Gjatë një takimi me kryeministrin italian, Xhulio Andreoti në Romë, në shtator të vitit ’92, një delegacion i Partisë Demokratike në pushtet shprehu pakënaqësinë për punën e ambasadorit italian, Torkuato Kardili. Zyrtarë demokratë e akuzonin asokohe Kardilin se flirtonte me socialistët dhe luftonte demokratët. E ndërsa prisnin naivisht një autokritikë, Senatori i përjetshëm, u dha atyre një leksion. “Diktatura është jashtë njeriut dhe brenda tij. E para rrëzohet siç u shemb muri i Berlinit.

Diktatura e brendshme jeton ende te disa politikanë, të cilët kanë komplekse ndaj të huajve. Paaftësinë e mbulojnë me servilizëm. Thonë “Si” kur duhet të thonë “No”. Në politikë këta janë virusi më i rrezikshëm për fatet e një kombi. Ata me dëshirë dhe për përfitime personale, bëhen shërbëtorë besnikë të diplomatëve të huaj, shesin shpirtin dhe kompetencat tek të huajt, duke e kthyer partneritetin midis vendeve në vasalitet! Te këta politikanë vendas, qëndron sekreti i suksesit por edhe i dështimit të ambasadorit italian në Tiranë!”, u tha Andreoti deputetëve shqiptarë.
Erl Murati-Revista Mapo











