Ardian Isufi Antihomazh si perballje me diktaturen

Ardian Isufi: Antihomazh si perballje me diktaturen

Artisti sjell sot për publikun maskën e vdekjes së diktatorit Hoxha. Në ekspozitën e titulluar “Antihomazh”, artisti përballet me vdekjen, diktatorin dhe me historinë e diktaturës.

Njerëzimin e ka joshur ngaherë vdekja. Ai misteri i padepërtueshëm që vishet në mijëra e mijëra forma e interpretime. Ka qenë përmes artit që njerëzit kanë shprehur qasjen drejt vdekjes…objekte, imazhe, struktura…E tillë është edhe ekspozita e artistit Ardian Isufi, i cili sjell maskën e vdekjes së diktatorit Enver Hoxha, në mjediset e Muzeut Kombëtar.

Një “Antihomazh”, si përballje e artistit me vdekjen dhe me diktatorin.

Një instalacion, i cili e vendos publikun përballë ish-udhëheqësit komunist. Arkivi i Muzeut Historik Kombëtar ka në përbërjen e tij maskën e vdekjes së Enver Hoxhës, që është një artefakt shumë interesant, të cilin Isufi do ta shfaqë në formën e një instalacioni artistik. “Krijimtaria ime e viteve të fundit dhe qëmtimet e mia artistike nëpërmjet artit pamor në kontekstin social dhe shoqëror më nxisin të realizoj një ekspozitë si ndërhyrje artistike tepër të studiuar, si në rrafshin historik por edhe antropologjik! Arti bashkëkohor në ditët e sotme ka integruar në vetvete shumë elemente të historisë, duke bashkëpunuar në shumë fusha të karakterit human dhe duke i ndërthurur me mundësitë e mëdha që të jep për të komunikuar gjuha pamore”, – thotë ai.

Për të, ky koncept është një qasje e re e marrëdhënies që njeriu si individ duhet të ketë me diktatorin dhe me historinë e diktaturës.

“Publiku përmbyll instalacionin që rrugëton fillimisht në një ‘tunel izolimi’ dhe qëndron për pak çaste përballë Enver Hoxhës, duke krijuar një kontakt imagjinar me kohën, ne e rivendosim në gjykim eksperiencën tonë përballë izolimit totalitar. Ky kontakt me maskën-portret na shtyn në një kontakt psikologjik, ku mimika apo gjestikulacioni emocional i portretit të çdo vizitori do të dokumentohet si ANTIHOMAZH me historinë tonë të diktaturës dhe për këtë arsye, rruga e kontaktit përballë kësaj maske vdekjeje do të jetë nëpërmjet një tuneli mental, që do të instalohet si labirinth i përroit psikologjik në hollin qendror të Muzeut Historik Kombëtar”, – thotë Isufi.

Kjo është hera e dytë që Isufi sjell figurën e diktatorit Enver Hoxha në artin e tij. Vetëm pak muaj më parë, në ekspozitën e Bienales së Artit të Torinos që u hap në Tiranë, ai bëri një ndërhyrje mbi kopertinën e librit “Dimri i madh” të shkrimtarit Ismail Kadare. “Krijimtaria ime e viteve të fundit është refleksion mbi simbole dhe mite që u përdorën përgjatë regjimit komunist në Shqipëri në dialog me të tashmen postkomuniste! Hijet e kësaj kohe totalitare vazhdojnë të zgjatohen edhe pas rënies së Murit të Berlinit, duke na mbajtur peng në psikikën tonë kolektive. Pra, në këtë kontekst, për të ‘çmitizuar’ paradoksin e qëndrimit tonë, ironizoj me shenja apo simbole komuniste duke i zhveshur nga përmbajtja apo rëndësia e tyre, për të kuptuar forma të reja alternative të mendimit dhe për t’i hequr përfundimisht peshën nga absurdi i kohës së tyre”, – thotë Isufi.

Kjo është hera e parë që maska e vdekjes së diktatorit ekspozohet për publikun e gjerë, ndërsa ekspozita do të jetë e hapur deri më 22 shtator.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama