Anetaret e Keshillit Mbikeqyres Nuk japim doreheqje!

Anetaret e Keshillit Mbikeqyres: Nuk japim doreheqje!

Anëtarët e mbetur të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë (BSH) vendosin të mos japin dorëheqje. Në përfundim të një deklarate të bërë dje, Këshilli Mbikëqyrës rithekson “angazhimin e plotë për ushtrimin me përgjegjshmëri të funksioneve që i cakton ligji”. Ndërkaq, bordi drejtues i BSH-së i kërkon Kuvendit të zgjedhë sa më shpejt guvernatorin. “Këshilli Mbikëqyrës, ndonëse çmon se përcaktimet ligjore janë të mjaftueshme për zhvillimin e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë edhe në situatën aktuale, shpreh nevojën për organizimin e drejtimit të institucionit në një kohë të shpejtë”, shprehet zyrtarisht Këshilli Mbikëqyrës. Gjithashtu, vazhdon deklarata, Këshilli Mbikëqyrës sjell në vëmendjen e Kuvendit faktin që ligji nuk siguron vazhdimësinë e funksionit të Inspektorit të Përgjithshëm, në kushtet e mungesës së tij. Komisioni për Ekonominë dhe Financat e Kuvendit kishte nisur procedurën për shkarkimin e inspektores Elivar Golemi, një ditë para arrestimit të saj, për shkak të mosparaqitjes për të dhënë dëshminë e saj mbi skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve në Thesarin e BSH-së. Ndërsa, propozimi i Këshillit Mbikëqyrës për shkarkimin e guvernatorit Fullani deri dje nuk kishte arritur zyrtarisht pranë këtij komisioni.

Mungesa e anëtarëve

Ndërkohë që këshilli kërkon me ngulm plotësimin e drejtimit, nuk përmendet fakti i mungesës së anëtarëve të tjerë që duhet të plotësojnë sipas ligjit, vendet në këtë bord. Me dorëheqjen e profesor Adrian Civicit, i cili ishte zgjedhur me propozim të Këshillit Mbikëqyrës, bordit, sipas përcaktimit nga ligji për bankën, i lind e drejta që të dërgojë një emër të ri për të zënë këtë vend. Praktikisht, Këshillit Mbikëqyrës i mungojnë katër anëtarë. Një nga shkeljet e bëra nga guvernatori i arrestuar, Ardian Fullani, ka qenë lënia e bankës pa zëvendësguvernatorin e dytë, i cili përgjigjet për kontrollin e disa sektorëve të bankës. Banka ka nëntë vjet pa një zëvendësguvernator. Ndërkaq, Kuvendi është treguar neglizhent dhe nuk ka bërë zëvendësimin e dy anëtarëve që kanë mbaruar mandatin qysh prej nëntë muajsh. Kjo situatë, jo vetëm rrezikon kuorumin e funksionimit të Këshillit Mbikëqyrës, por edhe shkel detyrimin ligjor, që datat e emërimit të anëtarëve të jenë të shpërndara gjatë shtatëvjeçarit të mandatit, me qëllim që të mos vihet në vështirësi nga mungesat puna e bordit drejtues.

Situata financiare

Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së u mblodh dje, nën drejtimin e guvernatores në detyrë, Elisabeta Gjoni, për të ndjekur nga afër zhvillimet në tregjet dhe institucionet financiare, si edhe në veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë. “Mbështetur në informacionin e analizuar, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se zhvillimet në tregjet e parasë, të këmbimit valutor dhe në atë ndërbankar, paraqiten të qëndrueshme në drejtim të vëllimit të veprimtarisë dhe të luhatshmërisë, në përputhje me ecurinë e tyre sezonale dhe trendet historike”, njofton Këshilli Mbikëqyrës. Të dhënat operative nga sektori bankar, sipas njoftimit, tregojnë një ecuri normale të nivelit të depozitave dhe një situatë të qëndrueshme në zhvillimin e veprimtarisë. Këshilli Mbikëqyrës ka shprehur mbështetje për guvernatoren në detyrë. “Pasi u njohëm me ecurinë e masave të marra, vlerësojmë përpjekjet e drejtimit të Bankës së Shqipërisë për normalizimin e situatës”, deklaron këshilli. Në këtë kuadër, Këshilli Mbikëqyrës thekson vlerësimin dhe mbështetjen e plotë për punën e personelit të institucionit qendror monetar. Mbledhja e djeshme, një ditë pas dorëheqjes së anëtarit të këshillit Adrian Civici, është mbledhje jashtë radhe ose mbledhje e jashtëzakonshme. Qëllimi kryesor ka qenë qetësimi i tregjeve, por edhe “shtrëngimi i radhëve” mes anëtarëve të mbetur të Këshillit, pesë bashkë me guvernatoren në detyrë për të mos shkaktuar mungesën e kuorumit që do të rrezikonte mbajtjen e mbledhjeve për politikën monetare, mbikëqyrjen e bankave, auditivin dhe prokurimet.

 
Diskutimi

Guvernatori i huaj, vetëm nëse ndryshohet ligji

Pasi Kryeministri e hodhi si ide vendosjen e një guvernatori me profil ndërkombëtar, politikanë të ndryshëm shkuan edhe më tej, te mundësia e një guvernatori të huaj. Në bazë të ligjit për bankën, “kandidatët për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës duhet

të jenë shtetas të Republikës së Shqipërisë”. Ky është një kriter që e kanë thuajse të gjitha statutet e bankave kombëtare. Më tej ligji specifikon se, “kandidaturat duhet të jenë persona që gëzojnë ndershmërinë dhe pastërtinë morale, si dhe kanë: arsimin e lartë ekonomik ose juridik; përvojë profesionale në çështje financiare dhe bankare; kualifikime profesionale të profilit; përvojë pune mbi pesë vjet në administratën publike ose në institucionet financiare dhe bankare; të mos kenë pengesa, për shkak të konfliktit të interesit”. Afati i qëndrimit në detyrë për çdo anëtar të Këshillit Mbikëqyrës, për guvernatorin dhe zëvendësguvernatorët është shtatë vjet.

 
Drejtuesit

Këshilli – Këshilli Mbikëqyrës ka nëntë anëtarë: guvernatori, (kryetar) zv.guvernatori i parë; zv.guvernatori i dytë; gjashtë anëtarë.

Propozimet – Pesë anëtarë propozohen nga Kuvendi; tre anëtarë propozohen nga qeveria; një anëtar propozohet nga Këshilli Mbikëqyrës.

Guvernatori – Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi, me propozimin e Presidentit. Zv.guvernatorët i emëron këshilli
7 vjet

Mandati – Datat e mbarimit të afatit të çdo anëtari duhet të shpërndahen gjatë shtatëvjeçarit

Rizgjedhja – Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës mund të rizgjidhen, përveçse kur shkarkohen

Vakanca – Në BSH duhen zgjedhur: guvernatori, dy zëvendësguvernatorët, inspektori i përgjithshëm


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama