Arti i public relations ne kohen e patates me bollek

Arti i public relations në kohën e patates me bollëk

Kur duan të ilustrojnë absurditetin me të cilin persekutoheshin njerëzit, nën totalitarizëm, për një fjalë goje, të sjellin zakonisht shembullin e atij që kish përfunduar në burg pse kish thënë që "nuk ka patate."

Aq më i efektshëm bëhet ky ilustrim, po të kujtojmë se si po reagohet zakonisht sot, ndaj atyre që ankohen, në parim, për mungesën e patateve; sepse sot vërtet nuk të futin më në burg, por mund të të futin ndonjëherë në kllapë.

Si ore nuk paska patate? Nga e ke dëgjuar ti këtë, që nuk ka patate? Ta kanë thënë gabim, o i shkretë, sepse tregu është plot me patate. Të kanë gënjyer. Dil nga kulla ku je vetë-ngujuar, folë me bashkëqytetarët, verifikoje me sytë e tu.

Ka ikur koha, kur mjaftonte të shkoje në pazar, dhe i blije patatet në dyqan. Sot nga të gjithë ne kërkohet zotësi dhe kompetencë, për t'u orientuar profesionalisht në tregun e patates.

Unë jam monopolisti i shitjes me pakicë të patates për ultësirën bregdetare dhe unë të hedh në gjyq, sepse më ke prishur imazhin e kompanisë dhe perspektivën e produktit.

E çë pastaj se nuk ka patate? Pse fiksohesh te gjërat që momentalisht edhe mund të mungojnë, në vend që të shquash dhe të shijosh të gjitha ato gjëra që gjenden kudo me bollëk?

Kaq shpejt harrove, o derëzi, se ç'i bëri Saliu kultivimit të patates në Shqipëri?

Si shpjegohet, që sa herë që acarohet situata në Kosovë, do të dalë dikush në Shqipëri dhe do të ankohet se patatja nuk gjendet në treg?

Sot do të kremtohet, anembanë Shqipërisë, dita pa patate në treg. Bashkohu edhe ti me ne!

Mungesa e patates në treg është vetëm koniunkturale. Ftojmë qytetarët ta zëvendësojnë pataten me një shëtitje me biçikletë, në ajër të pastër.

S'ka patate? Sa kollaj ta thuash këtë. Pse nuk provon të marrësh një lopatë dhe të mbjellësh një patate ti vetë?

Nëse mendon se vërtet mungon patatja, atëherë depozito një ankesë me shkrim, te zyra për dëgjimin e qytetarëve; ose plotëso formularin online, në www.skapatate.com, ose dërgo një SMS në numrin 003130.

Nuk na lë Europa, që të shtojmë prodhimin e patates. Ja që u dashkan plotësuar kriteret, o njeri. Vetë e kërkuat Bashkimin Europian!

Kaq poshtë ka rënë kjo opozitë, sa tani vë njerëz në rrugë, që të përhapin fjalë se nuk ka patate.

Po nuk e sheh që je trashur si hipopotam? Akoma kërkon të hash? Karbohidratet komplekse që përmban patatja janë tejet të dëmshme për shëndetin.

Në qoftë se nuk vjen patatja tek ti, atëherë duhet të shkosh ti te patatja.

Patatja nuk është as bukë, as gjellë.

S'ka patate? Pse nuk ia thua këtë komshiut tënd, që ka emigruar nga fshati në qytet? Po ikën të gjithë nga fshati, kush do t'i rritë patatet?

Pataten tonë e paska blerë të gjithën zinxhiri i restoranteve MacDonald; janë detyrime që duhen përmbushur, për shkak të anëtarësimit në NATO dhe kërcënimit rus në rritje.

Vërtet s'ka patate, por s'ka as angjinare Jerusalemi, as jicama, as shpargull, as tartuf, as hithra të Sardenjës, as bishta qershie për çaj, as lëpjetë, as açai, as stika pishe, as xenxefil, as arra Brazili, as bajame të hidhura, as lakra Brukseli, as palcë shtogu, as panxhar të verdhë, as mollçina, as fara liri.

Sonte do të ketë debat për këtë mungesë patatesh në talk-show-n SHPULLA. I ftuar në studio edhe një buburrec autentik i patates.

Që s'ka patate, e dimë. Na thuaj ndonjë gjë që nuk e dimë.

A je gati ta përsëritësh këtë, që s'ka patate, para kamerave?

Si guxon të përmendësh mungesën e patateve në treg, ti që deri dje nuk lije gazetë pa shkruar e televizion pa shkuar, për të na bindur se tregu i patates në Shqipëri nuk ishte rentabël?

Vërtet s'ka patate
Por ama ka pallate
Me shumë kate

Këta të rinjtë sot e kalojnë gjithë ditën online, me sytë ngjitur tek ekrani i celularit, dhe pastaj kur shkojnë ndonjëherë në pazar, as pataten nuk dinë ta gjejnë se ku shitet.

Në analizë të fundit, më mirë të mos ketë patate, se të mungojë ndonjë gjë tjetër, më jetike.

Kemi konstatuar një phase shift, ose çndërmjetësim, në marrëdhënien midis blerësve të patates dhe shitësve të saj; për shkak të desinkronizimit të tregut.

S'ka patate? Po shko ore hap ndonjë libër!

Mos thuaj s'ka patate. Thuaj: çfarë mund të bëj unë, që të kthehet patatja?

S'ka patate? Ça thua, o vlla! Patate ka sa të hanë qentë!

Ky artikull më parë është publikuar në revistën "Peizazhe të fjalës".


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama