Seanca në apel
Duke filluar nga ora 08:30 dhe në vazhdim, me intervale kohore 15- minutëshe, të pandehurit Arben e Fatjon Laze, Shkëlqim Hyzmo dhe Arben Prifti, janë paraqitur në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda njëri pas tjetrit. Ndërsa shkalla e parë e gjyqësorit i kishte lënë ata në "arrest me burg" më 26 dhjetor të vitit të kaluar, dje katër të bashkëpandehurit kërkuan prishjen e këtij vendimi dhe lënien e tyre në masa më të lehta sigurie. Burime pranë Gjykatës së Apelit bënë me dije se financuesi i skuadrës së futbollit të Elbasanit dhe të tjerët kanë ofruar garanci pasurore për lirimin e tyre nga qelia. Mësohet se ata nuk kanë cilësuar shifra konkrete monetare, por e kanë lënë në çmim të gjykatës caktimin e "vlerës së tyre të lirisë". Ndërsa Gjykata, pasi është njohur me pretendimet e palëve të mbrojtjes edhe ato të akuzës, ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë dhe rrjedhimisht lënien në burg të të pandehurve.
Alibia
Gjatë vlerësimit të masës së sigurisë në Shkallën e Parë, në ditët e fundit të vitit 2008, nga të pandehurit u pretendua se vetëm Fatjon Laze është i implikuar në trafikun e heroinës. Vetë Fajton Laze pohoi para gjykatës mospërfshirjen e vëllait të tij, Arben Laze në shitjen e drogës së bllokuar nga policia në Lushnjë. Sipas tij, droga i kishte ardhur nga një i njohuri i tij kosovar dhe se me paratë që do të fitonte prej shitjes do të paguante makinën e blerë tek i pandehuri tjetër, Arben Prifti.
Pretendimet e ngritura nga të akuzuarit u cilësuan të pabaza nga organi i akuzës. Sipas prokurorisë, përgjimet telefonike, vëzhgimet, provat e grumbulluara dhe deklarimet e dëshmitarëve, tregojnë se katër të arrestuarit kanë pasur dijeni dhe janë të implikuar në trafikimin e heroinës. Bazuar në përgjimet e bisedave telefonike, organi i akuzës pretendon se sasia e heroinës ishte porositur nga Prifti tek Arben Laze. Ndërsa me dorëzimin e saj do të merrej Fatjon Laze, i cili ia ka dorëzuar atë të pandehurit Shkëlqim Hyzmo.
Operacioni policor "Mesfushori" startoi me arrestimin e Shkëlqim Hyzmos, i cili u prangos më 24 dhjetor 2008, në vendin e quajtur Kthesa e Divjakës-Sektor Çermë, në Lushnjë, teksa iu gjet në automjetin e tij tip "Benz", me targë TR 5260 G, një sasi prej 1042 gramë lëndë narkotike. Në vazhdim prangat u vendosën në duart e Arben Priftit dhe më pas të Arben Laze, teksa ai po kthehej nga një vizitë në Maqedoni. Ndërsa Fatjon Laze u arrestua në banesën e tij në qytetin e Elbasanit.











