Meta Dy mije vende te reja pune ne Grabjan

Meta: Dy mije vende te reja pune ne Grabjan

Kreu i Kuvendit Ilir Meta u shpreh se brenda dy viteve do të gjenerohen dhe dy mijë vende të reja pune për banorët e fshatit Grabjan të Lushnjës.

Deklarata u krye gjatë vizitës në këtë fshat, për të parë nga afër serat me luleshtrydhe, një investim shqiptar që asistohet nga ekspertë italianë në këtë fushë.

“Pritet që në dy vite, të paktën 2 mijë banorë të zonës do të punësohen në kultivimin e luleshtrydheve. Dhe unë besoj se kjo kulturë përfaqëson një të ardhme të shkëlqyer për zhvillimin e bujqësisë sonë dhe për rritjen dhe shumëfishimin e eksporteve tona, pasi duke shfrytëzuar këtë mikroklimë që ka vendi ynë, si një vend bregdetar, dhe faktin që luleshtrydhja nuk mund të kultivohet kudo, ka disa kërkesa strikte specifike, ne mund të arrijmë që të jemi një faktor i rëndësishëm në tregjet evropiane, në tregun e luleshtrydhes duke realizuar në radhë të parë fitime shumë më të larta për fermerët tanë në raport me kulturat e deritanishme për të cilat ata investojnë dhe njëkohësisht duke garantuar edhe një punësim shumë më të madh dhe njëkohësisht edhe paga shumë më të mira për ta”, tha Meta.

Në këtë vizitë, kryetari i Kuvendit shoqërohej nga ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, dhe dy deputetët, Erion Braçe dhe Petrit Vasili.

Ilir Meta u njoh më nga afër me prodhimin e bollshëm në sera dhe me kushtet e punës së punëtorëve. Kryetari i Kuvendit vlerësoi rezultatet e arritura nga kompania “Alba Fragola” dhe suksesin e arritur prej saj edhe në tregun evropian.

Meta theksoi se Shqipëria mund të arrijë të jetë një faktor i rëndësishëm në tregjet evropiane në tregun e luleshtrydhes, duke realizuar fitime shumë më të larta për fermerët. Ai nënvizoi se nuk është e rëndësishme thjesht të prodhohet, por e rëndësishme është që të jetë e sigurt edhe shitja e prodhimeve.

Meta shprehu bindjen se bujqësia shqiptare do të rilindë dhe do të shfrytëzojë në maksimum kapacitet e saj ende të fjetura. Kryetari i Kuvendit garantoi për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë për sektorin e bujqësisë, ç’ka do të sjellë dhe përmbysjen e raportit import- eksport në fushën e bujqësisë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama