Asgje e re nga Fronti i Financave

Asgje e re nga Fronti i Financave
Punet shkojne mire sepse nuk ka para. Kjo ishte pergjigja e nje zyrtari te Ministrise se Financave, i pyetur mbi mbarevajtjen e situates financiare ne vend. Zyrtaret publike, kur sigurohen se nuk do te citohen me emer dhe sidomos kur jane jashte orarit te punes, priren te jene me te hapur dhe japin detaje pergjithesisht te kendshme. Shpjegimi sesi mungesa e parave mund te sjelle mbaresi paraqitet intelektualisht sfidues: “Kur nuk ka para nuk ke ç’te besh dhe kur s’ben gje, eshte e pamundur te besh diçka gabim”.

Por nese vemendja shperngulet nga eglendisja “off the record” e zyrtareve publike qe keto kohe u jane zgjatur oret e pushimit nen diellin e qershorit, te realiteti i te dhenave faktike, duket sikur dy fotografite perputhen ne disa pika, por jo ne çdo pike. Fillimisht, duhet marre parasysh mbyllja e vitit 2009, ku logjikisht eshte mbeshtetur progresi i ketij viti, nuk paraqiti situaten me te mire ekonomike qe mund te shpresohej. Sidomos ne tremujorin e fundit, u duk se kriza financiare filloi te jape efekte ne ekonomine reale, kur rreth 75 mije te punesuar u zhduken nga statistikat e periudhes tetor-dhjetor.

Ne pergjithesi, viti i shkuar ishte nje vit problematik por gjithsesi dinamik duke shenuar nje sere zhvillimesh financiare: zhytja e metejshme e qeverise ne borxhe permes marrjes se nje kredie sindikale prej 200 milione eurosh; zbrazja e fondeve te buxhetit publik per investime infrastrukturore para zgjedhjeve; kapitullimi financiar ne shtator, kur u bllokuan rreth 214 milione euro investime te parashikuara sepse gjithçka ishte shpenzuar para zgjedhjeve, ndersa te ardhurat ne buxhet kishin vajtur per dreq etj., etj. Si rrjedhoje, 2009-a u mbyll me nje deficit buxhetor prej 80.5 miliarde lekesh, ne nivelin 7% te PBB-se. U mbyll edhe me nje borxh publik qe vleresohej diku ne nivelin 59% te PBB-se. Kjo ishte baza e nisjes per zhvillimet e vitit 2010.

“Po ecim mire - po ecim mbrapsht”

“Borxhi publik eshte ulur; ka arritur ne 60% te GDP-se, duke mos qene me problematik”, deklaroi pak dite me pare ministri i Financave Ridvan Bode, gjate punimeve te konferences se Bankes Boterore per zhvillimin ekonomik te Shqiperise (GDP = PBB). Deklarata e Ministrit te Financave shkaktoi nje fare habie - ndonese te paartikuluar nga pjesemarresit - duke qene se ne fund te 2009-es, borxhi rezultonte me pak se 60% e PBB-se. Si rrjedhoje mbetet ende mister sesi mund te jete realizuar nje ulje qe duke iu referuar aritmetikes elementare, ka ndodhur nga numri 59 ne 60, sipas logjikes qe numri 60 eshte me i vogel se 59-a.

Deklarata e ministrit ka tre shpjegime racionale. Se pari, niveli i borxhit publik ne me pak se 60% e PBB-se ka gjasa te mos kete qene real, duke nenkuptuar qe realisht borxhi ka qene mbi kete nivel te deklaruar. Ne kete pike genjeshtra eshte mbeshtetur nga me shume se nje institucion. Skenari i dyte perfshin mundesine qe borxhi mund te jete rritur disi gjate muajve te pare te ketij viti dhe me pas te jete ulur ne 60%, duke shenuar gjithsesi nje rritje prej te pakten 1%. Se fundmi, duhet marre parasysh se mund te kete ndodhur nje histori si ajo e rishikimit te deficitit buxhetor ne vjeshte te 2009-es, kur ky i fundit levizi nga 50 miliarde leke ne 74 miliarde leke. Termi qe perdori qeveria ne komunikaten zyrtare, ishte “ruajtja e deficitit buxhetor ne nivelin fillestar”. Ne fakt, diferenca mes dy shifrave rezultoi negative, diku te 250 milione dollaret, sipas kursit te atehershem te kembimit.

Ne te njejten konference ku Bode njoftoi uljen jokonvencionale te borxhit, Kryeministri Sali Berisha tha se “me reforma te thella e te gjithanshme Shqiperia do te mund te kape orbiten e vendeve te zhvilluara”. Kjo deklarate ishte vetem diçka me pak optimiste se ajo qe Kryeministri dha rreth nje muaj me pare, kur ai shpalli publikisht: “Ekonomia eshte... entuziaste!”. Nderkaq, entuziazmi ende nuk po shfaqet i materializuar ne ndonje sektor te ekonomise.

Vete Banka Boterore (BB) duket se ka nje tjeter opinion mbi mbarevajtjen e ekonomise shqiptare. Kryeekonomisti i Bankes, Indermit Gill deklaroi veç pak dite me pare ne media se deficiti buxhetor perben nje problem serioz per ekonomine e vendit. “Shqiperia beri perparime te dukshme ne drejtim te stabilitetit makroekonomik ne periudhen 2000-2007, duke ulur deficitin buxhetor. Por gjithçka duket se u zhbe gjate dy viteve te fundit”, theksoi ai. Me tej ai shtoi se viti 2010 do te jete vendimtar per Shqiperine. “Ky vend ka nevoje per deficit te ulet buxhetor, ne menyre qe te fitoje besueshmeri tek investitoret, gje qe ne kembim sjell rritje investimesh dhe rritje ekonomike”, tha Gill.

Asnje arritje ne 5 muaj

Ministria e Financave mund te mos jete dakord me paralajmerimet e BB, por realiteti i financave publike nuk deshmon ne favor te mbrojtjes se ekzekutivit. Gjate katermujorit te pare te ketij viti, deficiti i sigurimeve shoqerore kerceu ne stratosfere, duke rritur keshtu varesine nga buxheti i shtetit, ndersa qeveria shqiptare deshtoi per rreth 5 muaj radhazi qe te shperndante fondin e percaktuar per kompensimin e energjise elektrike per familjet ne nevoje. Paralelisht me kete ndodhi te pakendshme e te zgjatur ne kohe, ndodhte edhe rritja e fatures financiare per segmentin Rreshen-Kalimash. Ndonese qeveria kishte parashikuar jo me shume se 3 miliarde leke per punimet ne kete segment, vetem per periudhen janar-prill, punimet kushtuan rreth 46 milione euro, çka eshte me shume se 6 miliarde leke.

Deshtimi i fluturimit te eurobondit shqiptar ishte goditja e radhes per financat publike, megjithese misioni ishte konsideruar gati i pamundur nga me shume se nje ekspert. Eurobondet synonin mbi te gjitha, te shlyenin kredine e Rruges se Kombit. Kredia prej 200 milione eurosh maturohet ne vitin 2012, por qeveria kishte shpresuar se tregu financiar nderkombetar do te stabilizohej dhe Shqiperia do te kishte mundesine ta zevendesonte kete kredi me eurobonde me te lira. Shpresa e qeverise ishte qe kredia me interes euribor plus 9.65 per qind te zevendesohej me eurobonde qe do te kushtonin shume me pak. Gjema financiare greke pati nje rol shkaterrues ne kete histori te pafat.

Ndersa, Banka e Shqiperise beri te ditur se sipas analizave te saj, konsumi privat ne Shqiperi ka qene i permbajtur gjate muajve te pare te ketij viti dhe se shqiptaret po priren drejt kursimeve. “Shkalla e ulet e shfrytezimit te kapaciteteve ne ekonomi, ritmet e uleta te kredise per investime dhe renia e importit te mallrave kapitale e te ndermjetem, sinjalizojne per nje tkurrje te investimeve private edhe gjate tre muajve te pare te ketij viti. Kerkesa per mjete monetare e sektorit privat vazhdon te jete e ulet, duke reflektuar ngadalesimin e aktivitetit ekonomik”, deklaroi guvernatori Ardian Fullani.

Per te adresuar mungesen e te ardhurave ne buxhetin e shtetit, qeveria ka zhvilluar se fundmi nje sere manovrash sekrete me karakter gjysme-ushtarak, duke levizur nivelet e akcizave ekzistuese apo duke prezantuar akciza per disa produkte. Diçka e tille veshtire se integrohet mire ne filozofine e nxitjes se investimeve dhe te punesimit. Grupet e interesit nuk jane konsultuar per asnje nga keto ndryshime.

Durim dhe kujdes?

Sipas te gjitha gjasave, 6-mujori i pare i ketij viti do te mbyllet pa ndonje progres real ne planin e financave publike, si dhe ne ekonomine reale. Qeveria i ka drejtuar syte nga sezoni turistik duke pritur ndonje injeksion te ardhurash ne buxhetin e drobitur te shtetit. Buxhet suplementar nuk do te kete, nderkohe qe loja me akcizat mund te konsiderohet nje lloj pakete fiskale ‘ad hoc’ dhe me pasoja ende te paqarta, nese arrin te permbushet me sukses.

Gjate vitit 2009, nje sere ekspertesh kishin paralajmeruar se gjysma e pare e 2010-es me shume te ngjare do te paraqiste nje situate ngerçi, ku gjeja me e mire qe mund te bente ekzekutivi ishte te shikonte çfare ndodh, te administronte me me shume konservatorizem financat publike dhe te mundohej te menaxhonte demet. Ndersa parashikimi ka rezultuar i vertete, nuk dihet se sa i suksesshem ka qene menaxhimi. Prej ketej, natyrshem, e gjithe vemendja eshte drejtuar nga 6-mujori i dyte i vitit. Dhe per kete periudhe, nuk mund te thuhet ende asgje, per sa kohe gjithçka eshte ne varesi te performances se 6-mujorit te pare.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama