Aktivisti serb... Cfare pa Goran Miletic ne ndeshjen me Shqiperine

Aktivisti serb... Cfare pa Goran Miletic ne ndeshjen me Shqiperine

Njerëzit në të dyja anët duket se shikojnë gjëra të ndryshme nga një ngjarje e vetme: Cfarë ndodhi në stadiumin e Beogradit? Këtë pyetje i bën “Historia Ime” aktivistit serb për të drejtat e njeriut dhe Drejtor i Programeve për Ballkanin Perëndimor pranë Civil Rights Defenders, Goran Miletic. Në këtë intervistë Miletic flet edhe për nivelin e urrejtjes ndaj shqiptarëve në shoqërinë serbe si dhe për përgjegjësinë e medias dhe të shoqërisë civile. Cfarë po bën shoqëria civile përballë këtij realiteti?

Intervista e plote

Njerëzit në të dyja anët duket se shikojnë gjëra të ndryshme nga një ngjarje e vetme: Cfarë ndodhi sipas jush në stadiumin e Beogradit?
Mendoj se është një incident tipik ballkanas me interpretime të shumta nga secila palë. Aq sa mund të shikoj, është e vështirë që të dyja palët të pranojnë disa fakte. Së pari, kishte thirrje nga huliganët serbë “vritini, vritini shqiptarët” (ata përdorin në fakt fjalën “shiptar” që është absolutisht e papranueshme në gjuhën serbe). Thirrje të tjera të ngjashme u përdorën nga të njëjtët huliganë. Pas kësaj, droni me hartën e “Shqipërisë së Madhe” u shfaq në ajër, futbollistët serbë u përpoqën ta largojnë dhe pas kësaj huliganë serbë hynë në fushë, e ndjekur kjo nga përplasja mes disa lojtarëve në të dyja anët e fushës. Kur lojtarët shqiptarë nisën të largohen nga fusha ata nuk u mbrojtën sicc duhet nga oficerët e policisë. Nga ana tjetër duhet të kuptojmë se harta e Shqipërisë së Madhe është gjithashtu ofensive për disa njerëz.
 
Asnjëra prej qeverive nuk ka kërkuar ndjesë për asgjë. Secila beson se nuk ka arsye për të kërkuar ndjesë. Pati edhe pikëpyetje nëse do realizohej ose jo një vizitë e parashikuar e Ramës në Beograd. Në c’drejtim po shkojnë sipas jush marrëdhëniet mes dy vendeve?


Vizita do të ndodhë dhe të dy kryeministrat do të bëjnë më të mirën e tyre për shkak të BE-së. Megjithatë të dy kryeministrat duhet të dënojnë fort cdo akt intolerance, nacionalizmi dhe cdo akt të ngjashëm. Deri tani nuk e kam dëgjuar dicka të tillë. Cdo gjuhë urrejtje nga të dyja palët duhet dënuar pa asnjë dyshim.


45 përqind nuk janë të kënaqur po t’i kenë shqiptarët fqinj, 50 përqind e serbëve nuk do të donin të kishin shefa të tyre shqiptarët, ndërsa 70 përqind e serbëve nuk do donin që të martoheshin me shqiptarë. Kjo është dicka shumë serioze
 
Serbët, a i urrejnë vërtet shqiptarët?


Distanca etnike kundrejt shqiptarëve në shoqërinë serbe është ende shumë e lartë dhe qeveria nuk po bën thuajse asgjë për ta ulur këtë. Sipas kërkimeve të bëra tre vjet më parë, rreth 40 përqind e qytetarëve serbë nuk janë të lumtur po të kenë shqiptarë si qytetarë të Serbisë, 45 përqind nuk janë të kënaqur po t’i kenë shqiptarët fqinj, 50 përqind e serbëve nuk do të donin të kishin shefa të tyre shqiptarët, ndërsa 70 përqind e serbëve nuk do donin që të martoheshin me shqiptarë. Kjo është dicka shumë serioze dhe shoqëria civile po përpiqet shumë ta luftojë këtë mungesë tolerance. Këto rezultate janë pasoja të diktaturës së Milloshevicit dhe propagandës së fortë gjatë këtyre 25 vjetëve.
 
Ka një përqindje të madhe të njerëzve qoftë në Serbi qoftë në Shqipëri që nuk janë Ok me këtë atmosferë urrejtje, por duket se ata nuk janë as të dukshëm as të zëshëm. Cila mund të jetë një mënyrë për t’u dhënë atyre zë? A mund të ndodhë që të jenë shumica në fakt?


Duhet të gjejmë patjetër hapësirë për këto zëra. Për fat të keq minoranca agresive me qëllime të këqija është gjithmonë më e zëshme se pjesa tjetër e popullsisë. Celësi për përmirësime është ndoshta te media dhe te shoqëria civile. Ne duhet të shpjegojmë dhe të jemi këmbëngulës të, kurse media duhet të mbulojë pikërisht këto zëra dhe jo gjuhën e urrejtjes. Por nuk jam shumë i sigurt nëse media në Ballkan e kupton sic duhet përgjegjësinë që kanë në lidhje me këtë apo cështje të tjera të të drejtave të njeriut.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama