Konsulent në projekt është prof. Neritan Ceka. Nga biseda me specialistët dhe koordinatorin Auron Tare, drejtor i Fondacionit Albanian National Trust, mëson se gjithë historia navale e Mesdheut reflektohet edhe në gjatësinë bregdetare shqiptare. Deri tani nuk ka patur asnjë lloj mundësie që kjo histori e mbuluar me shtresat e llumit të flishit detar të dalë në dritë. Ekspedita e përbashkët shqiptaro-amerikane e eksplorimit nënujor të rajonit arkeologjik është hapi i parë shumë i rëndësishëm drejt zbulimeve befasuese arkeologjike që tashme njohin një rigjallërim dhe përdorim metodash shkencore moderne. Ky projekt i kushtueshëm financiarisht ka për qëllim të ndërtojë hartën arkeologjike të bregut detar shqiptar në një thellësi deri në 600 m duke përdorur mjete të tilla si robotë për zhytje, matje, analiza dhe filmime shumë cilësore, me një saktësi të madhe në thellësi të detit, duke e kontrolluar përmes satelitëve. Sipas specialistëve të fushës, gabimi më i mundshëm në përcaktimin e vendndodhjes së objektit është vetëm 20 cm, që do të thotë një shmangie e papërfillshme.
Rajoni nënujor nga Kepi i Ftelesë deri në Kakome, i quajtur rajoni i Sarandës, është ndarë në tre zona arkeologjike për lehtësi studimi dhe që veç studimit fotometrik, po bëhet edhe harta e morfologjisë së relievit, si dhe shmangiet artificiale nga format natyrale, që tregojnë për prezencën e objekteve dhe anomalive artificiale që në gjuhën especialistëve do të thotë gjetje arkeologjike në funddetin pranë brigjeve tona. Format më të mëdha që mund të kapen më lehtë gjatë punës nën ujë janë anijet e mbytura me gjithë pajisjet materiale që gjenden në kuvertë apo mjetet dhe pajisjet e vetë anijeve siç mund të jenë spiranca, pjesë metalike dhe materiale të tjerë jo organikë si pitosa, qypa, pajisje ushtarake e vetjake. E vështirë është që në ambientin nënujor të ruhen pjesët organike si skeletet prej druri të anijeve antike, skeletet kockorë, lëkura etj. Në fazën e parë për vitin 2007 vëmendja është përqendruar në konturimin arkeologjik të funddetit të tre zonave në Sarandë. Në fazat e tjera të projektit do të shkohet drejt evidentimit të formave të objekteve e më pas në gërmimin nënujor nga priten edhe përfundimet shkencore. Sipas bashkëpunëtorëve shqiptarë të projektit, janë vetëm katër anije të tilla në botë të specializuara vetëm për këtë punë, sepse teknologjia për këto kërkime është nga më të përparuarat e kohës.
Dr. Jefry Royal, drejtor shkencor i Fondacionit,thotë se një ditë pune e anijes me profil vetëm shkencor kushton rreth 10 000 dollarë dhe se për realizimin e detyrës së projektit kostoja është shumë e lartë për një vend të vogël si Shqipëria. Ky projekt financohet nën kujdesin e z. George Robb, President i Fondacionit Amerikan RPM National Fondacion.
Zbulimi që nuk vonoi
Arkeologët, si ata amerikanë edhe ata shqiptarë, gjatë punës për të hedhur në hartë gjetjet nënujore, arritën në një masë të mbuluar me depozitime nënujore në formën e rombit, imazhet e përcjella në kuvertë nga roboti i zhytur në thellësinë rreth 40 mnën ujë flisnin për një përmasë gjigante. Në shqyrtimin e saj nga ana e robotit u arrit në përfundimin se një grumbull i madh amforash të ruajtura mirë dhe pjesërisht të thyera nga një përplasje e fuqishme ishin ngarkesa e një anijeje që ka lundruar shekuj më parë afër brigjeve të rajonit bregdetar të Butrintit dhe që nga ky moment gjendet në fundin e detit. Me tu informuar për lajmin nxituam të kontaktonim specialistin shqiptar të arkeologjisë nënujore, dr. Adrian Anastasin, i cili konfirmoi gjetjen e një anijeje që i përket shekullit të 6–5 para Krishtit dhe sipas tij, "kemi të bëjmë me një zbulim shumë të rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë por edhe për tërë Mesdheun, pasi të tilla anije të periudhës antike janë shumë të rralla." Për kohën e mbytjes ndoshta duhet thënë që i përket periudhës së ardhjes së kolonëve grekë në Apolloni, Durrës, Butrint dhe gjatë bregdetit shqiptar, në kërkim të lirisë nga shtypja skllavopronare e kësaj periudhe. Dr. Anastasi sqaron gjithashtu se zbulimi është pothuajse i saktësuar në terren, por që duhet t'i nënështrohet gërmimit arkeologjik nënujor qëtë flitet me siguri të plotë. Nuk jemi ende të sigurt nëse është ruajtur apo jo skafi i poshtëm i trupit të anijes, pasi ka qenë e ndërtuar me lëndë organike prej druri dhe si e tillë nuk dimë nëse ka arritur të krijojë cipën e mbrojtjes nga veprimi asgjësues i ujit para mbulimit nga depozitimet e mëvonshme apo jo. Sa për gjetjet e objekteve të tjera është arritur që njëra prej amforave të nxirret në sipërfaqe, duke përdorur metodat e mbrojtjes nga ekspozimi dhe kontakti me ajrin si dhe kalimi nga prezenca e ujit të kripur në atë të ëmbël gradualisht. Në laboratorin e anijes amfora e sjellë në sipërfaqe, u analizua me përpikmëri dhe në bazë të materialevestudimore krahasuese mendohet se është amforë e shek. 6 – 5 para krishtit.
Kjo amforë u dërgua në muzeumin e Durrësit, ku do të jetë pjesë e laboratorit të arkeometrisë të drejtuar ngaprofesor Frederik Stamati i cili është edhe i specializuar për mbrojtje të tilla, dhe maksimumi për një muaj do të kemi përgjigjen përfundimtare të ekspertëve për periudhën e datimit të këtyre amforave. Për arkeologët zbulim përbën e gjithë ngarkesa e anijes në fund të detit, pra një sasi e madhe amforash të cilat çojnë në idenë se kemi të bëjmë me mbytjen e njëanijeje pasi një sasi e tillë nuk mund të gjenden rastësisht atje, apo nuk mund të jenë hedhur nga ndonjë anije, por janë pjesë e një aksidenti që ka ndodhur në det, pra një mbytje, por kjo do të vërtetohet më mirë nga gërmimet e specializuara që do të bëhen vitin tjetër. Gjithashtu edhe një pjesë e spirancës së anijes ka dalë, dhe që jep përsëri idenë se këtu kemi të bëjmë me një mbytje. Amfora tashmë në duart e arkeologëve është 1.5 m e lartë, me grykë të ngushtë dhe me dy mbajtëse, ndërsa anija e mbytur e zbuluar ndodhet në një thellësi mbi 40 m. dhe është kapur nga roboti, sepse "Hercules" për studimet e fundit të detit në zhytjet e thellësive të mëdha përdor robotin, atje ku është shumë vështirë të zhytet njeriu.
Në pamjet filmike të sjella nga roboti tregon që anija është e mbuluar. Për pamjen e saj të plotë dhe gjetjet e tjera që lidhen me të do të flitet kur të gërmohet për ta studiuar atë.
Luan Sejdini : Gazeta Shekulli











