Arti qe tradhtoi me Hoxhen Maon dhe Haxhi Qamilin

Arti që tradhtoi me Hoxhën, Maon dhe Haxhi Qamilin
Gjithçka fillon me ndërtimin e Pallatit të Kulturës dhe mbyllet me një paradë në Kinë (!). Një rrugë e gjatë e mbushur plot tradhti të vogla e të mëdha. Pasi kalon nëpër sallat e katit të parë ku vijojnë njëra pas tjetrës "tradhtitë" e "Onufrit", në katin e dytë shpalosen tradhtitë e diktaturës. Piktura mitike, pllakate, karikatura, me ngjyra të forta, ku sundon e kuqja. Të gjitha në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, të realizuara brenda harkut kohor 1973-1985. "Ne e quajmë fondi i zi", - thotë Rubens Shima, kuratori i "Onufrit 2007", i cili bashkë me kuratorin tjetër Ervin Hatibi, i shtuan artit bashkëkohor të konkursit dhe atë një fond nga arti i realizmit socialist. Një "aneks", ku ziejnë të tjera tradhti, e quajtur "Në emër të popullit".

"Është një mënyrë për të parë se si tradhtohej atëherë e si tradhtohet tani në art", - thotë Shima. Prej ndërtimit të Pallatit të Kulturës, një tradhti që i bëhej qendrës së Tiranës, vijojnë të tjera nën flamujt e paradave dhe parakalimeve. Një tematikë e preferuar e piktorit Kujtim Buza. Dhe menjëherë një seri kolazhesh me pllakata propagandistike e karikatura. Temat janë po ato për të cilat flitet sot aq shumë. Që nga energjia elektrike, tek kryefjala e politikanëve anëtarësimi në NATO dhe nëBashkimin Evropian, veçse atëherë kahja ishte e kundërt. Energjia elektrike ishte vetë Partia, kurse anëtarësimi në organizmat ndërkombëtarë sulmohej nga të gjitha anët. Karikatura me shenja dollarësh, me raketa, kapitalistë që pasurohen në kurriz të të varfërve dhe të luftrave.

Në një kënd një sulm penash të shtypit të kohës ("Ylli", "Drita", "Bashkimi", "Drapër e Çekan"…), që sulmojnë pa ndërprerë "marrëzitë" imperialisto-revizioniste. E pas këtij demaskimi të të gjithë botës, duke nisur që nga Amerika në Lindjen e Mesme, të kthyer në një rrjetë merimange në formën e yllit izraelit, ngrihen "madhështorë" udhëheqësit. Shoku Ma Ce Dun, me xhaketën e gjelbër pa jakë pozon i qetë në tablonë e Zef Shoshit. Pas ndërprerjes së marrëdhënieve me Kinën, udhëheqësi kinez u "burgos" në skutat më të errëta të fondit të Galerisë Kombëtare. Një tradhti e radhës. Pranë Maos, Enver Hoxha. Është tabloja mitike, që gjendej mbi çdo tavolinë pune, në ballë të çdo zyre dhe në kokat e divanëve, apo kondrabufetë e drunjta në shtëpitë e çdo shqiptari. "Strategu" në tavolinën e punës. Përsëri mban firmën e Shoshit përfund, e ngujuar në fond pas viteve '90, duke marrë pas shumë nëma prej atyre që rrëzuan komunizmin, por që tashmë rikthehet, me nostalgji për disa, me nota të zbutura për të tjerë.

Si zakonisht, kur udhëheqësit mbështeten nga masat, vijon seria e "njerëzve të punës" në grafikë bardhë e zi. E ndërsa ke përshkuar më shumë se gjysmën e ekspozitës "suplement" mbetesh gati shtangur para tablosë, ku paraqitet një burrë sypatrembur mbi kalë. Përmasat e burrit janë aq heroike, saqë sfumon jo vetëm kodra e fusha që ka për sfond, por dhe kafshën e gjorë së cilës i ka hipur. Nuk është as më pak e as më shumë por Haxhi Qamili. Deri vonë Qamili përmendej në historinë shqiptare si heroi kryengritës, ndërsa sot përmendet si një kaçak, si një proturk dhe përdhosës i flamurit shqiptar. Një tjetër "tradhti" e historisë, ulja dhe ngritja e figurave historike. E sigurisht nuk mund të mungojnë edhe komisarët me fytyra të rrepta dhe fëmijët me pushkë në dorë që lidhin pas pemëve diversantët nga Ksenofon Dilo.

Tablo e rrallë është vepra e Vilson Kilicës e cila nuk është ekspozuar më që nga koha e vetëvrasjes së Mehmet Shehut, më 1981. "Pjesa më e madhe e këtyre punëve nuk janë ekspozuar për vite të tëra dhe ekspozimi i këtij kolazhi është një zbulim më vete", - thotë kuratori Shima. "Në emër të popullit", ka grishur së tepërmi vëmendjen e vizitorëve të "Onufrit". Ky ishte qëllimi, por edhe frika e kuratorëve. Tradhtitë e kohëve të komunizmit, kur artistët tradhtonin artin e tyre për t'ju përshtatur kornizave të sistemit, mund të eklipsonin tradhtitë moderne, si mbjellja e një fushe sporti me kanabis, apo devijancat seksuale. Në edicionin e 14-të të Konkursit ndërkombëtar, "Onufri", "Bërë me tradhti" marrin pjesë rreth 30 artistë nga Shqipëria, Italia, Kosova, Gjermania, Argjentina e Venezuela.
 
Alma Mile : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama