Armand Vllahu Marko Bitraku dhe Orsi Vangjeli treshja e suksesshme e TIFF 2015

TIRANË, 3 Nëntor / ATSH / - Ka rezultuar mjaft i suksesshëm projekti i regjisorit Armand Vllahu, i cili në edicionin e XIII-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë, prezantoi veprën e tij 25-minutëshe nën titullin "Përsëri sot".

Dhe përsëri sot në kinema Agimi gjatë shfaqjes në orën 12:30, ashtu sikurse dhe mbrëmë gjatë premierës në kinema Milleniumm (ora 16:00), nuk kanë munguar emocionet e shumta në sallë, ku publiku i pranishëm nuk i rezervoi duartrokitjet dhe komplimentat për regjisorin Armand Vllhau, i cili me anën e kësaj komedie psikologjike solli në skenë si protagonist Orsi Vangjelin (djali i aktorit të madh Vasillaq Vangjeli) gjithashtu dhe të paharruarin Marko Bitraku.

Realizuar me një vetëfinancim nga regjisori Armand Vllahu, skenari brilant i Gert Selenicës, fokusuar tek jeta e një të riu shqiptar, i cili në tentativën për t'i bërë të gjitha brenda një dite (shkollë, punë etj) fillon të bëhet konfuz aq sa fillon të ngatërrojë edhe situatat dhe karakteret, është mirëpritur përgjatë dy shfaqjeve të tij.

Loja e mrekullueshme e Orsi Vangjelit dhe batutat e Marko Bitrakut gjatë filmit janë shoqëruar me buzëqeshjen dhe duartrokitjen e të pranishmëve në sallë, të cilët i kanë uruar suksese rrugëtimit të veprës së regjisorit Vllahu në TIFF 2015.

"Përsëri sot" që tashmë ka fituar zemrat e publikut dhe gjithashtu edhe "çmimin e publikut" në sallë, konkuron në TIFF 2015 në kategorinë e filmave me metrazh të shkurtër në shqip, "Best Short Movie-In Albanian".

/k.m//m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama