Arkeologet klandestine ne ethet e arit

Arkeologët klandestinë në ethet e arit

Për 50 vjeçarin që ka punuar në kohën e komunizmit si mekanik e që tani është Kryemyftiu i rrethit të Skraparit, epokat historike apo gjeologjike nuk kanë fort rëndësi. Për të, ka rëndësi objekti, minerali apo materiali i çmuar, që ai mendon se ende po pret në thellësitë e shpellave apo arrave, që të zbulohet pikërisht prej tij…

Pasion apo fitim?
“Kam qenë amator i kërkimeve gjeologjike dhe arkeologjike”, e nis për MAPO-n rrëfimin e tij pasionant, aventurieri, i cili sipas terminologjisë zyrtare duhet të quhet “arkeolog klandestin”. Në këto 30 vjet, ka hasur në shumë vendbanime historike dhe prehistorike, po të gjykosh nga inventari i objekteve që thotë se ka mundur të zbulojë. Ai tregon se ka zbuluar heshta ilire, vegla pune prej guri, objekte zbukurimi prej metali të çmuar në varreza, sipas tij ilire, apo kryqe të zbuluara sigurisht në varreza që duhet kronologjikisht t’i përkasin antikitetit të vonë apo mesjetës së hershme, meqë krishtërimi vetëm atëherë mund të dokumentohet edhe në territorin shqiptar. “Më kanë tërhequr vëmendjen gjithmonë, të gjitha legjendat e thëna nga pleqtë, apo rrëfimet e njerëzve që mendojnë se parardhësit e tyre kanë fshehur dikur thesare nën tokë”, tregon për MAPO, në një intervistë ekskluzive Sulçe, i sapokthyer nga një konferencë ndërkombëtare islamike ku ka qenë pjesëmarrës i delegacionit shqiptar…

Njerëz të ndryshëm në Skrapar por edhe në vende të tjera të Shqipërisë, pretendojnë se pararadhësit e tyre kanë fshehur dikur thesar në tokë, por ata për arsye të ndryshme kanë humbur apo nuk e kanë gjetur asnjëherë amanatin me koordinatat e sakta të thesarit. E çfarë bëjnë? Shkojnë të Fetau dhe i tregojnë gjithçka që dinë e ky i fundit nis menjëherë kërkimet, duke përdorur edhe metalkërkues (metal-detector, që ai thotë se nuk e disponon vetë por ia japin hua miqtë!).

Por pasioni i vërtetë e Sulçes nuk janë amanetet e të vjetërve. Ai tashmë, pretendon të fitojë nga kjo aventurë ndaj ndjen se kërkimet më të vlefshme janë ato që bëhen në ish minierat e arit të fillim-shekullit të 14-të. “Kam kërkuar edhe në arkiva të shumta jashtë Shqipërisë. Kam siguruar dokumenta të ndryshëm dhe tashmë kërkimet i bëj duke ndjekur sugjerimet e këtyre dokumentave”, thotë Fetau, i cili ka lexuar së fundmi edhe një libër sqarues me shumë detaje mbi nëntokën shqiptare, shkruar nga gjeneral Emanuele Pugliese, një ushtarak i lartë i kohës së Musolinit.

Fetau ka mundur të zbulojë furra mesjetare të shkrirjes së arit në Vilajetin e Tomorricës së Skraparit, madje pohon se ka gjetur skorje të ndryshme si dhe 54 gram flori 24 karat!

Por zona e Skraparit, është e njohur sidomos për mermerin me cilësi të lartë. Miniera ku nxirret ky mineral, që sot duket se është bërë objekt i investuesve grekë dhe italianë, ndodhet vetëm 6 km larg Dëvrit, vendit ku sipas dokumentave historike që ka lexuar Fetau, ndodhen minierat mesjetare të arit. “Si ka mundësi që si grekët, si italianët nuk rreshtin së luftuari për të marrë përsipër shfrytëzimin e minierës së mermerit që ndodhet kaq pranë asaj të arit…”, pyet Kryemyftiu i një prej rretheve më të mëdha të jugut të Shqipërisë.

Në shpella, diçka fshihet…
“Indiana Jones” i Skraparit, vitet e fundit ka rënë në gjurmë edhe të një materiali të shtrenjtë në tregun ndërkombëtar, që është i njëjti material prej nga krijohen protezat e porcelanit. E gjen këtë material në shpellat e shumta të Skraparit, atje ku ka gjetur, sipas pohimeve të tij edhe shumë objekte që konfirmojnë se ato shpella jane banuar nga njerëz, në një periudhë të caktuar historike.

Madje Fetau, nuk ka harruar që edhe t’i dokumentojë “bëmat” e tij përmes fotografive. Në njërën prej tyre shfaqet ai në Shpellën e Radesti Pirogoshtit në Corovodë, më 23 maj të vitit 1989. Ai është i bindur, se ka gjithmonë diçka që fshihet në shpella…

Kristi Pindeli : Revista Mapo


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama