Shqiptari, emri i të cilit nuk është publikuar, ka rrëmbyer një superskaf në qytetin francez, Lion, dhe ka tentuar të bëjë një udhëtim maratonë nga lumi Rhone përmes Mesdheut dhe Atlantikut, për të mbërritur në brigjet e Britanisë së Madhe.
Por i riu shqiptar u kap pa e mbyllur aventurën e tij, pas një operacioni shumë orësh, kryer nga autoritetet franceze. Policisë franceze, duke mos ditur shumë për shqiptarin, i është dashur që për dy orë të ndërtojë operacionin me përpikëri, deri në momentin e bllokimit të tij. Shqiptari u kap në momentin kur tentoi më kot të bënte një manovër për të kthyer mjetin 30 metra të gjatë. Policia franceze dhe mediat e atjeshme shprehen se edhe nëse ai do të arrinte t‘i shpëtonte policisë për të arritur qëllimin, do t‘i duhej të bënte rreth 300 km udhëtim deri në det të hapur dhe më pas 3000 km të tjera drejt ngushticës së Gjibraltarit dhe më pas në veri përmes gjirit Biskei.
Sipas të dhënave hetimore, shqiptari 20-vjeçar gjendej në Francë si pjesëmarrës në një konkurs karateje. Pasi ka mbaruar evenimenti, mësohet se ai ka dalë xhiro, për të përfunduar në kabinën drejtuese të jahtit francez. Aty ka tentuar ta ndezë, por është pikasur menjëherë nga pronarët e jahtit, të cilët kanë telefonuar policinë. Forca të shumta speciale kanë rrethuar zonën me skafe dhe helikopterë. Agjencitë e lajmeve njoftojnë se atyre u janë dashur më shumë se dy orë ta bindnin shqiptarin të dorëzohej. Më në fund ai është kapur në flagrancë dhe është çuar në qeli.
Ndërsa ditën e djeshme ai doli para gjykatës, ku rrëfeu arsyet dhe planin e tij për këtë aventurë të rrallë. Duke folur para gjykatësit, 20-vjeçari pranoi se e kishte bërë me vetëdije këtë veprim. Të njëjtën gjë ai kishte shprehur edhe në prani të psikologut. Madje, ky i fundit shpjegoi se gjendja mendore e tij është shumë e mirë. Ai tha se gjatë marrjes në pyetje, shqiptari ka deklaruar se e kishte kryer këtë veprim pasi e kishte ëndërr një aventurë të tillë. "Më vonë më zuri paniku dhe nuk dija ç‘të bëja", mësohet se është shprehur shqiptari para psikologut.
Gjykatësi, i cili ka dëgjuar variantin, e duke marrë shkas edhe nga pendimi i shqiptarit 20-vjeçar, i cili nuk ka pasur ndonjë precedent të mëparshëm policor, vendosi ta dënojë vetëm me katër muaj burg. Por, historia nuk përfundon këtu. Shqiptari është shprehur që po planifikon të aplikojë për azil në Francë. Lajmi ka bërë jehonë në mediat franceze, për shkak të guximit të tij për të ndërmarrë një aventurë të tillë. Mijëra emigrantë që udhëtojnë drejt Europës zgjedhin edhe këtë rrugë nga Franca drejt Anglisë, por natyrisht jo duke rrëmbyer skafe 30 metra të gjatë. Vendet europiane si Spanja, Franca, Greqia dhe Italia janë nën presion nga BE-ja për të marrë masa më të forta për të mos lejuar emigrantët që vijnë kryesisht nga Afrika e Azia që të mbërrijnë në brigjet e tyre për të hyrë pastaj në vendet e BE-së.











