Alesandro Del Piero/ Pinturichio qe gdhendi historine

Alesandro Del Piero/ Pinturichio qe gdhendi historine
Ditën që një djalosh 19-vjeçar do të sillej te Juventusi nga Xhanpiero Boniperti, askush nuk do të bindej se do të bëhej fjalë për një nga ata lojtarë që do të shndërroheshin në të adhuruarit e turmave. Dukej i brishtë dhe nuk ta mbushte fare syrin. E lanë për disa kohë në skuadrën e të rinjve, por Xhovani Trapatoni e kuptoi menjëherë se Boniperti, legjenda tjetër juventine që pa çdo rekord t’i thyhej nga Del Piero, e mori djaloshin në skuadrën e parë. Do të aktivizohej në minutën e 74-ët në vend të një farë Fabricio Ravaneli. Një javë më pas do të shënonte golin e tij të parë nga 289 golat që ka realizuar me fanellën bardhezi. Luhet Juventus-Rexhiana dhe Aleks shënon një nga golat në triumfin 4-0 të bardhezinjve. Në po atë sezon do të shënojë edhe tregolëshin e tij të parë në një triumf 4-0 ndaj Parmës. Do të ishte kjo shkëputja e një reaktivi që nuk do të ndalej më, as nga dëmtimet e shumta e shpesh të gjata.

Por Del Piero është një ikonë që shkon përtej shifrave, është një hero për popullin bardhezi, një lojtar që kurrë nuk e ka lënë skuadrën në baltë, një lojtar që i ka dhënë aq shumë fanellës saç edhe ka marrë prej saj. Shembull në jetën e tij private, pa aventura rozë dhe pa skandale seksuale si shumë yje të tjerë të futbollit, “Pinturiçhio” (nofkë që ia pat vënë Xhani Anjeli duke krahasuar goditjet e tij me ngjyrat e ëmbla të piktorit të madh të Rilindjes) do të bëhej më shumë sesa një idhull, do të ishte flamur, simbol, njeriu më i dashur në historinë e Juventusit.

Aleks do të mësohej të përballonte dhimbjen në kulmin e tij, atëherë kur të gjithë e shihnin si favorit për të fituar “Topin e Artë”. 8 nëntor i vitit 1998, një ditë përpara ditëlindjes, minuta e 92-të e Udineze-Juventus, Del Piero këput ligamentin e kryqëzuar. 9 muaj larg fushave, 9 muaj terapi për t’u rikthyer sërish. Shumëkush e etiketoi si të mbaruar.

Kur kthehet nga dëmtimi, gjërat kishin ndryshuar te Juventusi. Lipi ishte larguar dhe në vend të tij kishte ardhur Ançeloti. Shënoi 12 gola në sezonin e parë, 8 nga pika e bardhë e penalltisë pa gabuar asnjë. Skuadra dhe Del Piero po ringrihen, do vijnë titujt dhe Aleks bëhet edhe njëherë shtylla e skuadrës. I paharrueshëm asisti i tij me roveshatë për David Trezege në sfidën-titull ndaj Milanit, që i lejoi bardhezinjtë të fitonin 1-0 dhe të siguronin titullin, por që u hoq nga Calciopoli. Pikërisht ky proces do ta dërrmonte Juventusin, por jo shpirtin bardhezi.

Skuadra zbriti në Serie B, por Aleks ishte aty, i pari së bashku me Bufon, Nedved, Trezege e Kamoranezi, senatorët që nuk e braktisën “Zonjën e Vjetër”, duke e marrë për dore dhe duke e kthyer brenda vitit në Serie A, pavarësisht se e nisën kampionatin me 9 pikë më pak. Edhe aty Del Piero do të shënonte një rekord, duke u bërë i vetmi sulmues në futbollin italian që fitonte “Këpucën e Artë” në Serie B dhe në A një sezon më pas. 6 vite vuajtjeje që u kurorëzuan me titullin e ngritur dy ditë më parë në qiellin e Torinos nga vetë legjenda, historia, flamuri bardhezi, Alesandro Del Piero. Lot dhe emocione në “Juventus Stadium” që i rezervon idhullit të tij një standing ovation prej 16 minutash…

Del Piero ka luajtur 704 ndeshje me fanellën bardhezi dhe mban çdo rekord, të gjithë trofetë e mundshëm, duke përfshirë edhe Champions League, Botërorin e Klubeve apo Kupën e Botës, madje edhe minutat e luajtura 48610 të tilla, këto minuta plot emocione për milionat e tifozëve juventinë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama