Antoniou Edhe nje vrases e rifiton njeriun

Antoniou: Edhe një vrasës e rifiton njeriun
Sot në orën 11.00 nis programi i konkurrimit. Në pjesën e parë shfaqen 8 prodhime nga Greqia, Belgjika, Kosova, Japonia, Spanja, Anglia, Hungaria dhe Franca. Gjatë seksionit të dytë shfaqen gjithashtu 9 filma që i përkasin një gjeografie më të gjerë. Programi special vijon sot në orën 18.00 sërish me "Eduard", për t'i dhënë një tjetër mundësi spektatorëve që nuk mundën ta ndjekin mbrëmë, dhe në orën 20.00 me filmin "Montenegro" i Dusan Makavejev, regjisor të cilit TIFF, si çdo vit, i ka kushtuar retrospektivën.

Regjisorja Angeliki Antoniou, e pranishme në Tiranë për premierën e "Eduard". Një histori shqiptare e interpretuar nga aktorë shqiptarë. Dramë e rëndë që përcjell humanizëm

Lulet e bajames çelën vetëm atëherë kur ai u dorëzua. Eduard është një djalë që donte rock& rrollin. Donte të bëhej një rock star. Por jeta jo të gjithëve u jep atë që kërkojnë. Mbrëmë në Kinema "Imperial", publiku shqiptar pa një copë të historisë së vet. Pas fitores së "Antigonës së artë" në Monpelje, regjisorja greke Angeliki Antoniou prezantoi në Tiranë filmin e saj "Eduard". Një histori shqiptare, e luajtur nga aktorë shqiptarë, nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia. Në 104 minuta pamë emigracionin, arratisjet maleve me borë, kaosi i '97-ës, varfërinë në qytetet periferike shqiptare, prepotencën e prindërve që nuk ditën asnjëherë të dëgjojnë fëmijët e tyre. Të gjitha këto Antoniou i jep përmes historisë së të riut Eduard, luajtur nga aktori kosovar Eshref Dyrmishi, dhe një trupe aktorësh të njohur si Ndriçim Xhepa, Ermela Teli, Gazmend Gjoka, Lulzim Zeqja, etj. Të gjitha këto të ndërfutura në jetën e një njeriu, jo në mënyrë shabllone. Një histori që për shqiptarët vjen pak e rëndë. Të duket sikur merr një shuplakë fytyrës, por siç e justifikon regjisorja nuk është asgjë më shumë se një histori e vërtetë. Bashkë me ngjarjet zhvillohet dhe ndryshon edhe personazhi, i cili kalon sërish kufirin grek më këmbë, duke rrezikuar të vdesë si shoku i fëmijërisë, Ismaili, që e shqyen ujqërit, apo të mbetej i vdekur nga plumbat e ushtarëve grekë vetëm për të treguar krimin e kryer.

Në fund të filmit, spektatorët që ndoqën premierën e pyetën regjisoren për historinë e vërtetë të Eduardit, për përzgjedhjen e aktorëve apo për procesin krijues të regjisores.

Ajo pohoi se është e ndërgjegjshme që bëhet fjalë për një dramë të rëndë që afron me historinë e Dostojevskit tek "Krim dhe Ndëshkim". "Është një histori e vërtetë dhe që në momentin që e dëgjova më shëmbëlleu me romanin e Dostojevskit, të cilin e kam rilexuar gjatë kohës që shkruaja skenarin. Por në ndryshim nga Dostojevski, nuk kam dashur të përdor fenë si shkak të ndryshimit të Eduardit, por kam futur një element tjetër, siç është njohja me "mjekun" gjerman në burg"", - tregon Antoniou. Sa i përket mesazhit që u përcjell të rinjve, thotë se kjo është gjëja e fundit për të cilën ka menduar kur bëri filmin. Dhe çuditërisht vetëm pak kohë më parë mori një çmim nga juria e të rinjve në Montpelie. "Kam dhënë mësim në Fakultetin e Selanikut dhe kam vënë re se studentët e mi nuk kishin nevojë për një nënë, apo baba tjetër, por për të vërtetën e thënë me zgjuarsi",- thotë ajo. Regjisorja ngul këmbë në faktin që kur realizon një film nuk do të tregojë se grekët janë më të mirë, gjermanët më të këqinj dhe shqiptarët akoma më keq. "Unë merrem me ndjenjat. Ajo që dua të them është që edhe një vrasës ka nevojë për një shans të dytë. Edhe një vrasës mund të rifitojë ndjenjat humane".

Për përzgjedhjen e aktorëve Antoniou ka punuar dy vjet. Ka parë filma e ka bërë kinoprova në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri. Ky bashkim shqiptarësh në të njëjtin film (në të njëjtën familje) i "kërcet" pak publikut shqiptar, por duket se ndryshimi i dialekteve nuk shqetësoka publikun e huaj. "Aktorët e Tiranës ma thoshin shpesh këtë. Por loja e Eshref Dyrmishit është lavdëruar shumë nga kritika botërore dhe tani ai luan në një film anglez. Jam e lumtur që kjo po ndodh me "fëmijën" tim", - thotë Antoniou, e papërtuar tu përgjigjet të gjitha pyetjeve të spektatorit.

Alma Mile  : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama