Ekspozita e artit bashkëkohor “Onufri” këtë vit do ti mungojë Galerisë Kombëtare të Arteve, pasi Ministria e Kulturës nuk e ka në kalendarin e aktiviteteve të saj. E vetmja ekspozitë konkurs e artit bashkëkohor, që prej njëzet vitesh zhvillohej në vend, këtë vit do ti mungojë publikut, shkruan Kultplus. “Onufri” ndër vite ka sjellë krijimtarinë e artistëve më të njohur shqiptarë, por dhe emrave të rinj të talentuar në artet pamore. Një ekspozitë konkurs, e cila ka pasur dhe probleme, por si një aktivitet i vetmi i këtij lloji në vend ka qenë në vëmendjen e artistëve. Kuratorët ndër vite të “Onufrit” kanë qenë shqiptarë dhe të huaj, po ashtu dhe emrat e jurisë.
Të gjendur para këtij fakti artistët shqiptarë pohojnë se konkursi “Onufri” duhej të kishte vijimësinë e tij, sipas tyre edicioni i 21 duhej të ishte në vëmendje të Ministrisë së Kulturës. Për artistët është e pafalshme që të mos zhvillohet “Onufri” këtë vit, duke bërë që aktivitetet e artit pamor në vend të reduktohen dhe më shumë. “Natyrisht që nuk është e drejtë moszhvillimi i “Onufrit”, është e pafalshme për Ministrinë e Kulturës që mbylli këtë konkurs këtë vit. Vjen si paaftësi menaxhuese e ministrisë, sepse dhe një aktivitet që ishte për artin bashkëkohor i përvitshëm këtë vit nuk zhvillohet”, pohon Ardian Isufi, artist i artit bashkëkohor, i cili ka fituar dhe çmime të dyta dhe të treta në këtë konkurs.
Një vit më parë në GKA “Onufri” në edicionin e njëzet prezantoi 12 artistë nga Shqipëria, Kosova, Italia, Franca dhe Egjipti. Dyshimi si koncept ishte pikërisht dhe tema e të vetmit konkurs mbi artin pamor që zhvillohej në Shqipëri, e që një vit më parë shënoi plot 20 edicione. Ekspozita konkurs u zhvillua nën kujdesin e dy kuratorëve, artistit shqiptar Olson Lamaj dhe italianit Claudio Cravero. 12 artistë në edicionin e njëzet u përzgjodhën nga 130 aplikime. Edicioni i njëzet erdhi me konceptin “Elozhe Dyshimit”, propozuar nga kuratori italian Claudio Cravero, që sipas tij hulumtonte disa nga praktikat dhe temat e reja artistike që ndërmerren në ditët tona, duke treguar lidhjet e tyre me situatën e sotme politike, si një pasqyrë e dyshimit tonë të vazhdueshëm. Video “E kuqja e përbashkët” krijuar nga artistja Silvia Agustini bindi jurinë në mënyrë unanime që shpallej fituese e edicionit të 20 të “Onufrit”.