Autobusi mbeti i varur ne bordure vajzat ne panik prishen ekuililbrin

Autobusi mbeti i varur ne bordure, vajzat ne panik prishen ekuililbrin
Alma Deda nga Rrogozhina është një ndër vajzat e mbijetuara nga tragjedia e 3 ditëve më parë, në Qafën e Vishës, në Himarë. Ajo tregon një nga 36 “përse”-et. Rrëfimi i saj ka një detaj të paditur që lidhet me sekondat para se autobusi të binte përfundimisht drejt greminës.

Mund të na e përshkruash momentin e rrëzimit të autobusit?

Po. E mbaj mend shumë mirë se çfarë ka ndodhur brenda atyre pak minutave. Unë isha në gjumë dhe pas dy minutash, pasi u zgjova, ndodhi gjithçka. U zgjova, u mbështeta në sedilje dhe po prisja që të qëndronim për të ngrënë. Kaluam një kthesë të fortë dhe erdhi kthesa tjetër. Kur, në atë moment autobusi u fut nga ana e kodrës dhe u ndje një përplasje dhe zhurmë e fortë. Reaguam të gjitha duke bërtitur, ndërsa shoferi frenoi, por autobusi nuk ndalej. Autobusi ngeli nga njëra anë në ajër dhe ne nuk dinim më se çfarë po bënim.

Çfarë bëtë në ato momente, ju tha ndonjë gjë shoferi?

Shoferi po bërtiste: “Bo, bo çfarë ndodhi. Mos lëvizni… mos dilni para autobusit se do të rrëzohemi… prisni sa t’u hap derën, mos dilni para. Qëndroni në fund të autobusit, nuk duhet të peshoni para” etj. Por, ne na kapi paniku dhe të gjitha u turrëm para autobusit pa vetëdije. Po të kishim qëndruar në fund, nuk do të binim. Shoferi u përpoq të hapte derën, por butoni që po shtypte nuk punonte më, autobusi nuk po merrte më komandë. Ai thoshte: “Nuk punon, nuk punon..”. Ishte çështje sekondash…nuk di ç’të them. Autobusi u rrotullua dy here derisa u rrëzua në fund.

Mbani mend gjë se ku u gjendët më pas?

Kur kemi rënë, unë dola jashtë autobusit. Me siguri që kam dalë nga xhamat. Unë shpëtova se autobusi u plas në një vend që ishte si shesh i vogël dhe ngela aty, ndërsa autobusi vazhdoi të rrokullisej më poshtë.

Ishit e vetëdijshme në momentin që dolët jashtë autobusit?

Po. Tani e mbaj mend dhe e kujtoj qartë. Mbaj mend britmat e vajzave të tjera, që mundoheshin të dilnin dhe bërtisnin të tmerruara: “Na ndihmoni…kanë vdekur…” etj. Nuk mundem ta kujtoj më atë moment, ishte e tmerrshme, nuk e përshkruaj dot skenën kur po i shikoja nga lart. Më kujtohet Besjana, vajza që ishte me të fejuarin, e cila bërtiste e lebetitur : “Më nxirrni Mandin! Ju lutem, më nxirrni Mandin…Ai është brenda. Mandi është brenda…”.  Pastaj mbaj mend shoferin (mbulon kokën me dorë dhe qan), ai ishte me një gur të madh mbi kokë. O zot! Ishte e tmerrshme, ajo skenë.

Kush ju nxori nga vendi ku u rrëzuat?

Ishte një kalimtar. Më pas, ndoshta për 10 minuta, erdhi edhe ambulanca dhe më çuan në Spitalin e Himarës.

Po me familjen si u lidhët?

Në momentet e para nuk më kujtohej asnjë numër telefoni nga pjesëtarët e familjes. Më pas m’u kujtua numri i të fejuarit, por nuk isha e sigurt dhe i thashë infermieres që ta provonte njëherë numrin. Ajo komunikoi me të fejuarin tim dhe i tha që unë isha gjallë dhe ndodhesha në Himarë. Pastaj më morën me helikopter dhe më sollën në Spitalin Ushtarak.

Shoferi kishte konsumuar pije alkoolike?

Jo. Ne nuk kishim qëndruar për të ngrënë. Madje, ju thashë që mezi po prisnim se kishim uri.

Po ecte me shumë shpejtësi autobusi?

Jo, nuk ishte shpejt. Mendoj se rrëzimi ka ndodhur për shkak të rrugës, se të them të drejtën rruga ishte shumë e vështirë. Ishin, dy kthesa të menjëhershme, tek njëra kaloi, ndërsa tek tjera nuk mundi dhe u fut në kodër.

Sa persona ishit brenda?

36 persona.

A kishit listë me emrat e të gjitha studenteve në autobus?

Lista ishte me të gjithë emrat që ndodheshim në autobus dhe përkrah tyre ishin edhe firmat e gjithsecilit.

Kishte pedagogë brenda?

Jo. Një pedagog që ishte me ekspeditën tonë, ndodhej në autobusin tjetër.

Din Selimaj: “Dy nga vajzat, në gjendje të rëndë”


Kirurgu Din Selimaj, natën e 21 majit ka qenë mjeku roje, që organizoi dhe priti të mbijetuarit e Qafës së Vishës. Në ato momente spitali u përgatit që të ishte në dispozicion të të dëmtuarve, që priteshin të mbërrinin në Spitalin Ushtarak. Kirurgu Selimaj, shpjegon se gjendja aktuale e vajzave është e mirë dhe e stabilizuar. Tre nga vajzat janë në gjendje më të vështirë për jetën. Florie Peçi dhe Briselda Gubere janë ende në koma, me frymëmarrje artificiale dhe dëmtimet e tyre janë serioze, por shpresat për përmirësim janë të mëdha.

Sa është numri i vajzave që po kurohen aktualisht në Spitalin Ushtarak?

Aktualisht janë 15 vajza, 9 vajza ndodhen në reanimacion, ku po marrin shërbimin e nevojshëm. Ndërsa vajzat e tjera ndodhen në shërbime të ndryshme, në varësi të problemeve që duhet të ekzaminohen.

Si është gjendja e tyre?

Në përgjithësi është situatë e mirë. Me 6  nga vajzat që janë në reanimacion, tani mund të komunikohet. Përveç 3 prej tyre. Vajzat marrin këshilla nga mjekët specialistë. Ato riekzaminohen, si për dëmtimet e vjetra dhe për ato të reja që paraqesin. Veçohen 3 të sëmurat më rëndë, ku dy nga të cilat mbahen në jetë me aparate, me frymëmarrje artificiale.

Janë vërejtur komplikacione të reja?

Nuk ka shfaqje të dëmtimeve të reja. Veçojmë të sëmurën Florie Peçi, e cila ishte e paidentifikuar deri vonë, që ka manifestime ikterike, për të cilat po studiohet. Kjo është më keq se të tjerat. Gjendja e dy vajzave të tjera është e stacionuar. Njëra nga vajzat do tentohet të zgjohet, domethënë do të lihet me frymëmarrjen e saj.

Cilat janë traumat, që kanë pësuar vajzat?

Kanë dëmtime të organeve të ndryshme. Kryesisht kanë dëmtime të kokës, gjoksit dhe barkut.

Pritet që ndonjëra nga vajzat të dalë nga spitali?

Nuk flitet ende për daljen e tyre nga spitali, por po punohet me intensitet për kurimin e dëmtimeve të paraqitura, si dhe hulumtimin për ndonjë dëmtim që nuk është kapur.

A do të dërgohet ndonjëra për një kurim më të specializuar jashtë vendit?

Lidhur me kurimet jashtë vendit po studiohet nga ana jonë gjendja dhe mundësia e transportimit. Kjo nëse do të kërkohet nga institucionet shtetërore dhe familjarët.

Pengu i profesorit: “Ngatërrova Elsën, studenten më të mirë”

Pedagogu i Gjuhës Shqipe që është njëkohësisht edhe shef i departamentit në Universitetin Aleksandër Xhuvani, Albert Riska, tregon gjithçka mbi udhëtimin. Prof Riska tregon se itinerari fillonte nga Elbasani me Apoloninë pastaj vazhdonte me Sarandën, Butrintin, Korçën, Voskopojën e më 24 maj studentët do të ktheheshin në Elbasan. Më tej Prof. Albert Riska jep detaje për gjithë lëvizjen deri në çastin e aksidentit të tmerrshëm.

Ju udhëtuat me autobusin e dytë. A ishte rastësi?

Unë nuk isha në autobusin e dytë pasi udhëhiqja ekspeditën. Pra, isha në autobusin e parë. Gjatë gjithë kohës ai autobus ka qenë i dyti, vetëm në afërsi të Palasës ka ndodhur një parakalim. Shoferi ku unë udhëtoja ndaloi për të marrë dy kavanoza me mjaltë dhe kjo krijoi shkëputjen.

Çfarë ju ka bërë përshtypje në të gjithë atë që është diskutuar gjatë këtyre ditëve?

Unë kam dëgjuar thashethemet. E para interpretohet si ekskursion dhe jo ekspeditë mësimore. Kjo është në programin mësimor dhe duhet të ishte kryer në dhjetor. Bëmë ndryshim të programit dhe ekspedita u zhvendos në maj. Një thashethem i dytë që kam dëgjuar është se paskam kërkuar para. Unë nuk kam marrë lekë kurrë në ekspedita. Studentët kanë marrë para me vete për fjetje dhe ngrënie. Më shumë më ka vënë në pozitë të vështirë ajo nëna që ka thënë se unë kam kërkuar 100 euro. Unë do të doja që prindi të kërkojë të mësojë ku i prish lekët fëmija dhe mund të ndodhë që ta gënjejë, pra i duhen më shumë para. E kështu, gjejnë një mënyrë për të justifikuar ato para që kërkojnë. Ndërsa gazetarët po më duken si hiena këto tri ditë.

Si ndodhi që ju nuk e patë autobusin e aksidentuar?

Ne ndaluam dhe ai na parakaloi. Ishim 4-5 minuta larg njëri-tjetrit aq sa gjatë kthesave e shihnim. Kur kemi kaluar aty pamë shenjat e rrugës, por nuk e mendova që do të ishte autobusi jonë. Arritëm në Porto-Parlermo ku edhe do të ndaleshim për drekën, pasi në restorantin e parë që kishim porositur kishte gjimnazistë nga Tirana. Pyetëm pronarin e lokalit nëse kishte ndaluar një autobus i Elbasanit, ai na tha që jo. Atëherë lajmi në media ishte shpërndarë për rënien e autobusit. Gjatë gjithë kohës kam thënë nuk janë studentët e mi. Deri në momentin e fundit kam thënë, shpresuar dhe uruar të mos ishin ato. Nga mungesa e sinjalit të telefonave dhe nga shenjat e autobusit frika ishte e madhe, por gjithmonë thoja nuk janë studentët e mi. Shkova e gjeta dy të plagosur që nuk i identifikoja. Kjo me ngjalli shpresën sërish që nuk ishin studentët tanë, por më pas njoha shoferin. Shifra e parë që mora ishte 7 të vdekur dhe m’u duk “mirë” në të gjithë atë rënie të autobusit, pastaj u bënë 8, 9 dhe 11 e 13. Në spitalin e Himarës kam parë njërën nga vajzat e cila vdiq më pas rrugës në helikopter. Infermierja më thoshte se po ftohej, e pashë në sy, i preka dorën. E ndjeva që po ftohej, më shihte dhe unë e shihja. Nuk e njihja. Jo të gjithë i njihja sepse i jepja vetëm leksione.  Qëndrova vetë për identifikimin dhe nuk do të harroj asnjëherë pengun që atë, e cila ishte studentja më e mirë, e ngatërrova me një tjetër. Ajo ishte Elsa Daka dhe unë e ngatërrova gjatë identifikimit të kufomave. Trupave u kishin vënë nga një numër dhe kur arritëm tek numri 11, Elsës i ra telefoni dhe pamë ndriçimin në xhep. Dikush nga inspektorët u përgjigj dhe i tha se i kujt është ky telefon dhe ai që fliste në anën tjetër tha se është i Elsa Dakës. Aty u bë identifikimi i sigurt i vajzës së 11.

I keni shkuar ndonjërës prej viktimave në funeral?

Nuk munda të shkoja dje as në varrim. Nuk doja të merrja pjesë nëpër varrime.

Po shoferin e njihnit?

Ishte një njeri shumë punëtor. E njoh pasi dikur ka qenë basketbollist. E imagjinoja me një pikë djerse në majë të hundës dhe mbaj në mendje fytyrën e tij të deformuar nga hematomat. Doja të ndërroja këtë pamje me atë Pëllumbin kur ishte basketbollist, por imazhi i tij ende më shfaqet.

Çfarë mesazhesh keni marrë nga miqtë e të afërmit?

Më kanë ardhur për vizitë shumë njerëz. Kam marrë me mijëra mesazhe ngushëllime, ndoshta do t’i botoj. Kjo më ngushëlloi se shoqëria jonë funksion, përveç shtypit. Sensibilizimi zbuloi pjesën më të bukur të kësaj shoqërie.

Në dhomën e konviktit, ku mungon Deniza

Dhoma e Denisës, një prej viktimave të aksidentit tragjik të 21 majit, ndodhet në katin e katërt të godinës së vajzave në konviktin e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit. Dhoma 406 kishte 5 vajza, ndër të cilat ishte Denisa dhe shoqja e saj, Arta Ballabani, e cila i shpëtoi mrekullisht pasojave në aksident. Tashmë krevati i saj është bosh se motrat sapo kanë ardhur dhe kanë marrë gjithçka nga librat, fotografitë me kujtime dhe veshjet e saj. Antigona Pole me banim në Gramsh ka qenë në autobusin tjetër dhe e ka dhomën ngjitur me Denisën. Ajo ishte në vitin e tretë gjuhë-letërsi, grupi C dhe e njihte shumë mirë, edhe pse Denisa ishte tip i mbyllur. “Denisa ishte ndër të paktët studentë që nuk kishte asnjë provim të mbartur. Kishte shumë ëndrra dhe mësonte shumë. Projekti i saj ishte të vazhdonte masterin e më pas të ndiqte ëndrrat e saj. Ne bënim shpesh rrugën e kthimit për në Gramsh bashkë.

Ajo ishte një shembull për të gjithë”. Antigona tregon edhe sesi e përjetuan aksidentin e tmerrshëm.  “Fillimisht isha në atë autobus, por profesori na tha që grupi A dhe B të rrinin atje dhe C e D të kalonin në autobusin tjetër. I gjithë udhëtimi ishte shumë i këndshëm. Kemi qeshur e kënduar gjatë gjithë kohës. Dolëm fotografi në Apoloni dhe më pas iu nisëm. U ngatërruam me drekën pasi në lokalin ku kishim porositur, pronari e kishte dëgjuar për 18 dhe jo 80 vetë, e kështu u nisëm drejt Porto-Parlermos ku edhe do drekonim e më pas do të shihnim kalanë. Aty ndaluam dhe pyetëm pronarin, askush nuk e kishte parë autobusin tjetër.

Në lokal kishte një televizor dhe aty mësuam që kishte ndodhur një aksident me një autobus. Profesori u nis drejt vendit ku flitej. Asnjë nga ata nuk përgjigjej në telefon. Ndërkohë ne shihnim helikopterët dhe gjithçka. E merrnim profesorin në telefon dhe ai na përgjigjej se nuk ishte autobusi jonë, por nuk po e besonim më derisa në fund na e thanë se kishte disa të vdekur. Nuk di ti përshkruaj ato orë tmerri. Jam shumë e tronditur nga gjithçka ka ndodhur”, përfundon ajo.

Studentet në koma nisen sot për kurim në Vjenë

TIRANË – Dy prej studenteve të plagosura rëndë në aksidentin e së hënës në Himarë do të dërgohen për kurim në Vjenë. Lajmi është dhënë nga mjekët e spitalit ushtarak, ndërkohë ministri i shëndetësisë Petrit Vasili tha për gazetarët se transporti i Florina Pecit dhe Brisejda Guberes do të bëhet sot në mëngjes me një avion sanitar. Vasili tha se ambasada austriake i është përgjigjur menjëherë kërkesës së ministrisë për bashkëpunim.

Drejtori i Spitalit Ushtarak Bedri Mihaj deklaron se ekipi i specializuar do të mblidhet për të diskutuar nëse gjendja shëndetësore momentale në të cilat ndodhen studentet Florie Peçi dhe Briselda Gubere lejon transportimin e tyre jashtë vendit. “Nuk do nxitohemi, do jemi të matur, duke i dhënë cdo lloj ndihme. Kemi konfirmime dhe sugjerime, për të dy rastet. Miqtë tanë na kanë ofruar bashkëpunim dhe gatishmëri, por na takon neve të vendosim. Vendimi për transport merret me ekip mjekësor të rregullt. “- deklaroi Drejtori i Spitalit Ushtarak në një prononcim për shtyp, bashkë me ambasadorin e BE-së Ettore Sequi.  Mihaj u shpreh optimist për gjendjen shëndetësore të dy vajzave ndërsa për 12 studentet e tjera deklaroi se gjëndja e tyre është relativisht e qëndrueshme.

Lënë spitalin e Vlorës 5 studente, u përmirësuan

 Lënë spitalin e Vlorës 5 vajza të aksidentit. Gjendja e tyre është përmirësuar ndjeshëm. Emrat e 5 studenteve, të cilat i shpëtuan aksidentit tragjik të Himarës janë: Ergita,Opingari,Ticiana Hysaj,Anisa Hysa,Enkela Daja,Adisa Çela. Sipas mjekëve të spitalit rajonal të Vlorës, mbas konsultës së kryer me specialistë të fushave të ndryshme të mjekësisë të spitalit rajonal u vendos që 5 vajzat e plagosura nga aksidenti të trajtuara me kurim mjekësor para tre ditësh, të lënë spitalin dhe të shkojnë pranë familjeve të tyre, mbasi u konstatua se gjendja e tyre është përmirësuar ndjeshëm. Sipas drejtorit të spitalit z, Shkëlqim Selami, të pesta vajzat, katër nga Elbasani dhe një nga Berati u transportuan me autoambulancat e spitalit rajonal të Vlorës me qëllim që familjarët të mos shpenzojnë për transportin e tyre, si dhe të jenë nën kontrollin e mjekëve deri në mbërritjen e tyre. Aktualisht në spitalin Rajonal të Vlorës ndodhen dhe 5 vajza të tjera, tre prej tyre ndodhen në sallën e reanimacionit të kirurgjisë, meqë gjendja shëndetësore e tyre ka nevojë për tu mbajtur nën kontroll.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama