Fullani padit Kuvendin dhe BSH Me shkarkuan padrejtesisht

Fullani padit Kuvendin dhe BSH  'Me shkarkuan padrejtesisht'

Ish-guvernatori Ardian Fullani ka paditur në Gjykatën Administrative Kuvendin dhe Bankën e Shqipërisë për shkarkim të padrejtë nga detyra.

Në 18 shtator të 2014-ës, Kuvendi shkarkoi me votë të fshehtë Fullanin nga posti i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë të cilin e mbante prej 9 vitesh. Në atë kohë, Fullani ndodhej në masën e sigurisë të "arrestit shtëpiak" dhe hetohej për skandalin që përfshiu në korrik të 2014-ës Bankën e Shqipërisë me vjedhjen e 713 milionë lekëve të rinj nga thesari i shtetit në Linzë.

Ishte Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë që i propozoi Kuvendit shkarkimin e Fullanit me argumentin se kish shkelur etikën dhe ka cënuar thellë interesat e BSH-së. Me arrestimin e Fullanit në 5 shtator të 2014, vetëm 2 muaj pas vjedhjes së thesarit, Banka kaloi nën drejtimin e përkohshëm të zëvendësguvernatores së Parë Elisabeta Gjoni, njëherësh anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Ndërsa në shkurt të 2015-ës Kuvendi zgjodhi drejtuesin e ri të Bankës së Shqipërisë, Guvernatorin Genti Sejko.

Ish-kreu i institucionit më të lartë financiat në vend, fitoi pafajësinë në muajin tetor të 2015-ës, nën akuzat e Prokurorisë së Tiranës për shpërdorim detyre ne lidhje me tenderin 30 milion euro të blerjes së hotel Dajtit dhe vjedhjen e 713 milion lekëve nga thesari i Bankës së Shqipërisë.

Prokuroria kishte kërkuar që Fullani të dënohej me 5 vite burg, konvertuar me 3.2 vite pas gjykimit të shkurtuar, por Gjykata vendosi pafajësi.

Organi i akuzës argumentonte se Fullani nuk kish zbatuar vendimet e Këshillit Mbikëqyrës, duke i lënë terren të hapur vjedhjes së parave nga thesari i shtetit, vepër për të cilën është dënuar Ardian Bitraj, - ish-përgjegjësi i arkës stok dhe kolegia e tij Mimoza Bruzia. Ndërkohë në lidhje me akuzën e dytë, Prokuroria akuzoi se tenderi për blerjen e Hotel Dajtit 30 milionë euro ishte formal, pasi u bë pasi hoteli ishte blerë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama