Arkeologjia ne studimet gjuhesore te prof. Çabejt

Arkeologjia në studimet gjuhësore të prof. Çabejt
Njohja dhe vendosja e një uniteti midis fakteve, të dhënave, ligjësive të dukurive të ndryshme të universit të dijes njerëzore kërkon një mjeshtëri të veçantë: Çabej e kish fituar si pakkush këtë mjeshtri, sintetizuar nga një punë pasionante e jashtëzakonshme, me një ndërgjegje shembullore dijetari të madh. Në këtë aspekt kuptohet qartë dhe natyrshëm dhe lidhja e arkeologjisë me studimet gjuhësore të prof. Çabejt. Duke qenë specialist i historisë së gjuhës, vetvetiu qe i lidhur me disiplina të ndryshme të historisë në përgjithësi. Kultura e gjuhës është në thelb kulturë historike. Kemi këtu një dialektikë të brendshme. Çabej duke patur një formin të shëndoshë kulturor, duke kapërcyer mangësinë e rëndësishme të shkallës krahasimtare të gjuhësisë - ahistorizmin e saj, duke përvetësuar arritjet e historizmit si parim bazë i “Junggrammatiker” e zhvillimit të gjuhësisë mbas Luftës së Dytë Botërore në veprën e tij na ka lënë modele të sinkronizimit të të dhënave të arkeologjisë, historisë (tekstologjisë së lashtë e mesjetare) dhe historisë së brendshme të gjuhëve dhe fjalëve) kuptimeve të tyre - etimologjive në bazë të ligjeve shkencore të fonetikës e morfologjisë historike. Në veprën çabejane ka një bibliografi bazë të studimeve arkeologjike, të arkeologëve të njohur europianë e të vendeve të tjera. Çabejt i interesonte arkeologjia në disa vështrime kryesore: ndihmesa e arkeologjisë për studimin e gjuhëve të lashta të njerëzimit për ilirishten e gjuhët e tjera të lashta, fqinjë të saj, raportet e ndërsjella mes tyre, për etnogjenezën iliro- shqiptare, etnografinë, jetën kultike etj., për studimet etimologjike. Nga pikëpamja metodologjike, por edhe e metodës së punës, Çabej e ka të qartë një lidhje, analogji, paralelizëm dhe ndërthurje midis gjuhësisë dhe arkeologjisë. “Rruga kryesore që ndjek dija për të hedhur brenda mundësive sadopak dritë mbi fazat e errëta të historisë së gjuhës, është metoda e rindërtimit të tyre. Sikundër arkeologu nga disa mbeturina themelesh, nga disa mure rrënoje, nga ndonjë shtyllë mermeri etj., rindërton me saktësi një pallat a një tempull i dikurshëm, ashtu dhe gjuhëtari nga ndonjë element i motshëm që ka mbijetuar në gjuhë, që nuk është zhdukur gjatë kohëve, mundohet të rindërtojë shkallët e mëparshme të sajat dhe shpeshherë arrin t'ia dalë mbanë kësaj pune.

Ai vepron aty pikësëpari me mjetet e brendshme të gjuhës, me rindërtim të brendshëm”. Në fakt, në marrëdhëniet arkeologji dhe gjuhësi, Çabej niset nga një parim i drejtë e logjik shkencor, i rolit të specifikuar të secilës disiplinë, pa kaluar as në nënvleftësim, as në mbivlerësim të njëra-tjetrës. Çabej thekson se, “Në çështjen e rrahjes së origjinës së popujve, ndër ta edhe të shqiptarëve, është vendimtare më fort gjuhësia sesa arkeologjia prehistorike, megjithëse të dyja duhet t'i japin dorën njëra-tjetrës. Mua më duket ky mendim shumë i drejtë”. Çabej në fakt nuk i kushton kujdes procesit të arkeologjisë në vetvete se sa rezultateve të saj sidomos në rrafshin gjuhësor të mbishkrimeve të lashta. Në veprën “Hyrje në studimin krahasues të gjuhëve indoeuropiane”, Çabej citon gjerësisht rezolutat e arkeologjisë për njohjen e studimin e gjuhëve të lashta. Çabej flet për zbulimet e fundit të shekullit XIX-XX të mbishkrimeve të vjetra të Mesopotamisë, të mbishkrimeve të dinastisë së Akemenidëve, të mbishkrimeve monumentale afër qytetit Persepolis, me alfabet kuneiform asiro-babilonez, (vitet 520 - 350 para erës sonë), për zbulimin e tokarishtes, gjuhë indoeuropiane që nuk dihej më parë, në Turkistanin Verilindor. Çabej shkruan: “Janë bërë ekspedita arkeologjike aty nga viti 1902 nga disa arkeologë gjermanë dhe në vitin 1907 nga arkeologë francezë. E para qe ekspedita prusiane e vitit 1902, që quhet në arkeologji ekspedita e Turhanit, (Turhan është një krahinë në Turkistanin kinez) që u vu në kryesinë e Grundwedelit e të Le Gogut e pastaj qe ekspedita frënge nën drejtimin e Pelliotit”. Gjithashtu, Çabej vë në dukje rëndësinë e mbishkrimeve frigase të shekujve Vll - Vlll para erës sonë, pastaj shënon “Zbulimet arkeologjike që bëri arkeologu gjerman Hygo Winckler në vitet e para të këtij shekulli, aty nga 1906 - 1907 në katundin Begazkyj, 950 kilometra në lindje të Ankarasë, ku u zbulua një arkiv i plotë i Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së hetitëve”. Mbishkrimet hetite janë nga pikëpamja e kohës më të lashtat në fushën indoeuropiane, më të lashta se tekstet më të vjetra të greqishtes edhe më të lashta se tekstet e indishtes.

Çabej informon saktë për mbishkrimet trake, mesape, të oskoumbrishtes, për rasat iguvine (të shekullit XI para erës sonë), për faliskishten, për vazon me mbishkrimin e faliskëve nga qyteti Preneste, për mbishkrimet e Kretës, linear B, zbërthyer nga M. Ventris e J. Chadroick, të shek. XV - XVl para erës sonë, për mbishkrimet Ogam të irlandishtes të shek. lV-Vl të erës sonë, për mbishkrimin gjermanik më të lashtë të përkrenares së Nogaut në Austri të shek. I të erës sonë etj. Çabej rekomandon si bibliografi kryesore veprën “Les indievropien problemes archeologiques”, Paris, 1961 si dhe librin e Giacomo Devoto, shikimi i historisë së gjuhëve indovropiane lidhur me problemet e arkeologjisë bashkëkohore.
Por nënvizojmë se në punimet gjuhësore të Çabejt arkeologjia që ka të bëjë me iliro - shqiptarët e gjuhët e historinë e fqinjëve një vend parësor, më të specifikuar, asaj i kushtohet shumë më tepër vëmendje e kujdes. Çabej e njeh mjeshtërisht literaturën e arkeologëve të huaj që janë marrë direkt me objektet e monumentet arkeologjike të Shqipërisë, të viseve të Ilirisë së dikurshme antike, veprat e M. Leake, Pouqeuville, Hahn, T. Momasen, G. Zippel, W. Tomascheku, C. Patsch, P. Sticotti, F. Nopscha, Ç. Truhelka, K. Traeger, sidomos arkeologët e mirëfilltë si C. Prascheniker e A. Srhober, L. Rey, L. Ugelini, P. Marconi e D. Mustilli.

Për problemin e birësisë (filiacionit) së shqipes nga ilirishtja, Çabej ka konsultuar dhe librat e S. Casson, G. Childe, E. Wikon, e N. Velmin, F. Stolz e A. Waldes.
Gjithashtu, Çabej ecën në hullinë e Majerit, Joklit, P. Kretshmerit H. Krahes, M. Vesmerit, R. Ribezzos etj, të cilët i kanë shfrytëzuar të dhënat e epigrafisë së lashtë të nxjerrë në dritë nga arkeologjia. Prof. Çabej shpreh besimin e gjetjes ndonjë ditë të ndonjë monumenti epigrafik, bilingue, që do të zgjidhte përfundimisht enigmën e ilirishtes, që mund të ishte ngjarje e madhe e kryesore për këtë çështje të komplikuar të shkencës. “Mund të pritet ndonjë dritë e re nga një anë nga mbishkrimet mesapike të Apulisë, nga ana tjetër nga zbulimet që mund të dalin nga tumbat e panumërta trake... Por vetë trualli i Shqipërisë ndërkaq mundet ruan fshehtësirën e burimit të gjuhës së shati i arkeologut mbase edhe këtu do të verë gjuhëtarin përpara një gjëje të papritur”, - thotë Çabej. Tani duam të theksojmë si i ka shfrytëzuar Çabej të dhënat arkeologjike.

Do të japim disa shembuj.
Shembulli I: Çabej flet për disa mbishkrime trake të botuara nga V. Georgevi, i cili i interpretonte duke patur parasysh shqipen. Çabej në një mbishkrim mbi një tavë argjendi, e gjetur në Dunavi afër Plovdivit (Filipopolit) që i takon shek. V para erës sonë, scripta continua, në kundërshtim me zbërthimin e Georgevit, i cili gjen aty një fjali me kuptimin “O dhe, mbulomë”, Çabej jep shpjegim tjetër të ndryshëm “O dhe, mbamë fort”. Çabej kundërshton dhe një interpretim jo të goditur të Georgevit të një mbishkrimi tjetër trak të Duvanlisë, ku Georgevi ofron një fjalë trake me një mesape pa pasur parasysh rrethanat e mundësitë shkencore të një ekuacioni në konisket e Durrësit.

Shembulli II: Ai për herë të parë bën një zbërthim që të bind, mbushamendës, të emrit Lydra, i cili mund të lexohet Ludra, në kuptimin “e pastër, e dlirë”, që i përket etimologjikisht e morfologjikisht grupit gr. lutron “banjë” lat. lautus “i larë” gal. lautre “banjë botore”, afrohet edhe me shqipen “i dëlirë”, gjë që tregon se edhe “i lirë” nuk rrjedh me rrugë të drejtpërdrejtë prej lat. libër, po mund të jetë përzier me një fjalë vendi të shqipes, të afërt me emrin Lydra.

Shembulli III: Qysh në vitin 1942, në studimin e tij “Djana dhe Zana”, Çabej me një njohje të hollësishme të monumenteve arkeologjike që lidhen me kulturën e Artemisit në viset ilire (citon Karl Koreney, Patsch, Artur Betz, Schneiderin, Domaszewëskin, Wissovan, Sergevejskin, Kretshmerin, Fidlander, Meyer- Lybke, Skok, Burckardt, Baumbach, etj) si dhe të historisë së gjuhëve, të ligjësive fonetike, morfologjike vërteton se Artemis - Djana kanë dhënë në shqip Zana. E theksojmë këtë artikull se është tipik për krijimtarinë e profesorit, i cili në moshë të re në atë kohë kishte një njohje të shkëlqyer të materialit arkeologjik që lidhej me një kult të rëndësishëm të panteonit të ilirëve, në lidhje me kultet greke e romake etj, duke bërë edhe përshkrimin e mjaft monumenteve që nuk është vendi t'i përmendim hollësisht këtu. Se sa i lidhur ka qenë Çabej me arkeologjinë, vëmë në dukje se që në 1938-n kur ai ishte 30 vjeç në studimin e tij lakonik të spikatur, “Për gjenezën e literaturës shqipe” shkruan veç të tjerave dhe këto rreshta: “Veçoria e vazove apulike në rrethin e vazove italike, karakteri vetjak i qeramikës tesale brenda qeramikës greke, duhet, besoj të shpjegohet me elementin ilir të tyre”, mendim ky që kërkimet e mëvonshme e studimet më të thelluara e kanë konfirmuar si të drejtë.

Shembulli IV: Në artikullin “Mbishkrime unazash të Shqipërisë Veriore”, botuar në vititn 1957, Çabej merret me interpretimin e disa mbishkrimeve të disa unazave të zbuluara nga arkeologët në nekropolin e Kalasë së Dalmacës, pranë Komanit, për të cilat qenë shprehur mendime të ndryshme, kontradiktore nga Degrandi Fraeger, Ippen, Nopsca etj.
Hans Krahe një nga këto mbishkrime e kishte konsideruar si një mbishkrim ilir (i ilirishtes ballkanike) që i kushtohej një hyjnie etj. Ugolini i datonte si të shek. III të erës sonë e gjente në to formula magjike, apotropoike etj. Çabej citon mendimin e arkeologut Hasan Ceka, i cili ka meritën që i vendosi këto unaza me mbishkrime në mjedisin arkeologjik e kronologjik që u përkiste. Kurse Çabej qe i pari që bëri zbërthimin e mbishkrimeve që kishin një formulë të njohur bizantine mesjetare “Ndihmo zoti Krisht”. Më vonë në artikullin “Edhe një herë mbi mbishkrimet e Shqipërisë Veriore”, Çabej kundërshton interpretimin e këtyre mbishkrimeve nga arkeologia bullgare L. Ognenova, duke shënuar se këto formula fetare të unazave qenë bërë nga vendasit, të cilët i kanë bërë dhe si thjesht motive dekorimi.

Shembulli V: Çabej nga monumentet arkeologjike në studimet e tij ka futur dhe elementët etnografikë. Ai e gjen të drejtë lidhjen midis xhubletës popullore të Veriut dhe veshjes së disa figurinave të lashta të Kretës, gjithashtu, në figurat e relievizuara në harqet e triumfit në Romë, Çabej vë re e vendos lidhje me veshjet etnografike iliro-shqiptare. Këto shembuj, të ravijëzuara këtu shkurt, tregojnë interesat e mëdha kulturore të profesorit dhe njohjen e tij të arkeologjisë jo si qëllim në vetvete, po si element veprues, shtjellues, argumentues, në funksion e në dobi të studimeve gjuhësore të mirëfillta. Metoda kombinatore, parimi i historizmit, shtruarja nga baza shumë objektive shkencore e teorike e problemeve themelore të gjuhësisë historike, të etnogjenezës iliro-shqiptare janë në bazën e veprës çabejane. Në fund mund të themi se arkeologjia i ka dhënë gjuhësisë, por edhe gjuhësia i ka dhënë arkeologjisë. Kjo është e pranishme dhe e përhershme në shkrimet e vlerësimet e profesorit tonë të madh.

Dr. Moikom ZEQO : Gazeta Albania


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama