të tijtë thuajse gjithnjë, duke u thënë jo të gjithëve, Levandovskit, Mylerit, Riberisë, kujtdo. Pret edhe penalltinë e gjermanit.

Huanfran 6 - Në pjesën e parë mban shumë mirë fushën me përvojën e tij. Në të dytën gjendet në vështirësi në kontrollin e Riberisë. Por në total është një provë e kaluar.

Godin 6,5 - Rikthehet si titullar dhe në zonë spastron gjithnjë uruguaiani, në vendin e duhur në shumë situata.

Jimenez 5 - Paguan mungesën e përvojës. I pafat në devijimin në rrjetë të goditjes së dënimit të Alonsos dhe naiv në faullin ndaj Martinezit pak më vonë.

Filipe Luis 5,5 - Në fillim Kosta dhe pastaj Koman janë pesha të rënda për t'i kontrolluar, por ai ia del. Kontribut të shkëlqyer edhe në fazën sulmuese.

Saul 5,5 - Në ndeshjen e parë një nga më të mirët, në Mynih është një hije. Nuk arrin kurrë të ndizet në mbrëmjen gjermane.

Gabi 6,5 - Është i pari që mbron, por edhe i pari që ndërton. Nuk numërohen rastet në të cilat hidhet me trup në goditjet e kundërshtarëve dhe shmang topa që do përfundonin në kuadrat. Fernandez 5 - Në pjesën e parë është në vështirësi nga ritmi i lartë i Bajernit. Për t'u riparë.

(Nga 46´ Karrasko 6 - Ka meritën që nisi Torresin në aksionin që solli penalltinë për Altetikon. Shumë pak në pjesën tjetër, por bën pak edhe gabime).

Koke 6 - I bën të dyja fazat. Përpara provon gjithnjë të shpikë diçka. (Nga 90´ Saviç, pa notë).

Torres 6 - Ndeshje e çuditshme e "El Ninjos". Prek shumë pak topa. Por në të parin apo të dytin që prek nis Grizmanin drejt golit. Pastaj gabon edhe penalltinë. I luhatshëm.

Grizman 7 - Sa herë është ai te topi, shtohet paniku në mbrojtjen gjermane. Është i ftohtë në rastin e golit kur djeg Nojerin në shtyllën e parë. (Nga 82´ Partej, pa notë).

Trajneri Simeone 7 - Çfarë duhet të themi? OK, Atletiko mbrohet shumë. OK, Bajerni dominon. Por ka eliminuar bavarezët dhe Barcelonën dhe e dërgon skuadrën në finalen e Champions-it për herë të dytë në 3 vite. Rezultati është legjendar edhe pse mbi mjetet që e arrin mund të diskutohet gjithnjë. Por përshtypja është se edhe një herë mbi "pastërtinë" predominoi pragmatizmi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama