Kulla e Aliajve ne Nivokaz monument i trashegimise i lene ne harrese

Kulla e Aliajve ne Nivokaz, monument i trashegimise i lene ne harrese

Kulla e Aliajve është një nga kullat më të vjetra në Kosovë dhe evidencohet si një nga monumentet që ka mbrojtje nga Ministria e Kulturës. Mirëpo, përveç epitetit “Monument” dhe premtimit për renovim, kjo kullë nuk po merr ndonjë mbështetje tjetër nga institucionet tona.

Kulla është ndërtuar në fshatin Nivokaz të Komunës së Gjakovës rreth 200 vite më parë dhe u ka mbijetuar dy luftërave, Luftës së Dytë Botërore dhe luftës kundër pushtuesit serb, shkruan Kosovalive.

Deri në vitin 1999 familja Alijaj e ka përdorur këtë kullë për banim si dhe për mbledhje e ngjarje të shumta tradicionale të asaj kohe. Megjithatë, sot kjo kullë nuk ofron kushte për banim në të. Evidencohet si monument i trashëgimisë kulturore, por pos disa ndërhyrje emergjente rinovuese nga organizata suedeze “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, ndonjë përkujdesje tjetër për te nuk është bërë deri më sot.

“Kanë thënë se do të rinovohet komplet. Projekti ekziston, ama kur ja nisin nuk po di”, thotë pronari i kullës, Dervish Sylë Alija, i pyetur se a kanë marrë ndonjë premtim për renovim.

Ai gjithashtu thotë se një organizatë suedeze kishte kërkuar ta marrë në mbikëqyrje kullën për dhjetë vite por këtë pronari nuk e kishte pranuar duke shpresuar se do mund ta rinovonte atë në një periudhë më të shkurtër kohore.
Gjithsesi, rrënimi i kullës nuk është opsion për familjen Alija pasiqë ata shpresojnë në renovimin e saj qoftë nga pjesëtarët e familjes apo nga institucionet vendore dhe të huaja.

Kulla, duke qenë një ndërtesë shumë e vjetër, tërheq vizitorë të shumtë mes të cilëve edhe këngëtarë e shoqata të shumta. Vizitorët përdorin pamjen e kullës për fotografi si dhe për video të ndryshme.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama