Arkivi i Shtetit dite te mira dite te erreta

Arkivi i Shtetit: ditë të mira, ditë të errëta

Viti '44 ndan kohët para dhe pas humbjes së kulturës administrative, zhdukja e nëpunësisë së vjetër dhe futja e partizanizmit në standartet e komunkimit zyrtar

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave feston sot 60-vjetorin e Arkivit Qendror Shtetëror. Me këtë rast, bëhet përurimi i muzeut dhe i ekspozitës "60 vjet Arkiv", veprimtaria e institucioneve shqiptare jepet në mënyrë kronologjike.

Aktiviteti i dytë është nesër, përurimi i godinës së re arkivore të ASHV Durrës.

Drejtorja e Përgjithshme e Arkivave, prof. as. dr Nevila Nika, beson te filozofia e shpallur në fletëpalosjet e përgatitura për këtë rast, se arkivi është mirëqeverisje.

Në këtë intervistë ajo flet edhe për dy aspekte të (keq) trajtimit të dokumentit administriv dhe arkivor, duke cekur historinë e kulturës administrative nga njëra anë dhe në anë tjetër, bjerrjen dhe thatësirën që shkaktoi regjimi tek kjo kulturë dhe tek administrimi i Arkivit vetë.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave si institucioni më i rëndësishëm arkivor në shkallë kombëtare, grumbullon, ruan, përpunon dhe shërben dokumentet kryesore, që dëshmojnë për historinë e kombit dhe të shtetit shqiptar.

Dokumenti i parë që bën fjalë për përpjekjet për krijimin e një Arkivi Qëndror Historik, është vendimi i vitit 1932 i Këshillit të Naltë të Shtetit, "për shqyrtimin e projekt-rregullores, për regjistrimin e ngjarjeve me rëndësi.

Arkivi i Shtetit u krijua si sektor në varësi të Institutit të Studimeve në vitin 1947. Më 1949 Arkivi i Shtetit u bë institucion i pavarur. Më 1951 kaloi në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, deri në vitin 1962. Po atë vit, u krijua Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit në varësi të Këshillit të Ministrave. Më 1984 për herë të parë Kuvendi i Shqipërisë aprovoi Ligjin "Për fondin arkivor të shtetit dhe për arkivat".

Dhjetë vjet më vonë, në një sistem politik demokratik, Kuvendi miratoi ligjin "Për fondin arkivor kombëtar dhe për arkivat" për të pasur në vitin 2003 një ligj "Për Arkivat". Prej vitit 1974 kjo Drejtori është anëtare me të drejta të plota të Këshillit Ndërkombëtar të Arkivave.

Zonja Nika në ç'formë kujtohet 60-vjetori i Arkivit, dhe pse tani?

Arkivi i Shtetit, emërtim që e ka pasur qysh në fillim, ndërsa sot jemi Drejtoria e Përgjithshme të Arkivave të Republikës së Shqipërisë, mund të quhet fare bukur Arkivi Qëndror Historik Kombëtar, sepse në të ruhet kujtesa jonë si popull, si komb, si shtet.

Këtë përvjetor duhej ta kremtonim më 9 qershor, por ishte një periudhë e nxehtë politike. Arkivi është një institucion i depolitizuar, në shërbim të të gjithëve, mbi të gjitha në shërbim të kërkuesve shqiptarë dhe të huaj.

Çfarë paraqitet më 8 dhe 9 tetor?

Nuk do të ketë sesione shkencore. Njerëzit kanë më shumë dëshirë të shikojnë dhe të prekin materialet arkivorë sesa të na dëgjojnë neve. Këtë herë kemi ngritur një muze të vogël, një dhomë muzeum për historinë e administratës shqiptare, ku ishim e ku jemi. Ky muzeum do të jetë i përhershëm.

Ekspozojmë dokumenta origjinalë, për shembull fermanë, po edhe diplomën e marrjes së çmimit të parë nga Kolë Idromeno në konkursin e parë të pikturës që është zhvilluar në Shqipëri; ekspozohen fotografi të vjetra po edhe riprodhime të bukura.

Materiale të regjistruar me zë apo film do të ketë? Cilat janë institucionet që dalin me historinë më të pasur administrative?

Qëllimi është që të tregojmë se si punohej në fillimet e shtetit shqiptar, mjetet e shkrimit, orenditë e vjetra të administratës, një tavolinë, një raft i vjetër, një skrivani, telefon të vjetër, vulat, thithëset e bojës, prezantimi i një dosjeje të vjetër, i një këmishe dokumentash, që njerëzit sot i kanë harruar. U takonin institucioneve të ndryshme si gjykatave, bankave etj.

A mundet që me këtë pasuri historike, të dokumentacionit që ruhet këtu, edhe nëpërmjet këtij muzeu të ri, të krijohet një ide për natyrën apo evoluimin që ka pasur shteti shqiptar, për orientimin e tij lindor apo perëndimor?

Po, nga dokumentacioni ynë krijojmë një ide mbi shtetin, evoluimin e tij. Po të shohim dokumentet e periudhës para '44-ës, ka një lloj standardizmi, ka një përpjekje për të vënë disa rregulla, bazuar në një përvojë italiane apo franceze, pra perëndimore, për shkak të njerëzve të shkolluar në këto vende.

Prania e këshilltarit dhe dora e nëpunësit është e dukshme tek arkivat e protokolluara, dhe të paktën për institucionet shtetërore ka një lloj uniformiteti. Po ashtu, stemat zyrtare të shtetit shqiptar, të Republikës apo të Monarkisë më pas, janë të pasqyruara në dokumente.

Pas 44-ës ndodh "partizanizmi" i cili vihet re që nga shkurtimi i formatit të letrës e deri te humbja e standarteve të komunikimit, nuk merret vesh kujt i drejtohet dhe kush e shkruan dokumentin.

Ka një humbje të kulturës administrative?

Ka një humbje të jashtëzakonshme të kulturës administrative. E shikojmë këtë deri në vitin '47 kur nëpunësia e vjetër mbahet me paterica, ka një rënie drastike të rregullave. Më pas vijnë me radhë përvojat jugosllave, ruse apo kineze të kësaj kulture...

Ndodh një politizim i tejskajshëm. Po, jemi munduar ta pasqyrojmë edhe këtë. Për vizitorët e rinj të muzeut kjo periudhë do të shpjegohet nëpërmjet një ciceroni. Është e domosdoshme, për t'u shpjeguar ç'ka qenë ajo kohë.

Si është periudha para themelimit të arkivit, para 9 qershorit '49?

Përpjekjet fillestare nisin në vitin 1932, madje do të thoja që në qeverinë e Ismail Qemalit duken përpjekje të vazhdueshme për ta mbajtur dhe për ta ngritur mirë kur duhej Arkivin, sekretarinë dhe protokollin. Dhe vlerësimi për ata që punonin ishte jo i vogël, duhej të dinin shqipen, bukurshkrim, gjuhë të huaja, të kishin një kulturë administrative. Kështu që ne do të mundohemi që e gjithë kjo të dalë në dukje.

Përpara themelimit të Arkivit, ishte krijuar Instituti Shkencavet, pararendës i Akademisë së sotme, dhe pasardhësi i Institutit të Studimeve Shqiptare për Arte dhe Shkencë, me Mustafa Krujën dhe Ernest Koliqin në krye. Më '45-ën rithemelohet, por bërthama janë po të njëjtët shkencëtarë dhe njerëz të kulturës, Xhuvani, Çabej, Buda, Paskali etj., të gjithë vijnë nga Instituti i Shkencave dhe Instituti i Studimeve Shqiptare. Drejtori i parë ishte Selaudin Toto, një profesor në Fizikë, por gjithsesi brenda këtij Instituti kishte një sektor të vogël, që ishte sektori i Arkivit. Deri më '47-ën shkëputet Arkivi, dhe del në rang më të lartë me drejtor Zef Malën.

Pati përpjekje që nga '47-'49 që të mos ishte i varur më nga Instituti. Në qershor '47 qeveria merr një vendim që të krijojë Arkivën e Shtetit. Nuk pati jetë të gjatë më vete, kishte pak personel, përveç prof. Zef Malës, ishin Injac Zamputi, Henrik Lacaj, Jonuz Tafilaj etj., njerëz që dinin gjuhët e rralla. Ata u munduan që të evidentonin monumente të kulturës të shkruar dhe t'i sillinin në Arkiv. Kështu u bë ndarja e Bibliotekës Kombëtare me Arkivin.

Kjo ndodhi deri më '50-ën, kur Arkivi u përfshi në Ministrinë e Brendshme. Ishte goditja e parë mbi Arkivin si institucion i historisë, kulturës dhe shkencës. Qëndroi rreth 10 vite i përfshirë në strukturën e Ministrisë së Brendshme, të cilat ishin vitet më të errëta.

Pse më të errëtat, çfarë ndodhi?

Kontrollohej gjithçka, për motive politike. Kujtojmë se një sasi dokumentacioni ka ardhur në rrugë jonormale në Arkiv. Në vitet e para, kush arrestohej, burgosej, internohej apo mërgonte jashtë shtetit, u konfiskoheshin dokumente nga organet e diktaturës. Këto dokumente i sillnin në Arkiv.

Do të shikoni në muzeun e ri fotot e ardhjes së "nëpunësve", janë të gjithë ushtarakë, oficerë, edhe drejtorët kanë qenë të tillë. I fundit ushtarak drejtor i kësaj drejtorie të Arkivit brenda Ministrisë së Brendshme, për hir të së vërtetës i jemi shumë mirënjohës, ishte gjeneral major Veli Dedi.

Ai bëri të pamundurën ta nxirrte Arkivin nga Ministria. Kishte përvojë të madhe, kishte kryer studimet në Itali, ishte antar i Partisë Komuniste Italiane, spanjolle, franceze dhe natyrisht shqiptare, kishte marrë pjesë në Luftën e Spanjës, domethënë vinte nga një e majtë evropiane, e dashuronte shumë historinë, me sa duket sepse vinte nga treva me histori të trazuar, ai ishte kosovar.

Dhe këtë post ia kishin dhënë më tepër për ta fyer sesa për ta vlerësuar. Por, ai diti t'i bënte vend vetes, dhe nder institucionit dhe arriti që më '62-'63 ta kthente në Drejtori të Përgjithshme të Arkivave të Shtetit. Ai doli në pension dhe ata që e pasuan vazhduan veprën e tij.

Në dhjetëvjeçarin që përmendët më lart si më të errëtin, a ka pasur humbje të dokumentacioneve, apo zhdukje?

Humbje pati edhe më përpara se Arkivi të futej në Ministrinë e Brendshme. Thuhet se gjëra me vlerë të kulturës sonë të shkruar kanë përfunduar në Arkivin e Beogradit. Kjo duhet të jetë e vërtetë sepse, dhe për shkak se anije me dokumenta të grumbulluara në Shqipëri janë çuar për karton drejt Jugosllavisë. Vëllezërit tanë jugosllavë kishin nevojë për karton.

Ata që erdhën pas të ndjerit Dedi, Dhimitër Kotini, ish-ministër i Financave, Skënder Hajro ish-ambasador, komunist i '41-ishit, njeri me kulturë dhe njohës i disa gjuhëve, u shkarkua në kohën e Revolucionit Kulturor.

Mbas tij do të vinte Spiro Rusha, që ndërroi jetë këtë vit. Kishte qenë nëpunës administrate dhe e dinte mirë si funksionon kjo makinë e frikshme dhe mjaft e ndërlikuar. Këta futën në heshtje një frymë perëndimore në Arkiv.

Jeni një nga arkivistet më të vjetra, më shumë se tridhjetë vjet këtu, nuk ka qenë monotone kjo punë?

Kur i kërkova një punonjëseje të re disa foto, më tha se janë publikuar të gjitha. Iu përgjigja që ky konstatim quhet "defekt profesional". Shpesh ne bëhemi solucion i tejngopur dhe kur na pyesni juve nga jashtë për dokumentet më të rëndësishme, e shikoni se ne hezitojmë, pasi na duket sikur ju i dini çfarë ka këtu, ngaqë ne i shikojmë të gjitha. Këtë unë e ndjej dhe mundohem ta mbaj veten dhe jap një përgjigje evazive: "Këtu ka shumë".

Të rinjve që kemi rekrutuar vitet e fundit, mundohem t'u them: gjejini anën e bukur kësaj pune, që do të thotë dita të mos i ngjajë ditës. Është një gjë shumë e bukur sepse je gjithnjë në lëvizje.

Nga një këndvështrim tjetër, puna në arkiv ka një rëndësi të madhe. Ne që jemi një popull, i cili fatkeqësisht kurrë nuk pati fatin të dëgjojë të vërtetën ose disa variante të një të vërtete, kemi parë bardhezi, vazhdojmë edhe sot e kësaj dite. Kjo të jep një lloj trishtimi. Historia jonë është shumë e bukur me të mirat dhe të këqijat e veta. Duke mos e njohur, përsërisim gabimet e mëparshme.

 

Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama