Avokatet marrin ne shtepi grate e dhunuara nga burrat

Avokatët marrin në shtëpi gratë e dhunuara nga burrat
Strukturat lokale në Durrës dhe shoqëria civile ndjehen të pafuqishme në raste ekstreme, të cilat gjithnjë e më shumë po bëhen evidente dhe të shpeshta dhe i janë drejtuar bashkisë së qytetit me kërkesën e krijimit të një strehëze, aq shumë të nevojshme për viktimat e dhunës familjare. "Duhet gjetur një zgjidhje për këtë, pasi po rrezikojmë dhe martesat tona duke dashur t‘u japim mbështetje grave të terrorizuara nga dhuna e bashkëshortëve", thotë një avokat nga Durrësi, ndërsa tregon rastin e një gruaje që u ndihmua nga një çift durrsakësh, emigrantë në Itali, për t‘iu larguar vendimit të flijimit në det dhe më pas u strehua për një natë në shtëpinë e tyre për t‘u kthyer rishtas atje ku dhunohet.

Punonjëse policie, avokatë dhe drejtuese shoqatash tregojnë raste kur u është dashur t‘i strehojnë në banesat e tyre gratë që ikin nga shtëpia në kushtet e një dhune ekstreme dhe nuk kanë ku të fusin kokën. Në këtë sorollatje mund të bien pre dhe e rreziqeve të tjera. Shefja e seksionit të Mbrojtjes së të Miturve dhe Dhunës në Familje në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, Mimoza Kuca, gjithashtu mbart shqetësimin për mungesën e një strehëze për gratë në qytetin bregdetar: "Nuk mund të vazhdojë kështu.

Unë e kam bërë njëherë, po nuk mund ta bëj rishtas, pasi ka rreziqet e veta një ndërmarrje e tillë, ndërsa gratë në nevojë për strehim të përkohshëm janë në rritje". Problemi u ngrit gjatë një takimi të bërë me aktorë të shoqërisë civile, strukturave shtetërore dhe pushtetit vendor. Në shumë raste, vajza të trafikuara dhe gra të dhunuara i kanë kaluar ditë-netët e tyre të trishta, duke fjetur në tryeza pune të shoqatave, ndërsa prisnin që të bëheshin realitet përpjekjet për t‘i sistemuar diku. E ndërsa për të trafikuarat ka më shumë mundësi zgjidhjeje, duke i dërguar drejt Vlorës e Tiranës, për gratë e dhunuara nga bashkëshortët problemi është i mprehtë. Gjatë 11 muajve të këtij viti, seksioni i Mbrojtjes së të Miturve dhe Dhunës Familjare në policinë e Durrësit ka evidentuar dhe ndjekur 91 raste të dhunës në familje, 86 prej të cilave në Rrethin e Durrësit dhe vetëm 5 raste në Krujë.

"Në bashkëpunim me shoqatën e grave të Durrësit, kemi bërë të mundur të dërgojmë në strehëzën e Tiranës dy gra të dhunuara, pasi në Durrës mungojnë ambientet dhe kushtet për trajtimin e tyre", thotë shefja e seksionit, Kuca. Policia, gjykata, avokatët e viktimave të dhunës dhe shoqata e grave me probleme sociale në Durrës deklarojnë vështirësitë që hasen në mbrojtje të grave të dhunuara si pasojë e mungesës së një vendi për akomodimin e tyre. E vetmja qendër sociale për gratë e vajzat që funksionon në Durrës ofron këshillim dhe jo një strehë të parë për gratë e dhunuara që për t‘i shpëtuar dhunës ekstreme, gjaknxehtësisë së bashkëshortëve, marrin arratinë e përkohshme duke kërkuar një zgjidhje për situatën e tyre. Në të gjitha rastet dhunuesit ndiqen penalisht në gjendje të lirë, gjë që rëndon më tej pozicionin e gruas denoncuese apo dhe prindërve denoncues ndaj bijve të dhunshëm, duke provokuar më shumë dhunë ndaj tyre.


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama